S’KA PERLA NË THELLËSI TË LOTIT
Prozë poetike nga Senad Guraziu
Mos lejo humbje kontrolli, kalamendje as çoroditje busullash poetike, nga asfarë mashtruesish mos u tremb, në fakt mashtroji ti, ngul këmbë – në lojë e sipër provo, insisto, disiplino këso engjëj ndjenjash, pa mëshirë ndrydhi, thirravajet e tyre mos dëgjo, as çfarë thonë – duan të të blejnë, janë fals, mashtrues pra, sheqerka fort të ëmbla në shije, të bindin dhe pa ndalë betohen se janë “sugar free”, i reklamojnë… mos beso, kategorikisht refuzo.
***
Kam frikë: endesh si nimfë e ndrojtur pastaj cepave të syve-përlotur, strukur në mjegullën e përhirtë të mërzisë, mëngjeseve, pasditeve… përditshmërisë, ngjeshur-puthitur si pixels, xixash tek pulsojnë pandalë, mini-llambash, një milion ngjyrash të harlisura qiellit të vrenjtur, hieroglife ëndrrash, gravurash në qelq, shkrepëse shkëndijash kot, fërkime stralli digjital, përvëlim malli, gjurmë gishtërinjsh në tastet – dhe padashur direktivë e “gjuhës” të tradhton, zhgënjehesh e ti mbetesh e trullosur, si ndonjë flutur sillesh, sorollatesh rreth dritës e përhumbur… kundron për një çast “termo-vulat” në ekran, gjurmë izotopesh nga yje të djegur, të tretur kaherë, pakthyeshëm – “çdo gjë është moderne dhe e bukur xham”, do klithësh, dhe do të shtosh pastaj: “lokalizëm, i dalë boje tashmë”, ndërsa se pse matesh të hidhesh lëngut njelmak, opium-shfryrje, lehtësim sadopak, shih, ti vërtet s’përmbahesh, zhytesh e pastër si rrezja syprinës, i përshkon kristalet e kripës si shigjetë drite, nuk ndalesh dot deri në dhimbje, por pse sforcon timpanët, mos aq thellë… deri në pëlcitje, ti harron shtypjen vrastare, të lutem respekto ligjet e hidrosferës, sepse kot… s’ka asfarë perlash në thellësi të lotit, apo jo, poeti bën të jetë një qaraman, nëse qanë do jenë elegji, por “vetë muzat qajnë” s’bën të thotë, assesi.