Sonata e Hënës ( Rrëfim për një jetë ) – Eglantina Mandija / Përgatiti materialin : Bardhyl Selimi

 

egl

 

Sonata e Hënës

Rrëfim për një jetë

Autore : Eglantina Mandija

Tiranë 2016

Botimet:  Ngjyrat e kohës

 

 

Bardhyl Selimi

Përgatiti materialin : Bardhyl Selimi

 

Para ca kohe, bëri sërish një vizitë në Shqipëri mësuesja ime znj . Eglantina Mandija, e cila jeton në Kanada por ende shkruan libra dhe artikuj të ndryshëm. Si e tillë ajo është një model i dyfishtë për të gjithë ne, ish nxënësit e saj.

Në librin që më dhuroi znj Eglantina shkruan:

 

“Bardhylit, nxënësit më të dashur, njësoj si të qe Ardi, djali im i vetëm, për gjithçka ka bërë me devotshmëri.”

 

Mësuesja e përjetëshme, Eglantina

Tiranë 13 qershor 2016

 

 

Ja disa fragmente nga libri:

 

  1. 5

Njeriu mund të jetë i lirë, edhe pse i burgosur. Njeriu mund të jetë i burgosur edhe pse është i lirë.

Ky është mësimi që kam nxjerrë nga jeta jote.

Fli e shenjtë e qiellit shqiptar!

Autorja

 

f.6

Ç’melankoli në natyrën e zhveshur. Edhe jeta jonë është e ngjashme me këto gjethe. Retë shkojnë e vinë dhe zogjtë këndojnë të gëzuar gjatë verës e kthehen të lodhur në foletë e tyre. Asgjë nuk është e përjetëshme. Pemët lulëzojnë por jo përgjithmonë. Kështu qenka edhe jeta e njeriut! Lind, rritet dhe vdes, ndërsa të tjerët vijnë pas nesh. Çdo vit që ikën nga jeta jonë nuk kthehet më kurrë, si petalet e luleve, që i merr era një e nga një dhe mbetet veç pluhuri. Vetëm natyra është e përjetëshme në formën e saj të pandryshueshme dhe qenia jonë s’është gjë tjetër, veçse një vijim i botës dhe një ecje përpara e kohës.

f.7

 

 

eg 2

 

Tani marrëzia e trullosi Shqipërinë tonë të vogël. Marrëzia e shpuri vendin në zgrip, e hodhi në gjeratoren e rrethit vicioz të skllavërimit të trurit dhe të varfërimit ekstrem deri në dëshpërim. Marrëzia mbolli urrejtjen deri në shkatërrimin më të llahtarisur të vlerave njerëzore e sadizmin e një autodafeje kryqëzimesh e varrosjesh për së gjalli të qindra martirëve të pafajshëm. Marrëzia e mbuluar nga lustra e sterilitetit, e vulosur në një shishe me etiketën vetëtitëse të “njerëzve të rinj” fermentoi skëterrën e shpirtit që si një pus artezian lëshoi këtë det helmi e vjelljeje kundër vetvetes e gjithëkujt në tregun e zi të shitblerjes së gjithëçkaje nga gjithkush.

Marrëzia e shfytyroi shqiptarin, të vetmin, të vetmin fare në botë, që egërsisht sulmoi e shembi shtëpitë e Zotit, të faljes, mëshirës, shpresës dhe pendimit.

Tani POLATËT shpëlajnë duart me ujë e me një buzëqeshje të padjallëzuar anatemojnë vesin e krimit, kurvërimit, gjakmarrjes, paralizës, egërsisë e si narcizistë të përjetshëm, këlthasin “Na e kthe parajsën e rrëmbyer, o Zot!”

E dashur Musine, le të ketë sado pak mëshirë PERËNDIA e gjithëpushtetshme për ne.

Parajsa s’është fole e shpirtrave të nëmur. Në parajsë janë ëngjëjt tanë mbrojtës si ti, MOTËR E HELMUAR,ZEMËR PA NGUSHËLLUAR, SHPIRT i BUKUR i PAQETUAR, i NUSES SË PANUSËRUAR.

Të falem në gjunjë, për të gjithë jetën

Romë 25 nëntor 1992, Autorja

 

  1. 10

Gjirokastra, bota e madhe pa fund, që s’kishte shoqe për moshën time të parë. Gjirokastra trime, anembanë me shkëmbinj e me udhët plot gurë. Gjirokastra e të përpjetëlave dhe e tatëpjetëlave.

Gjirokastra plakë, e regjur në mjerim e varfëri në ditët e nxehta të verës, ku afshi i ngrohtë del nga dërrasat e çative dhe djersa kullon mbi ballin e atij, që me torbë në krahë ngjitet për në shtëpi dhe në netët e ftohta të dimrit të ulur rreth zjarrit, që nga jashtë dëgjojnë fërshëllimën e erës së tërbuar, që thyen degë e pemë bashkë e gjëmon nëpër mazgalle e baxhara, e ndjekur nga pas me oshëtima e bubullima e drita e vetëtimave dhe shiut të rrëmbyer që bie pa ndërprerë.

Gjirokastra e kujove dhe e këngëve që buçisnin një herë e një kohë nga dritaret e mëdha të shtëpive, buzë përrenjëve, nën hijen e rëndë të kalasë së Ali pashës, anës e anës udhëve të shtrëmbra me një mijë të hyra e të dala, rrëzë kodrave, me shtëpitë që ngjajnë me njëra- tjetrën, shkallë- shkallë nga maja e shkëmbinjëve të Këcullës, që duket sikur e mabn qytetin në pëllëmbë të dorës dhe që andej përshëndet malet e Lunxhërisë në mëngjes, kur lind dielli dhe në mbrëmje, kur perëndon me rrezet e fundit sa humbasin fare.

f.77

Të varfrit janë kudo. S’dinë nga t’ja mbajnë dhe lëvizin. S’kanë dru në vatër, s’kanë bukë të hanë, s’ka njeri të mendohet për ta. Të varfrit qajnë, se janë zhveshur, fëmijët qajnë se s’kanë bukë, jetimët qajnë se s’kanë nënë.

 

 

eg 3

 

f.106

Ëndrra jonë është e bukur, Selfixhe. Duam të mos ketë fëmijë që vdesin për bukë, që nënave të mos u shterojë qumështi në gjirin e irnosur, që burri të mos rrijë gjithë ditën i pirë dhe ta nxjerrë inatin me fëmijët me kamxhik dhe të vegjlit të kërkojnë: “Bukë, bukë” dhe era e shiu të mos përplasen mbi shtëpitë e shkatërruara, në netët e ftohta të dimrit. Dhe njeriu mos të thërrasë: ”Ja mjerimi, ja vdekja shpirtërore, vdekje për së gjalli!” A e di që unë e kam shumë frikë vdekjen për së gjalli? Merre me mend, një shoqëri ku vijnë rrotull kufoma, Zot na ruaj nga ky tmerr!

 

f.139

Diku në Romë:

“E çuditshme”,- mendonte Musinea. “Mjerimi është kudo njëlloj. Po me këto fytyra të zbardhura e të jeshilosura. Po me ata sy që nuk shohin dhe me buzë të shtrënguara. Po me ato veshje të ndyra dhe duar të rrudhosura. Klithmat e grave e fëmijët rreth një automobili të stërvjetër, të shkatërruar moti. Të gjithë të pakrehur, që fshijnë hundët me dorë, pastaj pas fustaneve. Dikush fare zbathur e dikush me çorape që s’merren vesh se ç’janë. Zhurma dhe klithma të frikshme pas dritareve, që janë aq pranë e pranë, sa s’shohin gjë, veçse një copëz qiell”

 

f.190

“E kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërsa e kemi brenda shpirtit. E kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërsa ajo e ka burimin në zemrën e secilit. Pra, njeriu është i zoti për një ekstazë hyjnore, aq sa për dhimbjen danetske, edhe për dritën e qiririt Naimjan. Ndoshta kjo është arsyeja që pasionohet në sende pa shpirt, si puna dhe paraja, sepse ato janë të vetmet që mund t’I sundojë vetë, sepse njeriu predikon që po lufton për të mirën e të tjerëve, por në të vërtetë vetëm konservon përsonalitetein e vet sa më tepër moshohet, aq më egoist bëhet. Kjo është edhe arsyeja që shumë fytyra të bukura marrin maskën e ferrit të përjetshëm.”

 

f.195

Ahmet Gashi i shkruan Musinesë:

“Njeriu ka mundur me i shërbye njerëzimit atëhere, kur ka ndi gëzimin me punën e tij që ka bamun. Ti çdo herë kapërtheje gëzimin kur s’e nxen ndonji send a mendim të ri dhe mos u idhno kurrë ndonjëherë pse do të duket sikur harrove disa të nxanë me të para. Pse kjo është e natyrshme madje, e nevojshme.”

 

f.197

Dhe ishte pikërisht viti 1936[1], kur Qemal Stafa i rrëmbyer nga idetë e komunizmit, i dërgonte asaj kërkesën e parë për bashkëpunim. Dhe ishte pikërisht ai vit që në Rusi kishin filluar gjyqet. Burgjet dhe vrasjet po dilnin mbi sipërfaqen e detit të madh dhe të paanë rus.

Ajo nuk donte një Shqipëri të ardhme me burgje. Fashizmin e kishte parë dhe jetuar në Romë. Ishte një përbindësh, që ushqehej me mish njeriu. Ishte kafsha që sundonte njeriun. Kafsha. Zot e ruaj njeriun nga kafshërimi! Shpëtoje Shqipërinë tonë nga fati i zi!

  1. 205

Rrëfen Selfixhe Ciu:

“Unë isha komuniste e besoja që komunizmi do të sillte përparim dhe barazi shoqërore në një vend aq të vogël si Shqipëria. Unë isha bijë e një familje shumë të pasur dhe vetëm dëshira e LIRISË dhe BARAZISË më shtynte në radhët e para të luftës kundër pushtuesit.

Musinea ishte tëpër e kthjellët dhe kishte bindjen, që komunizmi dhe fashizmi s’kanë asnjë ndryshim midis tyre, përderisa vendosin diktaturë dhe vrasin njeriun. Ajo ngulte këmbë: ‘Se unë të njoh fare mirë, Selfixhe, ti shumë shpejt do të biesh ndesh me vetveten. Sepse ti je “iluministe’, dhe s’di të pranosh as si shkrimtare, që njeriu shqiptar të vritet e të merret nëpër këmbë”

 

f.212

Tani ajo po i jepte dorën e fundit korrekturave të librit të vëllait “Kosova djepi i shqiptarizmit”. Hamiti i saktë, metodik, kishte argumentuar me fakte e dokumente të dhjetëra e dhjetëra skedave, nëpërmjet një pune qëmtonjëse, për të arritur në përfundimin shkencor se, nga pikëpamja etnike, krahinat që janë aneksuar prej Jugosllavisë, paraqiten me një fizionomi krejt shqiptare. Edhe Kristiqi me librin “Kolonizimi i Serbisë Jugore”, botuar në Sarajevë më 1928, ishte i detyruae ta pranojë këtë të vërtetë, duke e paraqitur në hartën për aneksimin e Kosovës.

Kosova s’ka qenë vetëm djepi i Rilindjes Shqiptare, por ka qenë veçanërisht faktor i ngjarjeve historike, që sollën krijimin e shtetit shqiptar. Kosova ka qenë një fushë betejash e luftërash të përjetëshme, ku shqiptarët kanë derdhur gjakun në shekuj, në një luftë të dyfishtë kundër turqëve[2] e kundër serbo-malazezëve.”

 

f.214

Rrëfen Afërdita Asllani:

Ty të dhemb shpirti për lirinë e njeriut dhe veçanërisht të gruas shqiptare- i thashë.

Ashtu është, po të them të drejtën s’dua gjak, s’dua vëllavrasje. Dhe me pikëpamje jam socialdemokrate. Nuk e pranoj hakmarrjen e kuqe. E di vetë se ç’ka ndodhur në Rusi. Është një fashizëm, njëlloj sin ë Itali e në Gjermani. Nuk u besoj komunistëve shqiptarë, që i bien anash problemit të Shqipërisë etnike. Ne jemi një popull i copëtuar, i ndarë në copa. Ka ardhur koha të kemi Shqipërinë, që ëndërruan Rilindasit tanë!

 

  1. 228

Partia socialdemokrate është kundër liberalizmës klasike angleze të shekullit të fundit, e cila e linte punëtorin proletar në mëshirën e punëdhënësit kapitalist. Por është gjithashtu kundër kolektivizmës komuniste, e cila, duke parë të nevojshme diktaturën e proletariatit, për të ndaluar shfrytëzimin e individit nga një individ tjetër, sakrifikon liritë individuale më elementare.

  1. 237

Letër e Mumtazit[3], e vëllait të Musinesë:

Fatkeqësia e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, është se ka rënë në dorë të një njeriu përbindësh[4], tinzar, hakmarërs, inatçi, dinak, megaloman, egoist, që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar e kur qe jashtë për studime, nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj, fëlliqi botën me borxhe.

Ne intelektualët gjirokastritë, ia dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura, prandaj ai kërkon të na asgjësojë. Porkam besim se këtij batakçiu, bashkë me djajtë e kuq, shpejt ka për t’i dalë boja. Këtë radhë besoj se do të na ndihmojë Evropa dhe Amerika dhe pas shkatërrimit të tij, me të do të falen edhe gurët e sokakëve.

 

 

eg 5

 

  1. 255

Shqiptarët fatzinj. Kosova do të jetë gjaku i pafalur dhe pengu i dhembjes suaj të përhershme. Plagët e saj të vjetra e të reja do ua djegin shpirtin, do ua përgjysmojnë jetën. Gjithnjë do të jetohet një gjysmë jetë si një gjysmë hënë, sepse gjaku do të mbetet pezull.

E si mund të jetë e lirë Shqipëria, kur djemtë e Kosovës, djemtë e nënave, në lulen e rinisë, në lulen e moshës, kalojnë sheshit nëpër Shkodër dhe masakrohen në Tivar? Kur Prizereni i Abdyl Frashërit dhe Gjakova e Sul Vokshit mbetën të pushtuar?

 

  1. 279

Burgjet dhe kampet, “përmendoret” më të prekëshme të asaj diktature, ishin mjedise të skëterrëshme, që kallnin tmerr për vuajtjet lëndore e shpirtërore, ishin të lemerishëm e shkatërrimtarë jo vetëm për të dënuarit, por edhe për familjarëte  tyre.

 

f.281

Rrëfen Sh.T.:

Kishte ardhë në burg Mehmet Shehu:

  • Hë moj ti e “apazitës”- u tall me Musinënë.
  • Nuk jam e apazitës, por e opozitës zotëri- tha Musinea
  • Këtu do të kalbesh, moj e opozitës@ në burg do të kalbet opozita!
  • Për këtë s’kam asnjë dyshim- u përgjigj Musinea.

 

  1. 316

Rrëfen Petrit Bezhani:

Dhe ishte vërtet LEBROZA- lufta e klasave, që i kishte shftytyruar burrat e gratë e fisit të lashtë arbëror, për të cilin kishte punuar ajo grua aq e vetmuar, aq e vetmuar, sa neve të gjithëve, në thellësinë e shpirtit, na vinte turp nga vetja.

 

 

 2 korrik 2016

 

[1] Dyshoj se do jetë viti 1938- B.S.

[2] Mbase duhet thënë kundër osmanëve- B.S

[3] Mumtazin dhe Vesimin, të dy vëllezër, me 12 nëntor 1944, ende pa u çliruar Tiranë, skuadrat komuniste terroriste të vdekjes e rrëmbyen nga shtëpia dhe e pushkatuan bashkë me dhjetëra të tjerë duke i lënë kufomat grumbull në bodrumet e hotel Bristolit më shumë se dy javë rresht. Do ta merrnin edhe vëllain tjetër, Hamitin, që kish shkruar “Kosova – djepi i shqiptarizmit” por ai ishte i sëmurë për vdekje dhe nuk e transportin dot në krahë…

[4] Mumtazi shprehet: bashtoja i Gjirkastrës, Enver Hoxha

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s