ATDHEUT TIM (Poemë, në 105 vjetorin e shtetit shqiptar) / Poemë nga Adem Zaplluzha

Poemë nga Adem Zaplluzha

 

ATDHEUT TIM
(Poemë, në 105 vjetorin e shtetit shqiptar)

 

PROLOG

Po të mos ishe Ti,
Unë do isha ankth në zemrën e gurit,
Atdheu im,
Do isha një askush,
Pa trastë e pa një kacidhe buke.

Ti linde,
Para njëqind viteve,
Kur babai im ishte një pjesë,
E ashtit të babagjyshit.

Thonë se për shtatë ditë,
I shkeli, me shputat e ngrira,
Ashpërsinë e maleve shqiptare,
Dhe ditën e tetë, e zuri me dorë,
Diellin në Vlorë.

Im gjysh,
Atë ditë i kalëronte vetëtimat,
Kur u përqafua me plakun,
Mjekër-dëborë.
U gjunjëzua,
Dhe e puthi shpendin e shenjtë,
Para dhjetë dekadave,
Dikur, atje… në Vlorë.

(PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË)

1.
Përtej gërmadhave të këtyre fjalëve,
Nuk kam se ku të shkoj.
Më vranë,
E më kafshuan çakajtë.
Akoma pa i çelur sytë,
Lotoi guri.

Im at’,
Në gjumin e brejtësve,
Përkundte djepin,
Duke mos e ndalur këngën,
Majëkrahut.
U këndoj zanave,
Që e mëkonin atdheun e grisur.

Me qindra vite nuk e rroki kazmën,
U ngjiz me dyfekun,
Lisave u bënte shoqëri.
Dhe i thërriste baladat,
T’i japin ujë gjokut.
Edhe foshnjat,
Akoma pa lindur,
Përpëlitnin,
Në zemrat e nënave.

S’kishin durim të presin,
Deri sa të burrërohen.
Rriteshin para kohe,
T’u ndihmojnë baballarëve,
Me nga një krismë pushke.

2.

Ishin kohërat e vështira,
Sa që barra na e thyente ashtin.
Nuk kalonte asnjë këlthitje,
Këlthitje çafkash,
Pa i shkulur lisat.

Dikush mallkoi Zotin,
E tjetri Atdheun.
Kur qepallat u sterrën,
Dita lindi nga loti i mjegullave.

Kudo qielli u nxi.
Në lotin e Shën-Mërisë,
Derdhej balsami i trishtimit,
Derdhej një gjak kuq e zi.

Vetëm për Ty,
O Atdhe i vrarë,
E i bluar në dhëmballa djajsh,
I lëmë peng eshtrat tona.

Ky truall i grisur e i qar,
Nga kafshimet e ujqërve,
Përjetoi golgotën e dhembjeve,
një trishtim të paparë.

Ky tregim biblik ,
Zvarritet që nga mosha e re.
Ne s’deshëm,
Ose s’patëm kaçik.
O veç një djall na ndau,
Dhe na copëtoi,
Kur dhelpërisht hyri ndër ne.

3.

Disa lloje veladonësh,
Hynë në vallen e mortit,
Dhe na i shembën murishtat,
kudo gur muri,
Kodo ogur i zi.

Eh ç’të gjeti kështu,
Moj nënë Shqipëri?
Të katandisën bejlerët,
Të copëtuan agallarët!

Sa mallkime në shpirt,
E sa plagë i ke në trup,
S’di a të mburrem,
Apo nga ti të kem turp.

O fati im i drunjtë,
Mbi ty kalëruan shekujt.
Ti, kali im i zbrazët,
Kryqi im i akullt.

4.

Këtu përjetuan shumë trishtime,
Kur netët ballkanike,
Kur s’patën çka të han,
I pjekën lisat për së gjalli.

Kafshuan palcën e dheut,
Për ca pika shiu,
Dolën matanë lumit,
Dhe atje e keqja mbiu

Ishin të gjata netët,
Kur nëpër kusia bakri,
Për mysafirët e paftuar,
Zihej guri i strallit.

Për një bisht cigareje,
Eshka kallej flakë,
Drunjtë thyheshin nga acari,
Me qindra vite, këndej ,
Nuk mbiu bari!

5.

Më është shterë truri.
Asnjë pikë loti,
Nuk lëshon kafka ime,
E rrjepur.

Drurët qajnë.
Lisat lotojnë pika kryqesh.
Ky mallkim i shekullit ulërinë,
Në lotin e Shën-Mërisë.

Jam ulur mbi një kërcu,
Dhe tallem me vdekjen,
Si vdekja që tallet me ne,
Kur lehin daullet e luftës.

Tej shkurreve të zeza,
Përdridhen disa hije,
Gërmadhe njerëzish te murishtat,
Bartin kryqin e ditës.

Më duket se sot është tepër vonë,
Siç ishte dje tepër herët.
Asnjë këmishë si fle trupit tonë,
Jakat e palara i ndërsejnë qentë.

Lehjet s’janë duke pushuar,
Po çohen peshë!
Netët e mrrolura aziatike,
Në majat e minareve lozin shpirtrat.

Diku ngre kokë kryqi,
E diku gjysmëhëna!
Loti im mes kudhrës dhe çekanit,
Dielli i përskuqur shikon me pabesi.

6.

Sa herë që hymë,
Nëpër rrugët e baladave,
U takuam me lashtësinë e trishtuar.
Gjergji akoma s’qenka zgjuar.
Ç’farë është ky gjumë?
Ç’farë arome paska vdekja?

Nëna ime,
Nënëlokja e ime e mjerë!
Ku të katandisën djajtë,
Në duart e kujt,
I lë peng,
Këmishët e gjakosura!

Nën trapazan,
Kanë heshtur pushkët.
Meshkujt, ecin kokulur nëpër lamë.
Për qumështin e kërthinjve,
Nuset lërojnë tokën,
Tokën e pazot,
Nënëlokja e ime e mjerë!

Deri kur do të kurrizemi?
Kjo ecje nuk i përngjan fisit tonë!
Jemi apo nuk jemi askurrkund?
Atdheu do flijim,
Atdheu do të mos flemë,
E të mos jetojmë,
Kështu në trishtim

7.

Kjo fushë nekrologësh,
Paska mbirë për së mbrapshti.
Asnjë kalli misri,
Në rrënjët e mështeknave.

Kaluan disa vite të vështira,
Nëpër varre mbollëm pemë tropikale.
Mermerët s’duronin rrënjët,
Që përtypin dheun e shkriftë.

Një kolonë gurësh çapitej,
Tej hurdhave.
Motet e përjargura shtypeshin,
Nga një forcë e padukshme bizantine.

Kur dolëm në sheshin e kujtesës,
Asgjë s’kishte mbetur në këmbë.
Vitet mbyteshin në dallgët e turbullta,
Peshqit këndonin me nostalgjinë.

Në kundërshtimin e gjetheve,
Nuk kuptove se si rritet mështekna.
Ato vite ishin të egra,
Kur dhëmballët kafshonin dhëmballën.

8.

Kur u takuam me vetveten,
Ishim larg nga ëndrrat.
Shumë vonë u zgjuam,
Për tu këndellur si duhet.

Ky gjumë që fle,
Nëpër sirtarët biblike ,
Nuk ka asnjë qëllim përpos,
Ta kafshoj vetveten.

Kur u zgjuam pamë se kishim fjetur,
Gati një shekull.
Akoma po flemë, si i dehuri,
Dhe në brendinë tonë ,i mëkojmë gjarpinjtë.

Atdheu s’ka nevojë për premtime,
Në syrin e Tij, rriten plepat.
Vetëm zogu i shenjtë mund të ulet,
Në prehrin e këtyre gjetheve.

Sot ky shi i furishëm gjelbërimi,
I zgjon baladat epike.
Nëpër telat e qemanes,
Zbresin yjet në dasmën e madhe.

9.

Nuk di se ç’ka do të isha,
Po mos të kishe qenë Ti,
Atdheu im.
Këto gurë,
Që më njohin,
Kujtesën e kanë më të lashtë,
Se sa lashtësia e tokës.

Një mori historish,
Dhe prostitutash kaluan mbi Ty.
Veladonët e zinj t’i kafshuan germat.
Nëpër kolonada çapitën,
Të kërrusurit,
Dhe akoma mbete,
Sa i egër po aq edhe krenar,
Atdheu i im i vrarë.

Nuk di,
Edhe sa do të ecim në këtë mënyrë,
Por rruga e jonë është e gjatë.
Do të mbërrijmë një ditë,
T’i djegim këmishët gjarpinjve.

Këtë ta kemi borxh Ty, Atdhe,
Bastunëve të gjyshërve.
Një borxh i papaguar,
Për të nesërmen e madhe.

10.

Sikur ta kisha kapelën tënde,
Atdhe,
Do isha mbret ,
Mbi mbretër,
Do i zhdukja të gjitha yjet,
Që nuk vezullojnë,
Në detin e shpirtit tënd.

Edhe vashat më të bukura,
Do të kishin zili,
Se unë do isha Atdhe,
Kurse ti poeti,
Që i këndon bukurisë.

Do kalonim dorë për dore,
Deri te burimet e yjeve,
Do na mëkojnë meteorët,
Me qumështin e lopëve të diellit.

Do ishim flutura,
E me një mall të zjarrtë,
Do i përqafonim,
Brigjet e ëndrrave e tua,
Atdheu im i vrarë,
Atdheu im i kafshuar!

 

EPILOG

Sonte, kur kjo dëborë e kuqe,
I mbulon flokët e shprishura,
O atdheu i im,
Ti , diku larg, në brigjet e Jonit,
E end pëlhurën e Penelopës.

Në këtë çast,
Sa qenkan të brishta kujtimet,
Kur derdhen mes këtyre gjetheve,
Nga lotët e kukullave sybajame,
Këputen yjet e vendlindjes.

Njëkohësisht, paskam uri,
Dhe etje.
Si të ngopem me kujtimet për Ty,
Çezma ime e drunjtë,
Si ta shuaj etjen,
Me mallin tënd të paçmuar,
Ooo Atdhe!

Kalldrëmet janë shkulur nga kujtesa.
Si ta shuaj zjarrin,
Që nuk e shuajnë me vite të reshurat.
Ky rrap i uritur,
Paska mbetur pa fije loti.

Të lutem më fal,
Por vajet i përkasin burrave.
(Besa, edhe kuajve,
Kur i humbin dizgjinët).

Një mall që nuk shuhet,
Me vite ndizet në brendinë kraharorit.
Po kam frikë,
Se sonte, do bëhet vonë,
Tepër vonë ,
Për të t’i mëkua plagët.

Më ndje Atdheu im i grisur:
-Të lutem, më fal për këto dhembje!
Edhe sikur të kisha qenë gur,
Do të pikonin si përherë,
Këta lot të hidhur,
Nga syri i shkëmbit strall,
Strall e mall.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s