Të flesh mes aromës së lirikave pranverore – Rreth lirikave të Veledin Korkutit / Nga : Agron Mema

Të flesh mes aromës së lirikave pranverore

 

Rreth lirikave të Veledin Korkutit

 

 

Agron mema

Nga : Agron Mema

 

Edhe në një vëllim poetik, një sy i stëritur lexuesi, kap profilin e profesionit të autorit. Kjo ndodh edhe me poezitë lirike të Veledin Korkutit sa përfundon leximin e tyre. Jo se Veledini jep leksione apo shkruan poezi për ekonominë. Por, pas dy botimeve të para në prozë, si një ekonomist i zoti i bën mirë llogaritë e tij në ambicjen e rrugëtimit krijues. Dua të them se e njeh mirë kapitalizmin dhe me ligjet ekonomike të tij ndërton kështjellën krijuese. Ai di se ajka e borgjezisë është aristokracia. Dhe arsitokracia e krijimtarisë letrare dhe artistike është poezia e cila ndërtohet mbi mendimet dhe figuracionin e fshehtë, metaforat. Dhe duke pasur një profil të tij artistik me botimet e para, mundohet që këtë profil ta përsosij dhe zgjedh më të vështirën dhe akoma më të vështirën e poezisë, lirikën dhe ka arritur ta realizojë. Jemi mësuar të themi”Hapi i parë e fluturimi i parë i guximshëm…”Jo, Veledini ka rrugëtimin e tij artistik dhe ecën i sigurt. I sigurt se i njeh mirë shtigjet, honet e greminat dhe nuk i shket këmba në këto rrapëllima që ai fshikullon bukur në disa nga satirat e tij. Veledini e thotë vet se është e vështirë poezia, po ai ka dashur të shkruaj.

 

 

13625154_1018656851583924_592227740_n

 

Pra ky vëllim është një ëndërr që ka ndenjur zgjuar dhe tani na vjen me zemër në duar. Shpirti i Veledinit derdhet nëpër lirika si një pus plotë imazhe e kujtime që nga fëmijëria. Vijnë stërkala të gëzuara ujvare. Lirikat e tij janë një ftesë për një udhëtim në botën e magjisë, në një udhëtim në një botë ku melodia dhe ritmi depërtojnë magjishëm në shpirt dhe pakuptuar të shpien para maleve, detit, fushave, luginave, njerzve të dashur të vendit tënd dhe thua se këto i kam parë edhe unë, por mjeshtëria e poetit këtu qëndron që përgatitjen e gjithë këtij udhëtimi ta kthejë në maratonë  të padukshme, por të prekshme deri në lëndim, një aftësi e poetit për të çuar qoftë edhe një dridhje zemre tek njerzit edhe nga ashpërsia e egër e malit, edhe nga ulërima e ujkonjës në dëborë duke kërkuar këlyshin e uritur, edhe, edhe nga gjithska ta kthejë në jetësore ndjesore. Këtë ka bërë edhe veledin Korkuti në lirikat e tij. Vargjet u ngjajnë tingujve të violinës, herë në vajtim të trishtueshëm e herë në përjetim të gëzueshëm e herë në kuje të dhimshme. Vargjet vozitin në liqenin e trazuar të zemrës, në liqenin lasgushian, futen mes fëshfërimës së lirishtës, mes forcës së lisnajës, mjaltizmit të nektarit të luleve, thumbimit të grenxës në lëkurën e sherbetosur nga pakujdesia. Vargjet udhëtare të veledinit eksplorojnë shpirtin e njeriut dhe kthehen në tingujformues, këngëtare dhe humor, se dhe humori këngë është se e kthen shpirtin në të qeshur dhe nuk ka melodi më të bukur. Sa hap librin ,lirika”Pemë në lulëzim”jep prologun e librit dhe mesazhin e autorit se krijimtaria ka vetëm lulëzim.

 

 

13608148_1018656848250591_15137064_n

 

Nëpër vargje lirike , poeti rend në vitet e rinisë, idilet e dashurisë bartur me dhimbjen se”jo të gjitha lulet lidhin fruta”. NËNA me tingujt e zemrës së sajë dhemshurie, dashurie, malli e mallëngjimi për kohën e sotme me plagët e sajë dhe me vetëdijen respektuese , poeti shpërthen”Tani jam i burrëruar/Po për ty ngela fëmijë” .Veledini nuk fotografon në poezi, ai këndon. Si bir i Kurveleshit dhe Golëmit lab , ai u këndon bukurive të natyrës së krahinës dhe fshatit, krenarisë dhe historisë, trishtimit të dhimshëm të braktisjes. I dhemb shpirti nga ky erozion social kur sheh se”…rrallë shtëpi tymojnë nga oxhakët…”. Figuracion i fuqishëm ku jepet edhe tradita labe se është zjarri që mba pragun hapur dhe tymi i oxhakut trarët në këmbë. Dhe poeti përlotet për këtë deri në klithmë e deri në britje që vijnë si tinguj këmbane të alarmit. Por si një mjeshtër i vargut, përsëri rrëshqet për mos ta lënë zemrën e tij dhe të lexuesit kredhur në këngën vajtuese të qyqes dhe i rikthehet dashurisë, zjarrit ngrohës të zemrës njerëzore, por i rikthehet me një figuracion të lartë e me një ngarkesë të fuqishme emocionale se shikimi i sajë”…tmerron natën e nxirrosur…”Po prap thotë se vitet e rinisë janë më të bukurat, të pakthyerat e të papërsëritshmet, por ngushëllohet se edhe të gjitha ti bësh në këtë jetë, përsëri i pakënaqur largohej nga jeta. Veledini e bie kohën të plotë e në këtë plotësi nuk mungon as mësuesi”…pavarsisht se është mision i vështirë të shkruash për të…” Ka qenë i kudeshëm të mos i mungojë asnjë, ndonse lirika, por me mjeshtëri janë në rreshtat e tyre, të prekshëm, të dukshëm, të gjallë, pavarsish anonimë, por janë me identitet. Lirikat ndjekin njëra-tjetrën dhe vet titujt janë një vallëzim figuracioni. Poeti zgjedh gjuhën e lotit. Ajo pikë e vogël flet shumë. Lot derdhet nga dhimbja, lotë nga gëzimi, lot nga trishtimi, lot nga malli, lotë nga dashuria. Loti është gjuha e shpirtit dhe poeti ka këtë gjuhë. Si bir Golëmi, nuk mungon satira dhe ironia, sepse ato janë përkundur në djepin e Golëmit dhe aty kanë truallin e tyre të lindjes. Dhe ai ironizon kohën e sotme mbuluar nga dembelizmi, shpërfytirimi, masakra urbane, gjithë kjo germisje që ka ndodhur në natyrë e shpirt, se poeti është qenie e ndjeshme nuk mund të rijë sehirxhi. Shpirti i tij qan dhe loti i poetit është cunam”Po si mund të rrishë rehat/Si shejtan ashtu në vrimë/ Kur 39 të tjerë/ Veç nga ty kërkojnë ndihmë?!”.Poeti në djepin e shpresës , tund ndjenjën dhe kthehet përsëri tek vizatimi lirik i fenomeneve të rralla natyrore si rënia e borës “që jo të gjithë kanë mundur ta provojnë”, perëndimi i diellit”kur përmbyset përmbi det e muzgu shtrin pushtetin gjithandej”. Veledini i jep këto perla lirike, mbështjellë me peizazhe të bukura natyrore të vendlindjes e vendbanimit dhe derdh mallin dhe emocionet ”mëngjezeve kënga e zogjve të më zgjojë/ Duke i marrë erë trëndafilit” dhe këtë e bën edhe për të ndenjur jo vetëm mes atyre bukurive jetdhënse, por edhe për të ndenjur larg kameleonëve të sotëm që parazitarë e sharlatë i qëndrojnë përballë shoqërisë ”…si maçoku në thekër…”Shikon tokën e mbejllë poeti e i ngjallen shpresat se vetëm plugimi me qilizmë dhe hedhja e farës së re do kthejë begatinë,dhe poeti lë dhe amanetet. Dhe kthehet përsëri në nostalgjinë e viteve mes trazirave të leshverdhave, por atyre leshverdhave që dashurojnë njerëzisht dhe e shenjtërojnë këtë ndjenjë e jo ta përdhosin e përbaltin. Ato leshverdha që flokët e shpërndara në erë trëndafilojnë ajrin, bëjnë lulet të turpërohen e gjethet të rëzohen, lisat shekullorë të rënkohen. Nostalgjik për kohën që lëmë pas por edhe meditues për ata burra të rrallë si maja malesh, ata burra që jetuan në atë kohë kur gjyshi”qante si grua edhe me dritën e syrit të ikur, po lot pa tharë”.Dhe përsëri del nga kjo gjendje shpirtërore, duke na kujtuar kuvendet në oda ku herë herë duhej mençurua për të dalë nga situata. Veledini i kthehet humorit. Këtë rradhë politika. Shkaktarja e këtyre fenomeneve sociale , kur njeriut vetëm shpirti i ka ngelur. Po prap tek lirika e kritika”duke humbur mendjen nëpër ëndërr e nuk kupton pse ecim duke fjetur. Lufton me të keqen deri në papajtueshmëri. Dhe këngën e nënës e kthen përsëri se nuk ka si të ndodhë ndryshe. Imazhi i sajë të ndjek nëpër jetë me bukurinë, dhemshurinë, dashurinë e merakun që vetëm një zemër nëne e ka dhe askush nuk e përkthen dot dhe prehëri i sajë është më i ngrohtë. Lirika që përkëdhelen me tijgujt e fyellit që bien në largësi. Bien në largësi…Një shqetsim real i poetit. Kjo buqetë lirikash, përmes fjalës së zgjedhur e të krehur, pa makiazh, klishe e steriotipe, me metrikë të vargut të rregullt herë- herë mbështetur edhe në atë popullor si element shumë i pranueshëm për lirikën, sjell një kohë të djeshme e të sotme me merak të nesërm, kodifikuar me leksikun e lirikës, gjuhën e shpirtit, ndjenjës.Veledini ka mundur t’ia dalë këtij misioni fisnik në shërbim të lëmimit të gërryerjeve të zemrave e shpirtrave njerëzor. Që të kenë pakëz këngë, por edhe të mos harrojnë se loti i trishtimit është i hidhur e nuk i largohet kollaj syrit. Ke në duar lirikat dhe leximi të përfshin si rrjedhat e lumenjve të vërshuar luginave dhe pllajeve të lulëzuara pranverore. Dehesh nga aroma e trëndelinës, blirit, manushaqe e këngës së zogjeve. Një simfoni e natyrës që Veledini na e sjell me nikoqirllëk e me këngë në buzë, vjen me zemër në dorë me shpresën e ëndrrës që rri zgjuar.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s