KOLOSËT E MIJËVJEÇARËVE – SKËNDERBEU DHE ARMINIUS (I GERMANIA)! / Vështrim nga: S Guraziu – Ars Poetica

KOLOSËT E MIJËVJEÇARËVE – SKËNDERBEU DHE ARMINIUS (I GERMANIA)!

 

 

Vështrim nga: S Guraziu – Ars Poetica

 

(…që të dy u moren peng, që të dy u internuan diku larg, që të dy u shkolluan dhe u bënë oficerë të dalluar, që të dy i dëshmuan aftësitë e tyre në rolet pararendëse (testuese), që të dy morën pjesë nëpër kampanja të luftës diku “larg” në tokat e Ballkanit, që të dy e “tradhtuan” armikun (sulltanin a perandorin), që të dy u kthyen në gjirin e popujve të vet, që të dy e fituan respektin e prijatarëve të fiseve e të princave, që të dy u mishëruan për organizimin dhe për bashkimin e fiseve-principatave, që të dy ia dolën dhe u fuqizuan “ligash”, aleancash e marrëveshjesh, që të dy u dalluan për udhëheqje, për vizion e për vendime strategjike, që të dy u vunë në ballë të rezistencës, që të dy u tradhtuan nga radhët e veta, që të dy luftuan dhe korren fitore në beteja vendimtare, që të dy këta kolosë epikë sikur i vunë gurët e parë, jo figurativisht por me plotkuptimin e fjalës, në themelet e identiteve kombëtare…)

 

***

 

Ne “johistorianët” që zbresim ndonjëherë poshtë nëpër podrumet plot pluhur të historisë, shpesh gjejmë gjëra që na bëjnë përshtypje, gjëra impresive, interesante, të cilat na “intrigojnë”. S’është për t’u “çuditur” aspak, edhe ne “johistorianët” shpesh i kemi arsyet tona, edhe neve na intereson historia nganjëherë. Njëjtë siç gjejnë lloj-lloj impresionesh dhe vetë studiusit e historianët e vërtetë. Përndryshe dhe ata do mërziteshin, nëse historia t’mos kishte aty-këtu gjërash “interesante” padyshim do ishte tepër e mërzitshme, aq monotone… sa s’do ia vlente as mundi i leximit.

Për fat të mirë historia na i “zbulon” e servir mjaft gjërash që ia vlen dhe hooop na ngjallet kureshtja.

Pa pretenduar asgjë, (më tepër si frymëzim) ka me vite që kam dashur t’i them dy-tri fjalë, në formën e një paralelizimi të shkurtër për heroin tonë kombëtar, për Skënderbeun dhe për Arminius, heroin e dikurshëm gjerman, çliruesin e “Germania” dhe rezistuesin e shquar të perandorisë më të fuqishme të kohës, asaj Romake. Mirëpo, hëpërhë – thosha, dhe pastaj sikur s’më bëhej puna, e sikur gjërat më shkisnin në harresë.

 

Edhe pse tani, si johistorian, do flas fare në “vija të trasha”, natyrisht s’ka çfarë gabohet këtu, por nëse eventualisht t’më përvidhet ndonjë gabimth… sado cikërrimtar, thjesht le t’më korrigjojnë historianët : )

 

***

 

Në rastin e Arminius fjala është për intervalin historik andej-e-këndej pragut të “erës sonë” (realisht nuk është se qe “këputur” ndonjëherë linja e kohës, përveç se me “gjuhën” e numrave në kokën tonë), pra për t’u orientuar sadopak – rreth 2 dekada përpara, dhe menjëherë 2-3 dekada pas asaj “0” – zeros imagjinative. Ndërsa “koha” e Skënderbeut, siç e dimë do vinte rreth 14 a 15 shekuj më vonë.

Anise ka një “boshllëk” gjigant kohor, ose largësi prej aq shumë shekujsh mes tyre, është mjaft interesant fati “identik” i këtyre dy kolosëve dhe strategëve të pashoq të luftës. U dalluan si shembuj nga më të lavdishmit e historisë, në qiellin e historisë shndritën si yje të rezistencës së pakompromis dhe të luftës për lirinë e popujve të tyre. Në rrethana fare të ndryshme historike por që të dy u moren peng, që të dy u internuan diku larg, që të dy u shkolluan dhe u bënë oficerë të dalluar, që të dy i dëshmuan aftësitë e tyre në rolet pararendëse (testuese), që të dy morën pjesë nëpër kampanja të luftës diku “larg” në tokat e Ballkanit, që të dy e “tradhtuan” armikun (sulltanin a perandorin), që të dy u kthyen në gjirin e popujve të vet, që të dy e fituan respektin e prijatarëve të fiseve e të princave, që të dy u mishëruan për organizimin dhe për bashkimin e fiseve-principatave, që të dy ia dolën dhe u fuqizuan “ligash”, aleancash e marrëveshjesh, që të dy u dalluan për udhëheqje, për vizion e për vendime strategjike, që të dy u vunë në ballë të rezistencës, që të dy u tradhtuan nga radhët e veta, që të dy luftuan dhe korren fitore në beteja vendimtare, që të dy këta kolosë epikë sikur i vunë gurët e parë, jo figurativisht por me plotkuptimin e fjalës, në themelet e identiteve kombëtare… etj.

Skënderbeu u nda nga familja që në fëmijëri, ose tepër i ri, të tilla pengmarrjesh ishin si kushte të vazalitetit, imponuar nga perandoria e fuqishme e asaj kohe. Të njëjtin fat e pati “përjetuar” dhe Arminius, shumë shekuj më përpara fatkeqësisë skenderbegiane. Njëjtë sikur dhe Gjergji i ngratë, Arminius ishte fëmijë kur qe dorëzuar nga babai i vet në duart e oficerëve ose zyrtarëve romakë, për t’u nisur në rrugën e gjatë të mallit e të pikëllimit, drejt “qendrës së botës”, drejt Romës së largët.

Edhe Skënderbeu edhe Arminius ishin me prejardhje “fisnike”. Në kohën e Arminius fjala është për rreth pesëdhjetë fise “barbare” germanike, në krahasim me qytetërimin romak historianët sikur lirisht shprehen të “jocivilizuara”, pa kështjellash e pa ndonjë organizim të mirëfilltë komunitetesh në qytete. Bërthamat urbane të fisit Kerusk, nga ku vinte Arminius, por dhe të fiseve të tjera, ishin thjesht ca kasollesh. Jeta e fiseve germanike atëbotë ishte primitive, krahasuar me qytetërimin e perandorisë romake, por fiset e administronin jetën dhe aktivitetet kolektive me kodet e traditat e tyre. Babai i tij ishte kreu i fisit, një dikush që printe dhe që gëzonte respektin nga të gjithë.

Sa i përket pengmarrjeve, Perandoria Romake operonte me të njëjtat motive, sikur dhe ajo e mëvonshmja, Perandoria Osmane. Aq shumë shekuj përpara se të “aktualizohej” historia otomane, ajo e Romës i mblidhte të rinjtë nëpër provincat e paskajshme perandorake sipas logjikës me dy “arsye” bazike. E para – sigurohej “lojaliteti” i babait, qoftë ndonjë baba ordiner, qoftë princ a fisnik. Dhe e dyta – duke i rritur, edukuar e stërvitur për aq gjatë, ishte supozuar që trimat e rinj të asimiloheshin në “romakë” të vërtetë. Ata mund të kishin prejardhje “tjetër” por ata do t’mendonin, flisnin e vepronin me “gjuhën e re”. Zemra e tyre thjesht do adaptohej me identitetin e ri fizik dhe psikologjik.

Dhe pothuaj gjithmonë, në të shumtën e rasteve nuk ndodhte ndryshe, por pikërisht sipas “logjikës” së Romës. Me shekuj Roma i pati trajnuar e konvertuar në “romakë” panumër çunash, mbledhur nga të gjitha skajet e perandorisë. Perandori, e cila në kohën e Arminius sikur nuk i dihej fundi a kufiri, ishte thjesht një entitet gjeografik i paskajshëm.

Pra “logjika” e thjeshtë romake, në thelb s’kishte asgjë më “ndryshe” nga ajo Osmane, pas aq shumë kohësh mbrapa, më gjatë se një milenium a mijëvjeçar më vonë.

 

GERMANIA – TERRA INCOGNITA

 

Për Arminius (në gjermanishten e sotme, Herman) historia thotë se lindi në vitin 18 ose 17 p.e.s. U mor peng nga romakët, si djalë i kreut të fisit Kerusk, me emrin Segimerus (gjerm. Segimer) dhe u trajnua për t’u bërë një komandant në radhët e ushtrisë romake. Rininë e kaloi në Romë, ku dhe e mori edukimin ushtarak si dhe qytetarinë romake. Sikur dhe Gjergj Kastrioti që u bë një “beg” (paçka se nuk i duhej, ai ishte mjaftueshëm fisnik), edhe Arminius më vonë e gëzoi statusin e “kalorësit”, ose statusin kalorsiak (në kohën e Romës, ishte një rang fisnik më i ulët).

Rang më i ulët i fisnikërisë sipas termave të Romës, por për 25-vjeçarin Arminius ishte i mjaftueshëm që në vitin 9 t.e.s. ta përpilonte dhe t’ia sillte Gjeneralit Varus një raport të rrejshëm për rebelime dhe kryengritje në veri të “Germania”. Ai e bindi atë për të devijuar me tre legjionet nën komandën e tij, dhe për ta shtypur kryengritjen. Gjenerali dhe trupat e tij marshuan drejt e në kurthin e Arminius, të cilin ai e kishte organizuar duke i bërë së bashku fisin Kerusk dhe të paktën pesë fise tjera germanike. Ata sulmuan furishëm dhe e asgjësuan tërë ushtrinë e tij, e cila përbëhej nga tre legjione dhe nga shtesa prej batalionesh kalorsiake e të tjera trupa ndihmëse, arrinte mbi 20.000 ushtarë. Beteja dhe tragjedia e ushtrisë romake është e njohur si “Beteja e Pyjeve Teutburg”.

Kur humbja veç ishte e sigurtë, Gjenerali Varus pati kryer vetëvrasje duke u vetëngulur, ose duke rënë mbi shpatën e tij.

Suksesi i Arminius (ishte vetëm 25 vjeç), nga aspekti ushtarak-historik sikur u ngjanë sukseseve të Aleksandrit të Madh. Asgjësimi ose shkatërrimi i tre legjioneve të tëra, si ushtri profesionale me oficerë e me armatimet më të avancuara të kohës, ishte mrekullia vetë.

Nga ana tjetër ishte njëra nga humbjet më të mëdha dhe më të turpshme që Roma ka pësuar ndonjëherë në historinë e saj. Fitorja e Arminius sikur e përcaktoi kulmin e fuqisë së rezistencës germanike për shekuj me radhë. Përpjekjet romake për t’i ripushtuar tokat e Germania dështuan përgjithmonë, edhe pse romakët arritën ta thyejnë aleancën e sjellur në jetë dikur nga Arminiusi.

 

Bazuar në kronikat e Tacitus, ndërmjet viteve 14 e 16 t.e.s. Roma paska ndërmarrë disa herë operacione ushtarake, nën komandën e Germanicus (nipi i perandorit Tiberius) ushtria romake e paska mundur dy herë strategun Arminius.

Aleanca e fiseve të Germania qenka luhatur. Arminius qenka përballur me kundërshti nga udhëheqës në radhët e vetë fisit Kerusk, por dhe të udhëheqësve të tjerë të fiseve germanike pro-romake.

Po ashtu, nga burime të tjera thuhet se në v. 15 gruaja e Arminius qenka rrëmbyer nga romakët dhe qenka mbajtur peng nga Germanicus. Pra kohë të rënda për Arminius, presion i madh psikologjik, qëkur ai dhe vetë e pati rrëmbyer të dashurën e vet, bukuroshen Thusnelda, pasi babai i saj, princi Segestes paska menduar që vajza e tij të martohej me dike tjetër. Ashtu si e robëruar nga romakët Thusnelda e pati lindur dhe djalin e tyre të vetëm…

Mirëpo në vitin 19, komandanti romak Germanicus paska vdekur në rrethana të paqarta, sipas kronistit Tacitus shumë paskan besuar që ai të jetë helmuar nga kundërshtarët e tij. Tacitus vazhdon se vetëm 2 vite pas vdekjes së komandantit romak, në v. 21 qenka vrarë dhe vetë Arminius. Ky qenka vrarë nga rivalët brenda fisit të vet, të cilët mendonin se ai “po bëhej tepër i fuqishëm”.

Historianët modernë humbjen e Gjeneralit Varius e konsiderojnë si “humbja më e madhe që Roma ka pësuar ndonjëherë në historinë e saj”, dhe “Beteja e Teutburg” konsiderohet si një nga betejat më vendimtare në histori.

Fitorja Arminius kundër legjioneve romake pati një efekt shumë të gjerë në historinë e mëvonshme. Romakët sikur qenë “pajtuar” se Germania dhe pyjet e saj të paskajshme ishin thjesht “terra incognita”, sikur matanë lumit Rajnë s’ia vlente të bëhet asnjë përpjekje për ta pushtuar dhe për ta mbajtur në kontroll… atë që njhej si “Germania”.

Mirëpo historianët po ashtu sugjerojnë se Arminius nuk ishte arsyeja e vetme për ndryshimin e kursit politik të Romës (për lënien “rehat” të Germania). Politika gjithashtu ka luajtur rol ose ishte një faktor i rëndësishëm; perandorët romakë jo aq shpesh mund t’ia besonin një ushtri aq të madhe një rivali të mundshëm politik…

Tacitus në (Annales II, 88) shkruan – “Arminius, padyshim çlirimtari i Germania, i cili e sfidoi Romen, jo në fillimet e fuqisë së saj, si mbretërit e udhëheqësit e tjerë, por në kulmin e fuqisë perandorake…”.

 

(Bashkëngjitur: Germania, si personifikim i unitetit të kombit gjerman – mini-galeria “Arminius, Thusnelda e pafat dhe Germania”, disa piktura si alegori artistike – Përgatiti: S. Guraziu)

 

 

13620023_797740607028945_4049454757087938753_n

  1. Philipp Veit (1793-1877) – Germania, 1834-36

 

 

13659155_797740673695605_6995176310670503292_n

  1. Philipp Veit (1793-1877) – Germania, 1848 (Version)

 

 

13626463_797740547028951_8252151098632515194_n

  1. Hermann Wislicenus – Germania auf der Wacht am Rhein, 1873

 

 

13626513_797740613695611_3206744526516441633_n

  1. Friedrich August von Kaulbach (1850-1920) – Germania, 1914

 

13567258_797740660362273_1515816407076324984_n

  1. Johann Friedrich Overbeck (1789-1869) – Italia und Germania, 1811-28

 

 

13615069_797740703695602_4157034446758391881_n

  1. Karl von Piloty (1826-1886) – Thusnelda in the Triumphal Procession of Germanicus, 1873

 

 

13612108_797740743695598_8345588938861144759_n

  1. Johannes Gehrts (1855-1921) – Arminius i thotë lamtumirën Thusnelda-së, 1884

 

 

13620819_797740570362282_2490201852765560505_n

  1. Nicolas Poussin (1594-1665) – Vdekja e Germanicus, 1627

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s