Cikël poetik nga Dije Lohaj
RILINDJA IME
Ja bulevardi i vjetër,
Djersa e damarëve të mi,
Që lag rrënjët e lisave
Kthyer përmbys…
Grimca statujash shkrehur
Nga plëngprishësit,
Që të gërryejnë
E të marrin shpirtin
Ja
Janë më tutje,
Ata soj dhelprash
E majmunësh
Një soj i panjohur,
Që shesin pronën time,
Aromën e foshnjës sime
Cicërrimën e zogjve,
Puhinë e livadheve,
Gurrat e freskëta të maleve…
Ja qyteti im i zbrazët,
Me gjurmë ujqish.
Tashmë i shikoj e stepur
Copat e tretura
I ndjej, i shijoj
Si një relikt të vjetër
Dhe më në fund
U mësova të të dashuroj
Dhe të të mbroj mes llomotitjesh
Sa e sa here zgjohesha agsholeve
Përthith ajrin tënd të helmuar
Ah, të helmuar nga flaka
E plëngprishësve të tu…
NË FUND TË ZEMRËS
Sa e sa herë gaboi dhe unë e fala për dreq,
Pse mos ta falja kur falja është madhështi,
Errësira e brishtë kishte nxirë shpirtin e tij
Ndaj, ato stërkala baticash desha t’ia heq.
Ta ndjesh edhe përtej gabimeve pakëz qetësi,
Të ndjesh të dridhura gjunjësh duke përjetuar,
Mendimin e mirë me shkëlqim yjesh mbuluar,
Syprinës së dashurisë tek zbret me plot kaltërsi.
Kur fluturimet e zemrës me ngujojnë në vetvete,
Merri lëndimet e thella po t’i kthej dhuratë për jetë,
Deri në fund të zemrës t’i ruash të hapura për mot.
Shpirtin mos ma trazo, mos ma hidh në humnerë,
Mbështe në pandjeshmërinë e botës sate skëterrë,
Sa keq me vjen, që nga ky ferr, nuk dotë dalësh dot.
TRËNDAFIL
Trëndafil i bukur
Trēndafil i kuq
Çele dashuri.
Mbrëmë ishe i zi,
Sot u bëre i zjarrtë petalesh
Gjembat shpojnë përmallimin.
TAKIM ME VETEN
Shpirti shpupurishi valën e marrosur
Në takimin e zbehtë, të ftohtë si dëborë,
Mbyllur nga tallazet e ortekut me borë,
Në psherëtimat e grahmës së pasosur.
Mblodhi veten, hidhërimin mbylli qenësisht,
Kërkoi dritën e shpresës, ajo po bie ngadalë,
Shkëlqimi i agut shpirtin ia mbuloi si një valë,
Ti, o vetja ime, jepja dorën shpirtit miqësisht.
Të bashkohemi veç përmes çastesh të bukura,
Nga drita qiellore ta vjelim dritën e dashurisë,
Në dritaret e hapura të presim sytë e bukurisë.
Lotin e trishtimit të na e kthej në shi me flutura,
Me një shkëlqim ylberi të na mbulojë me qetësi,
Për ta dërguar zemrën dhe shpirtin në përjetësi.




























Leave a Reply