Recension për librin ” Ti, Qindvjetësh” i poetes Vjollca Ajasllari – Koni / Nga Hysen Grajçevci

 

 Recension për librin ”  Ti, Qindvjetësh” i poetes Vjollca Ajasllari – Koni .

 

 

Hysen Grajqevci

Nga Hysen Grajçevci

 

 

“POEZIA nuk është mendim i vënë në vargje, por është ndjenjë e derdhur në varg” ( Lasgush Poradeci )

 

E filloj këtë reçension të këtij botimi me këtë thënie, sepse poetja VJOLLCA AJASLLARI-KONI, ka si moto idetë e shprehura nga liriku i madh Lasgush Poradeci dhe me të njëjtin patos , deri në fund, i përkushtohet qëllimit të vënë para vetes për derdhjen e talentit të saj në varg.

Pas dy vëllimeve të botuara në 2013 “ Bio” dhe në 2014 “Poseidon ky mall im”, tani kemi në dorë vëllimin e tretë poetik, botim ky që përfshin gjithësej 100 poezi, në të cilat derdhet nektari i fjalëve art për të sjellur ato imazhe dhe ngjyrime jetësore, të cilat ndjesojnë muzë dhe frymë krijuese. .

Poezia e Vjollces është poezi organike, e cila në vetvete përmban brumin natyral, të thjeshtën, të bukurën, burimoren, nga ku u lind, u zhvillua dhe u rrit së bashku me artin e saj.

Në këtë lloj poezie nocioni filozofik është forma e mendimit, ku pasqyrohen tiparet më thelbësore të dukurive dhe të realitetit objektiv. Por, nuk mungon as nocioni logjik-letrar i të bukurës i derdhur në varg, për të fuqizuar strukturën e shtrirjes së poezisë karshi rrafshit poetik të kërkuar. Këtu kemi të bëjmë me kapjen e temave brenda të cilave zhvillohet metafora dhe fjalori figurativ me shumëllojshmërinë e ngjyrimit poetik e letrar. Fuqia e fjalës në të gjitha poezitë e botuara në këtë vëllim është ideimi i zhvilluar në ecje, e cila vjen si një vrullim vullkanik për t’ iu kushtuar  vargut.

Autorja e këtij vëllimi  vazhdon rrugëtimin e saj me përzgjedhje fjalësh dhe  muzikalitet të tyre, dhe e gjithë kjo teknikë në opus të mishërimit dhe  shprehjes së elementëve ESTETKO-LETRAR.

Qenësinë dhe veçantinë e fjalës poetike, përkatësisht estetikën e fjalës e shohim  para së gjithash në karakterin dhe aktin receptiv, si  dhe në ndërlidhjen e sinqeritetit me të vërteten estetike.

 

 

Vjollca Koni 1

Vjollca Ajasllari-Koni

 

Vjollca Ajasllari-Koni pati fatin e mirë, dhuratë nga natyra, të thithë  të njëjtin ajër, të marrë ngrohtësinë e të njëjtave rreze dielli, të pijë ujë nga të njëjtat burime, ku u ushqye dhe shoi etjen poeti rrebel  Xhevahir Spahiu, i cili me punën dhe magjinë e artit të tij ka lënë gjurmë të ndritshme në letërsinë shqiptare. E frymëzuar, por dhe e ndikuar nga ky korife i poezisë shqiptare, autorja përpiqet që këtë shëmbëlltyrë ta ketë model udhëheqës në të gjitha aspektet e saj krujuese dhe kulturore.  Gjatë punës në veprimtarinë e saj letrare i kthehet herë pas here penës së tij, figurës së tij, portretit të tij. Në poezinë “Një poezi për Ty”, shprehet:

“Ti duhet të më mbash mend –Poet,
Jemi  nga i njëjti brum, nga i njejti  vend,
Heshtjen natës ia thyej me gërvishje lapsi, zgjuar rri,
Duke vijëzuar siluetën tënde në poezi.”

Dhe vazhdon me krahasimet figurative –letrare- poetike, që në letërsi njihen si figura stilistikore, (simbolika letrare). Figurimet e tilla janë veçori, të cilat shërbejnë për të ndriçuar më mirë  anën e shprehur dhe  për t’i dhënë gjallëri e ndriçim anës figurative.

“Deri sa ti je maja e Tomorrit,
Ku madhështinë mbanë kurorë,
Dua të jem shtizë flamuri
Mbi bedena kalashë, me pishtar në dorë.”

Apo, te poezia  “ Një varg për Ty-Poet

E prekur thellë  për sëmundjen e  poetit, dhe, sikurse thotë dhe vetë, ”Poetin  e ëndrrave të saj”, në një moment nostalgjie shpreh dhimbjen  dhe  shkruan:

“I trisht më vjen vargu kur shkruaj për Ty!

Më djeg loti, dhimbje kam n’zemër,

Nga Tomorri një  shkëndijë,

Vjen e ndalet mbi tëndin emër!”

Tek të gjitha poezitë, posaçërisht studjuesi, por edhe lexuesi i rregullt, vëren lirizmin e vargjeve, të cilat bartin me vete ndjesinë e lartë estetike dhe grishtësinë për ta lexuar vëllimin me një frymë. E lindur dhe e rritur  në një mjedis magjepës,  di të marrë dhe përafrojë tablotë e saj, për t’ i  sjellë  më pas të gdhendura e kristalizuara, si imazhe të pikturuara e me ngjyrimet e natyralizuara të gjithë stinëve.

 

 

13599977_1212120598806567_2867071081191644551_n

Ti, Qindvjetësh

 

Ndjesia e  dashurisë për të bukurën, emocioni shpërthyes poetik dhe nostalgjia për vendin e shndërrojnë në puhizë të lehtë për  të kapërcuer detet e malet, e shndërrojnë në kanarinë,  ku nuk lë degë ulliri e bliri, nuk lë degë pishe e shteg ograje, nuk lë burim kroi e lule kopshti pa i dhuruar fjalën e ëmbël, ngrohtësinë e freskinë e vargut. Fati i hidhur i emigracionit, që jo rrallëherë ka goditur popullin tonë, sigurisht preku edhe autoren, e cila në kërkim të një jete më të mirë dhe shprese të re u detyrua të largohej fizikisht nga atdheu, por kurrësesi mendërisht e shpirtërisht. Në sikron të plotë të dhembshurisë dhe dashurisë për atdheun vjen poezia “AROMË SHQIPËRIE”, e cila i mundëson  shpërfaqjen e ndjenjës dhe mallit, si emocion i vaçantë, që detraton frymëmarrjen ngashëruese deri në mallëngjim.

“Jam një copë jetë Shqipërie,                                                                                                                                                                 Rrënjët kam lënë atje…  “                 

Vargjet e poetes kaherë kanë bashkuar kufijtë natyralë të Shqipërisë. Duke jetuar jashtë atdheut, e duke qenë e pranishme në orët dhe aktivitet letrare të organizuara nga komuniteti shqiptar në mërgatë, autorja me fjalën e saj artistike është bërë pjesë e pandashme e tyre dhe për më tepër ka depërtuar kudo ku jetojnë e veprojnë ata, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të zi, Çamëri e mbarë diasporën.

Me buzën shkrumb, syrin e pikëlluar nga loti dhe zemrën djegur nga malli, poetja  nuk resht, por si identifikim i vetvetes dhe kombit që përfaqëson ajo shpreh atë traditë të shkëlqyer që e ka mëkuar dhe e bën të ndihet përjetë krenare.

Humbja e babait në moshë të parakohshme përjetohet me dhimbje të thellë, por e bindur në misionin që e karakterizon ajo ngrihet si në mitizëm dhe bën paralelizmin e  tokës së prehjes atërore me tokën që është shenjtëruar dhe shndërruar në të vetmen prehje dhe paqe të amshuar për bijtë dhe brezat që kalojnë.

 

“Betohem me fjalën time në sy,

Se frymën e fundit tek Ti do e lë.

Atje kam shpirtin, atje gjej qetësinë,

Atje ku për herë të parë qava….”

 

Janë këto vargje dhimbjeje e malli të ndjenjës së brendshme shpirtërore, apo një rrëfim me fillim të pafund?!

Me imagjinatën dhe gjetjet profarme, me frymëzimin dhe natyralizimin krijues që e karakterizon  shprehet jo vetëm  bota ndjesore e krijuse, por dhe idetë e vizioni për një art sa kreativ po kaq dhe sinjikativ për tërësinë e poezisë shqiptare.

Në vëllimin e tretë poetik autorja Vjollca Ajasllari – Koni vjen shumë më e konsoliduar dhe e plotësuar duke shprehur jo vetëm individualitein tashmë të plotëformuar, por dhe eventualitetin esteik e artistik, eventualitet që jo vetëm e njehëson një me traditën poetike bashkohore, por mbart dhe gjurmët e të nesërmes tonë letrare.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s