Poezi nga Eliverta Kanina (Anelli)

 

11665382_1000207596677841_8472774705196769077_n

Poezi nga Eliverta Kanina ( Anelli)

 

 

PA VETVETEN

 

Jam një tërësi mungesash që frymoj

Edhe jeta vetë është mungesa e vdekjes

Mungesa në sende, njerëz, ndjesi

Mungesa që vallzojnë mes dashurisë dhe urrejtjes.

 

Mungesa që lehtësojnë, por që edhe dhëmbin

Mungesa që s’mungojnë, edhe kur ndihen

Të jem për gjithkënd një prezencë e këndshme dua

Mungesë le të bëhem për arsye që s’dihen.

 

Mungesat e përhershme më lodhin në heshtje

Më mësojnë si të jetoj edhe pa to

Si mundet një mungesë e vetvetes të jetë kaq prezente?

Më ulërin duke më përdorur siç di veç ajo…

 

 

 

ANTIBOTË

 

Në botën e mjellmave s’ka vend për  një korb

Që liqenin s’e njeh, as vozitjen  fisnike

Krakërima e tij veç kërma ndjell e sjell

Që lakminë ia kënaqin

Larg  dritës, në shpella ku rri strukur

Në kërkim të vemjeve që errësira ia servir

Zërin ia ngjir me ajrin e mykur

Zishëm kur botës i kumton

Duke ia errur edhe më pendët

Që më të zi e bëjnë të duket

Buzë një liqeni të kaltër

Para fisnikërisë së një mjellme…

 

 

 

BUZËMBRËMJE

 

Tirana erëmon kudo aromë bliresh

Sikur do të filtrojë frymëshkëmbimet e njerëzve

Deri në dehje…

Njerëzit në pamundësi për të ndalur kutërbimin e veseve të tyre

Të lindura e të mësuara nëpër kohëra

Pavarsisht se të lashtë a të vonë

Në faj ndihen, mbjellin luleblire

Vazhdojnë të kutërbojnë…

 

 

 

PËR ATA QË DINË TË DUAN SHUMË

 

Më përsërit sa unë askush s’të deshi

A thua nuk do të më duash më  kaq shumë

Dashuria jote më ka mbytur pa më lënë

Të të dua, ashtu siç di vetëm unë.

 

Si ty askush s’më deshi vërtet

Dhe s’ka për të më dashur asnjë tjetër

Se unë jam e shkarë por nuk shkas kaq kollaj

Ta lë të më shkojë ëndrra e vjetër.

 

Si unë, të tjerat që të vijnë pas

As ty s’do të të duan deri në vetmohim

Dhe nëpër vargje s’do të të thurin ojna e ledhe

Siç unë ta kam dëshmuar dashurinë.

 

Ndoshta si ne janë, ndoshta dhe ndryshe

Ata që dinë të duan shumë, dhe veç një herë

Jashtëtokësorë, të çmendur a demode janë dukur

Specialë prej dashurisë, si ne janë ndierë.

 

As dashuria jonë nuk është sezonale

Si veshjet ta ndërrojmë,sipas trendit

Ata që dinë të duan shumë në çdo kohë

Si në urban, në shpirt s’lëshojnë lehtë vendin.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s