Hysen Grajçevci: SHPRESË E PËRLOTUR / Nga: Xheladin A. Çitaku

Hysen  Grajçevci:  SHPRESË E PËRLOTUR

 

 

Xheladin -2

Nga: Xheladin A. Çitaku

 

Poetika shqiptare përmbush areolën e saj me prurje të reja, të cilat freskojnë herë pas here horizontet e pasionit të lexuesit dhe i ofrojnë publikut skema të ndryshme të ndërtimit të poezisë. Një nga këto është përmbledhja me poezi e Hysen Grajçevcit që vjen si risi strukturore, kuptimore e intonuese dhe sjell materie shumëngjyrëshe në kuptimin motivues e shpërfaqës, sjell dimensionimin e frymëzimit në përshkrim realiteti në formësim ndjenje a në sajim imagjinativ, duke ndërtuar, kështu, një vëllim përmasash të mirëfillta letrare. Peisazhi poetik i Hysenit shtrihet në një mozaik temash e idesh dhe vizaton rrjedhën e jetës, botën lëndore dhe atë shpirtërore. Kështu, përkushtimi shprehet dhe intonohet në gjatësi kuptimore variete, si vargëzim i ndjeshmërisë dhe përjetimit, pasqyrimit dhe ambicies; thënë ndryshe, dizanjimi i shumësisë së elementeve, sajon, pastaj, identitetin krijues të autorit, në një vetë të veçantë. Si të tilla, këto elemente janë shquese dhe paraqesin potencialin krijues, aftësinë dhe shkathtësinë e kultivimit ndjesor që reflektohet përmes karakterit emocional e të figurëzuar.

 

Hysen Grajqevci

Hysen  Grajçevci

 

Poezia si lëndë eksplicite e shpirtit gjakon të ndryshueshmen, atë që dallon nga e zakonshmja, shëndërrimin e realitetit faktik në një përvijim të sajuar të dominancës artistike, në një sendërtim estetik të kontekstit jetësor, në një mesazh etik të nënkuptimit. Në këtë vijë hapëron poezia e Hysen Grajçevcit, këtë përmbajtje ka bagazhi i tij poetik, i cili bartet te publiku  i stilizuar, i strukturuar, i nivelizuar dhe i sinkronizuar, njëkohësisht. Relievimi i ravijëzimit motivor vijon në nivelet e përcaktuara nga autori, duke kapur kuota të ndryshme të dimensionit refleksiv, për t`i akomoduar rafinimet shpirtërore që formësohen në varg; për t`i strukturuar ato në shtjellën e një individualiteti të specifikuar në mënyrën e ligjërimit dhe në relacionet ndërlidhëse të kuptimësisë së përgjithshme. Këtu gërshetohen linjat e pasqyrimit, ngjyrat e profilizimit kuptimor të realitetit, në tablonë e poetikës si gjerësi e thellësi infrastrukturale e përqëndrimit të frymëzimit:

 

“Në rrathët e mjerimit sillet

Egoja

Uni mbjell trishtimin

Në vorbullën satanike të xhelozisë…”

 

Refleksiviteti rrjedh në zbrazjen lirike, në shtegun e vargut të lirë, nën ritmin e fjalës së kultivuar, që tingëllon harmonishëm me tendencën e të shpërfaqurit të cimbisjeve shpirtërore si derivate inspirimesh të cytura:

 

“A s`më thua moj muza ime

Pranë kësaj gote në tavolinë

Çfarë t`i dhuroj poezisë sonte

Përveç fjalës dhe dollinë…”

 

Refleksione të tilla konfigurohen edhe në përthurje kohësie, të diferencuara përmbajtësisht, të kronologjizuara, sot – dje:

 

“sot,

Lexoj fjalën e shkruar

Mendimin e rrahu

Të hedhur në letër…

 

 

 

Dje,

Në hallka zingjirësh

Farkonim të ardhmen

Kur lidhnim fjalën nyjë

E të sotmen shpresë…”

 

– Realisht, Hyseni arrin   të zbërthejë kompleksitetin e ndërtimit të realitetit jetësor, ta përpjestojë atë në transponime realitetesh artistike të karakterit të figurëzuar, të stilizuar, të estetizuar, në kontekstin e konsumimit të mjeteve poetike.

Motivimet e tabanit të identitetit e përkatësisë dalluese, që rrëfehen të aspektuara në disa përfaqësime, bashkëudhëtojnë në këtë përmbledhje me shpërfaqjet e butësisë lirike, me vijën melodike të lirizmit, përmes këngëzimit ritmik që del nga akumulimet ndjenjore të brendësisë njerëzore:

 

“Duke vështruar plisin e bab`lokut në kokë

Se ç`ndjeva në krahëror një të rrahur fort

Nga maja e kreshtës shqiponja në fluturim

Përshëndeti plisin dhe bab`lokun tim…”

 

 

“Largo vellin natë, syrin e dritës ta shoh

Është mirësi e fjalës zemrën që më ngroh…”

 

Shprehur figurativisht, rrjedha e vargënimit të poetit kalon nëpër të njëjtën trase, por me dy korsi; ndërtohet mbi bazamentin e kapacitetit solid të mjeshtërisë së krijimit dhe ndërthurjes së shprehshmërive të adoptuara tek veçantitë, të cilat përfaqësojnë, po ashtu, të njëjtin stil nga i njëjti opus krijues, por i degëzuar në këto dy linja.

 

13606802_1212126135472680_507982137294388341_n

Shpresë e përlotur

 

– Vëzhgimi i vëmendshëm në poezinë e Hyseni e pahëzon shumëdimensionalitetin e imazhit poetik të veprës së tij, ngultësinë e vijës së drejtëpërdrejtë dhe siluetën e profilizuar të portretit poetik të një bote sa të rregullt, po aq  shpërthyese, sa të integruar, po aq origjinale. Koloriteti në strukturën kompozicionale (veç tjerash) e ilustron këtë konstatim. Këtu shohim dinamikën e rrugëtimit të ideotematikës, duke përshkuar dukuri e ndjesi, relata emotive ndaj tyre, efektizim përmes gjuhës poetike, përmes metaforizimit të qëndrimit të autorit ndaj hapësirës në zhvillim.

Rrugëtimi nëpër thellësinë e mendimit shpreh fuqinë e poezisë në dedikimet e piketuara si, dashuria, përkushtimi, përjetimi emocional (gëzim a hidhërim), ambicia për të kapur nivele ndijimi të aspiruara. Jo vetëm kjo. Udhëtimi në këto shtigje ndal shikimin edhe në thelbin e kohës, të sotmes dhe të kaluarës, duke identifikuar secilën me simbolikën adapte:

 

“Më thuaj Zanë

Për ata burrat e motit

Që rrinin sipas moshës ulur me radhë…

 

…Për qëndresën e Ademit, trimat e Kumanovës

Për guximin e varrin e Ukshinit.

Eh Zanë, sa shumë ke për të thënë.”

 

 

Në histori e legjendë depërton perceptimi i poetikës dhe servohet përmes terminologjisë përfaqësuese, e cila bart rëndesën e prezentimit të këtij aspekti, si në kuptimin e drejtpërdrejtë edhe në atë figurativ. Për këtë kontekst dëshmojnë tituj e veçantë nën të cilët vargëzohet editimi i përshkrimit poetik të momenteve të caktuara mbresëlënëse në kohë e hapësirë:

 

“Tërë natën

Mas këndet e piramidës

Të vrarët e Aresit

Në rrathët e Dantes…”

 

 

 

“Vdiqe për të mbetur testament lirie

Emblemë lindjeje në përjetësi

Mbi tëndin emër përkulen kohët

Në këtë rrasë guri lexohen histori…”

 

Teknika e të shkruarit i përgjigjet kërkesës temore që shtjellohet, subjektivimit të idesë që përshkon përgjithshmërinë e përmbledhjes poetike dhe konkretizimin e saj. Konformiteti i tekstit me kontekstin bie në sy mëse njëherë; gjatësia e vargut, strofëzimi, ritmi dhe rima, me një fjalë elementet e metrikës dhe intonacionit faktorizohen sipas kërkesave të përmbajtjes dhe çdoherë që kjo i nevoitet skulpturizimit të ndonjërit nga subjekteve poetike. Hyseni e ndërton këtë përshtatshmëri fare natyrshëm, në parametrat e duhur. Kështu, brenda së njëjtës tërësi zënë vend vargje me gjatësi të ndryshme (numër të ndryshëm rrokjesh):

 

“Ju shqipe të trollit tim arbëror

Shpalosnie arkivin e këtyre shkrepave që mbani në gji…”

Pastaj strofa e ndryshme; katërvargëshi (katrena tradicionale), trevargëshi, tërsinë poetike të pandarë (lloje të ndryshme të vargut), të bashkërenduara me njësitë tjera të metrikës, ritmi që krijon efekte kuptimore dhe emocionale; rima, llojet e ndryshme të saj, e kryqëzuar, e alternuar:

“Një lot shpesh se ç`më tradhëton

Vjen e rrjedh prej zemrës valë

Si ta shtrydh këtë emocion

Pa shkruar shkronjë e pa thënë fjalë…”

 

Interari i përmbledhjes poetike të Hysen Grajçevcit kap një diapazon të gjërë tematik, të cilat mund të zbërthehen dhe analizohen në tërë gjerësinë dhe thellësinë e tyre, duke shpërfaqur arsenalin përmbajtësor, formatet, figuracionin, veçoritë e përgjithshme të poetizimit, specifikat e un-it krijues dhe origjinalitetin e individualitetit. Grafika tematike varion në rrafshin e ideores dhe u jep formë, u jep jetë dhe energji nga burimi shpirtëror-emocional dhe imagjinativ i autorit, konturon universin poetik të tij, brenda të cilit vlon fjala e përpunuar, shprehja e pëzgjedhur që bart peshën e transmisionit të idesë në opinionin e lexuesit. Përtëritja e lëndës përbën interesimin për t`i përvijuar konkretisht shtytjet e ngacmimet e shpirtit të poetit, reflektimet e realitetit, kompozimin e reagimeve përmes fushës së artit letrar, përmes formës së organizuar të artit poetik.

 

Në përkufizimet e kategorizuara, shprehet autentiteti ligjërimor, personalizohet impulsimi karakteristik i veçantë i përjetimit. Më eksplorimet e tij Hysen Graiçevci përmbush kërkesat e vëmendjes, plotëson detyrimin ndaj talentit të tij dhe parashtron aspiratën.

Kjo lloj përmbledhje poetike i përgjigjet interesimit të parametrave të krijimtarisë së këtij zhanri. Si e tillë i ofrohet opinionit për absorbim, por edhe për vlerësim dhe nivelim në përshkallëzimin e vlerave që shënojnë aktualitetin krijues në letrat shqipe…

 

Rrugëtim të mbarë artit tëndë Hysen Grajçevci.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s