POETI, LUMI DHE VAJZA -Fantazi larg legjendës / Shkëputur nga libri me trgime ” Dashuria çel në prill” të autores Drita Lushi

POETI, LUMI DHE VAJZA

-Fantazi larg legjendës-

 

 

13700205_1264225550284209_3134332336133401947_n

Shkëputur nga libri me trgime ” Dashuria çel në prill” të autores Drita Lushi

 

 

Një vjeshtë, jo shumë të largët, bri një lumi të bukur, kish lindur një vajzë.

Ajo ish rritur, kish marrë flokë të arta si vjeshta, zërin dhe të qeshurën i kish si puhiza e ëmbël, e stinës në të cilën lindi.

Lumi e kish përkundur në gjumin e saj që në lindje, e kish zgjuar atëherë kur rridhte i vrullshëm e me zhurmë, e kish parë të rritej e të hidhte shtat, dhe tani e mbronte me xhelozi atë vajzë të bukur, e donte aty, në atë qytet, në atë vend. Ajo qeshte, dhe Lumi zgjonte këngën më të bukur, bëhej më i pastër, më i qartë, më i paqmë, më i rrjedhshëm.

Kalon aty një fillimpranverë një poet, dhe sheh vajzën në ballkon bri lumit.

Bukuria e saj shquhej që nga bregu matanë lumit, ku poeti kalonte.

Ai u ndal e ndërtoi aty një kështjellë fjalësh, që ishin as më pak e as më shumë poezi që shpërthenin çdo ditë, me aromë bukurie, dashurie, dhe pranvere.

Dukej sikur nga sytë e saj mbinin lule, sa herë ajo dilte në ballkon dhe shihte…

Po kë shihte vallë?

Lumin bri ballkonit, apo poetin matanë, … në breg?

Vajza e njihte lumin që në lindje, ish rritur me zhurmën e zërin e tij të qetë, dhe e dontë shumë, i dukej si një shok e mik i afërt.

Shpesh, dilte në ballkon e i tregonte atij (lumit) sekretet e saj vajzërore.

Poeti ndihej keq, që ajo e donte aq shumë atë lumë.

Por vajza, i donte dhe vargjet e poetit, ato e bënin me krahë e i dukej se fluturonte, mbi lumin e saj…

“Do të ta thaj lumin” – thërriti një ditë ai, që nga bregu .

Ajo qeshi.

Timbri i saj qe si një muzikë, e poetit i mbetej të shkruante veç poezinë.

“Do të ta thaj lumin me vargje”-tha poeti përsëri. ”Atëherë ti s’do kesh më kë të duash, dhe do më dashurosh mua”- vazhdonte ai.

Ajo gurgullonte në të qeshura, sa herë poeti i thoshte vargjet me zë të lartë, e nuk merrej vesh kush rridhte më bukur, lumi apo e qeshura e saj valore.

E Ai, vazhdonte të thurte poezi, me vajza, me dashuri, me sy, me planetë e dete, me Odise e Olimp, me Circe e Trojë , po Lumi s’thahej, s’tretej;

Atij veç i thellohej shtrati, e vajza vazhdonte të qeshte.

Vetëm qielli qe dëshmitar për atë që ndodhte.

O ishte poeti i çmendur, o ishte vajza e çmendur që s’e deshi poetin, o qe lumi i marrë, që s’i la bashkë vajzën dhe poetin.

E të mendosh, që s’është legjendë, por ndodhi këtë pranverë, të duket se jeton në fantazira yjesh tokësore e planetësh ujorë.

Lumi vazhdon rrjedhën me këngë, vajza duket në ballkon si trëndafil, që s’thahet, dhe poezitë janë kthyer në libër, që djemtë ua lexojnë vajzave që duan, por… pa lumë në mes.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s