Poezi nga Rami Kamberi
PËR TOKËN E BEKUAR, DERI TE SHKULI I EMRIT…
Nën ëndrrën e pranverës, filloi të çelë, koha e harrimit
Me dritën e syve, që gjuhën e kërkon
Mes shtatëve të kokave,pranguar, nga zinxhirët e durimit
Kur në sythin e dashurisë, shpërtheu, gjaku i fjalës, liri
Lulishtes së burrërisë, ku fjalët lidhen nyje, e shqip flet huta
Përtej çdo kohe, përtej çdo kufiri
Si këngët e këngëtarëve, që nëpër flakë shekujsh, i këndon lahuta
Për tokën e bekuar, deri te shkuli i emrit, pranveroren I-liri.
MË FAL POET, SOT NUK KAM KOHË…
Sot, nuk kam kohë, të shkruaj as një fjalë për ty
Poet, që sot jeton, brenda faqeve të dheut
Bashkë me poezitë, që të mbeten dorëshkrime në sy
Si liria e bashkimi, që i mbetën, ëndërr atdheut
Nuk kamë kohë, më beso, poet, i plagëve të gjakut tim
Sot, moti është, edhe më i egër se dikur
Jetohet me vdekjet e reja, të gozhduara me liri e bashkim
Duke marshuar shesheve, me tonin flamur
Më fal poet, sot nuk kam kohë, as edhe emrin të ta them, poet
Se vallen liri, e vallëzojnë, të marrët e të përdalët
Më kupto të lutem, është moti, që për një fjalë, dhe vdekjen ta vret
Duro të lutem, derisa kjo stuhi lirie, vetë të ndalet.
PARA SHTATORES, QË FLET SHQIP…
Deshën e më gozhduan ata, të tradhtisë e robërisë
Mes kryqit të paqes
Që e ngulitën,tinëzisht, mes e përmes, Shqipërisë
Për të treguar, sa e madhe është, forca e perandorisë
Që marshon rrugëve të botës, në emër të Perëndisë
Duke valëvitur, flamujt e frikës, me gjuhën e lumturisë
Duar e këmbë, m’i gozhduan në kryq, bashkë me kokën
Gjuhën ma lidhën, me zinxhirët, plot gjemba si shpata
Sytë m’i groposën, që nga lartë, të mos e shikoja dot, tokën
E as ta mati kohën, shqip, kur vjen dita e kur vjen nata
Mbeta në kryq, kështu si dukem sot, plis i bardhësive, liri
Shtatore kujtimesh, për ju
Lehonat e ardhmërisë, që doni ta bashkoni atdheun, Shqipëri!
U LINDA, TË MBETEM ATDHE…
Unë jam, lehonë shqipesh, mbi truallin ku jeta, qepet vetëm shqip
Me vdekjet e reja, që lehonat të jetojnë, si dikur me krenari
Rrugëve të jetës, kah rrugëtojnë plisat e kohës, për më shumë dritë
Besa-besë, që u prin amaneti i shekujve, dhe flamuri kuq e zi
U linda të jem, shenjë e ardhmërisë, me shikimet dashuri
Mes tokës arbërore, që jetën, ia matin me robëri
Duke e rënduar tokën me vdekje, që të shterohet fjala liri
Të mos mbeten gojët, të thonë, kjo është Shqipëri
Për katër pranvera, sytë më panë, më shumë se historia
Që shkronjat m’i mori, nga abetarja e shpresës, me egërsi
Të mos lulëzoj nga plisat, përsëri, me gjuhën liri. Arbëria
Kur shqip fola, këtu jam e do të jem, dem baba dem, flamurtar për atdhe
U turrën si gjithmonë, si çmenduritë e përdala, mbeturinat barbare
Ma morën jetën, bashkë me emrin, që vdekja të mos mbetet shenjë mbi dhe
Që kohës t’i dëshmoj, këto troje, janë tokat, e kullave shqiptare.
CA FYTYRA TË ZBEHTA…
Ca fytyra të zbehta, numëronin jetën, me ditët e mbetura
Si ca germa, që e shkruanin të ardhmen
Mbi lëkura të shtatëve, përjetësi, mes ca qelive të gjetura
Mbetur, nga burgjet, që e soditnin gjuhën e motit të përdalë
Kur pritej koka, tinëzisht, në emër të shpatës së drejtësisë
Mes mureve të kullave, pse dikush, i kishte thënë, disa fjalë
Për nderë të truallit, që lulëzonte pranverë, me lulet e lirisë
Edhe shtatoret, tej kufirit, filluan të lotonin, me lotët e shpresës
Për fytyrat e zbehta, që jeta u kishte mbetur, më pak se vdekja
Nga dita e lindjeve, të krismës së madhe, që u bekuan prej besës.




























Leave a Reply