Portreti i Poetit zbukurohet me vargje për Vendlindjen – “Fytyra e Vendlindjes” e DURO MUSTAFAIT / Nga Përparim Hysi

Portreti i Poetit zbukurohet me vargje për Vendlindjen

 “Fytyra e Vendlindjes” e DURO  MUSTAFAIT

                    

 

Perparim hysi

Nga  Përparim   Hysi

 

Të shkruash për një Poet si Duro Mustafai, nuk është aq e lehtë. Së pari, nuk është fort e lehtë që të shkruaj për të, një njeri radhiko si puna ime dhe, së dyti, DURO MUSTAFAI ka mbi  gjysëm shekulli që me penën e tij, në prozë e poezi, në gazetari e publicistikë, ka dhënë kontributin e tij me vlerë. Parë me këtë sy, pra nuk është e lehtë. Por, sado që njoh këtë vështirësi, unë nuk rri dot pa thënë,ashtu siç e gjykoj , mendimin për të dhe, ca më shumë, për librin e sapodalë “Fytyra e Vendlindjes”.

*    *   *

E di  që i kam hyrë paksa detit në këmbë, kur kam marrë përsipër barrën e redaktorit tek ky libër dhe, tek e kam marrë tani në dorë, nuk kam  se si rri pa thënë edhe dy fjalë më tepër. Kur e shoh në tërësi librin, jam pak obsest si një fëmijë që i gëzohet një lodre të bukur. Obsesioni im ka një shkak. Tek shoh kopertinën e librit, mbresohem se e di mirëfilli që ky është një”kompozicion” i menduar mirë nga autori që, pse jeton  e përjeton me VENDLINDJEN ( qëllimisht e shkruaj  me shkronjë të madhe, le të më shajnë sa të duan “drejtshkrimorët?!!!”), ka bërë një paraqitje grafike që sikur ka gojë të flasë: është VRANISHTI I DURO MUSTAFAIT, në faqen e parë dhe kopertina e fundit, një pemë me gjethe dhe një katër vargjësh aq domethënës.

Vendlindja…”Është vendi ku robërohet shpirti”,- thotë Volteri. Volteri një nga MENDJET E MËDHA që, tek e citon, të imponohet. Dhe ja tek më vjen në shteg, kur e citoj, për të “mbrojtur” paksa veten time nga “drejtshkrimorët”, de! Se, siç tregon Stendali, “… dikush i kish thënë Kontit De Rivolo, se ai, Volteri, vazhdon të shkruajë me gabime  drejtshkrimore…”. Dhe Konti: “Aq më keq për drejtshkrimin!!!”. Tani, “sulmomni”, po mundët?!!!

Nuk e bëj këtë shkrim modest timin për të dhënë të plotë,Portretin e bukur krijues, të Duro Mustafait. Se për të kanë shkruar dhe plot të tjerë dhe jo më larg se dje, ia bëri fora, i kudondodhuri LUAN ÇIPI. Ky, Luan Çipi, m’i dogji letrat nga dora dhe e lakoi nga A-ja tek Zh-ja, Duro Mustafanë. Po kush e njeh më mirë se ai? Dhe tek vjen puna për Luan Çipin, e them me plot gojën, është “vëllai siamez” i Duros tek këndojnë për “VENDLINDJEN” dhe për shokët e tyre. Sikur kanë dalë nga e njëjta “plaçentë” dhe, për çudi, secili ka zërin e vet. Ky dallim, që të dy, i bënë sa të pranueshëm dhe aq të dashur për lexuesit.

*       *      *

Kur i lexoj poezitë e Duros në këtë libër, bindem se sa e vërtetë është ajo thënia me vlerën e një aksiome  që thotë: “Merr një libër poezie, lexoje dhe, pa dyshim, ju çon tek e bukura”. Libri zë e  të mbushë  me emocione të bukura se Poeti të vjen  aq i drejtpërdrejtë, sa u jep vargjeve vlera të tilla që marrin një peshë relevante prej sentecash që ke qejf t’i mbash mend. Kur them kështu, ju ftoj në një ballafaqim fare të hapur:

” Me vete nuk do marrë asgjë/ Në rrugën e gjatë pa  kthim/ I lumtur do  isha që miqëve t’u lë/ Mes rreshtave të librit dhe zërin tim/.  Ky katërvargësh flet më shumë se sa duhet. Është një fshat që duket dhe nuk do kallauz. Ke përpara një Poet që ka një merak: të lërë zërin e tij pas. NJë zë që ke nevojë ta regjistrosh për ta patur pranë si një vlerë njerëzore dhe, po aq, poetike.

Tek i lexoj poezitë me nge, zë e bredh me autorin atyre vendeve ku, edhe pse nuk i kam shkelur, më bëhen  të njohura, se Poeti Duro Mustafai, nuk hyn në sërën e atyre poetëve që Esenini i quante “gojëmbyllur”. Gojëmbyllur se humbin në shklrimet e tyre, sikur shkruajnë për vete, dhe, pa e vrarë mendjen fare, se shkruajnë për lexuesit. “Gojëmbyllurit” sikur i kanë mbyllur “portat” për lexuesit dhe, tek i shohin lexuesit nga “lartësitë” ku kujtojnë se kanë arritur, shprehen: “Të vinë lexuesit pas nesh!!!”. Jo Duro Mustafai është babaxhan në shpirt dhe i tillë dhe në varg.

Sado që ka lindur në qytet, është fshatar. Bilez, më fshatar se çdo fshatar që ka lindur në fshat. Ky që ka lindur në qytet, njeh mirë ” si përroin e Kaurit… dyqanin e xha Xhezos… malin  e Çikës… kalanë e Horës… rrepet  Vranishtit dhe  mund të vazhdoja edhe  më dhe, që të gjitha ç’citoj, ndodhen në Vranisht ku  janë rrënjët e të parëve.

Duke thënë një distik epik, duket sikur i ka thënë të tëra: “Rrënjët në Horë/ Degët në Vlorë/. Tek lakonizmi, poezia vjen e bëhet më e bukur. Poezia e gjatë të “lodh” dhe në këtë “pjacë kaq qibare lexuesish” nuk ka nevojë  për stërzgjatje. Strëzgjatja në poezi, në vizionin tim, është pazotësi.

 

*     *     *

Nëse poezia është muzikë e shpirtit, unë them se thënia përkon me një realitet të prekshëm. Këtë e vë re dhe në disa poezi të Duro Mustafait. Ka një cikël me poezi të tilla, si:”Lot në sytë e miqëve”,” Takova Njerinë”, “Dashuri”,”Dy qenie më të bukura”,”Ti vjen e na puth në gjumë” dhe, mbi të gjitha, po të isha kompozitor, do të vija në nota:” Ne nuk jemi si gjethja e pemës që nga era flakemi/ Por perosnazhe të gjallë që në libra mbesim/ Ne, që nuk kemi kohë të plakemi/ Nuk kemi kohë as të vdesim/… Nuk ka se si flitet më bukur dhe kjo vjershë , në gjykimin tim, është  as më shumë dhe as më pak, një “sozi” artistike e “Vajza dhe vdekja” e Gorkit. Me mesazhin aq të bukur që  mund ta krijojë veç një Poet aq i bukur si Duro Msutafai.

Jo vetëm kaq. Në libër ka një “album” të vërtetë dashurie për shokë e miq. Natyrisht, kur vjen fjala për Vendlindjen, ai më kujton Çajupin  që këndonte: ” Atdhe me male të lartë/ S’të pashë qëkur jesh djalë/ Dërgomë një grusht me baltë/ ta puth e të krrej mall/.

Dhe më së fundi, ka dhe një sentencë që unë e gjej tek poezitë e këtij libri. Sentenca është pak “mizore”, por, sidoqoftë, i shkon për shtat këtij poeti. Sentenca thotë kështu: “Mos u bëj Poet, nëse nuk vdes në secilin varg”. Pa dyshim, kështu  ka “vdekur” në çdo varg, për të ardhur edhe më i bukur me këtë libër po kaq të bukur. Dhe kini parasysh: kini  të bëni me një “riosh” që po marshon drejt 85 vjeçësh dhe, tek e sheh kaq  vital, tak dhe u bëj një zhvendosje numrave dhe ja tek më del fiks 58-vjeç. Se ashtu është me zemër e penë. Dhe, në është kaq i bukur, e dini pse? Se “Rrënjët ka në Horë dhe degët në Vlorë…”.

 

 

  Tiranë, 23 korrik 2016

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s