Prozë poetike nga Majlinda Mema
Hapi qè s’kthehet pas…
( pjesa e IX )
Nuk di pse imagjinoj ardhjen, kur ikja është më e afërt dhe pranvera po shndërrohet në vjeshtë. Ndalem e futem skutave të errëta, ku nuk depërton rrezatimi yt, sepse mendimet nuk më lenë të qetë. Mos më zgjo kësaj letrargjie, gjumi i thellë le të më kapë papritur e të endem më pas kotësisë time. Më rrëmbeve çdo gjë të bukur, që pranë e mbaja si thesarin tim më të shtrenjtë, këtij honi të thellë ndjehem e humbur. U përhap hapësirës ëmbëlsia jote, hidhërimi zvëndësoi gëzimin , mbetem e ngrirë akujve të harresës. Gjymtyrët pa jetë shmangin gjithçka, këtu mes nesh harmonia hesht, kudo mbretëron e përbindshme dhimbje. E ndiej të pashmangshëm fundin, prekur nga hiri yt i zymtë në këtë vetmi kapitëse e lodhja më përhumb zbrazëtisë. Nuk endem më luleve në lulëzim si dikur, pot po mbyllem universit të ngushtësisë time, kësaj bote që kurrë nuk do mund ta kuptosh.
Hapi qé s’kthehet pas…
( pjesa e X )
Fshehur fasadës tënde më nxit mendimin enigma jote, e cila trondit vetëdijen. Si mundem vallë të mos shikoj kaq qartë. Ulur fronit tënd të palëvizshëm, vëzhgon së largu ndërgjegjen time, përpëlitjen time, që s’ më le të qetë asnjë çast. Çuditërisht rrethohem prej heshtjes, e cila vret më tepër se e hidhura fjalë, ngado që shkoj tërhiqem zvarrë. Mbetet peng çdo gjë shkëlqimit të rremë, bluaj vetveten pa mëshirë dhe kur guxoj të hap sytë vështrimi më dhemb. E mbush kupën e lëndimit tim, më pas më rrethon me lëndina të shkrumbuara, nuk mund të pushoj e të gjej qetësi në këtë rebus të ngatërruar. Pamja e errët vendoset qiellit tim, vetëtimat e shndritshme mbushin hapsirën, kësaj angushtie që duket sikur më zë frymën. Dua ta mbështes kokën diku duke psherëtirë e me vete marr harrimin tënd, shpërbërë e shkujdesur krejt pa formë. Mundohem ti mbledh pjesët e tua, por një lodhje kapitëse më përfshin e më mban përherë e më larg.