Një prozë e ndërtuar mbi trillimin artistik dhe gjuhën figurative ( Mbi romanin “Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafazet’ të Rezart Palluqit ) / Nga Kujtim MORINA

Një prozë e ndërtuar mbi trillimin artistik dhe gjuhën figurative

( Mbi romanin “Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafazet’ të Rezart Palluqit ) 

 

 

Kujtim Morina

Nga Kujtim MORINA

 

 

Kur fillon të lexosh prozën e Rezart Palluqit, për ata lexues apo krijues letrarë që priren nga realizmi, sikur stepen pak dhe kanë një mëdyshje të vazhdojnë më tej apo jo, të pamësuar me stilin e lirë të prozës fikshën që i le të lirë flatrat e trillimit duke e tërhequr lexuesin në botën e tij. Por ky është vetëm një moment sepse pastaj të tërheq dialogu i tij i lirë dhe plot fantazi, një humor dhe ironi therëse që shumë herë shkon në satirë dhe sarkazmë,

Linjat e romanit “Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafazet” janë të ndërtuara mirë dhe megjithë kapitujt e gjatë, autori ia arrin të mbajë interesin e lexuesit falë talentit të tij të gjetjeve të vazhdueshme artistike, situatave plot tension dhe ritëm. Ky tension dhe shtendosje përmes humorit dhe ironisë, kjo tallje që ai i bën provincializmit dhe tabuve, e parë kjo nga një vend i lirë ku jeton personazhi kryesor, Ylli Xixa, është brumi mbi të cilin ndërtohet ky roman. Autori siç thamë më sipër, i lëshon lirshëm frerët e fantazisë ku ndërthuret stili i rrëfimit me poezinë e mishëruar në tekst. Në këtë roman, i treti i autorit, kemi së pari trillimin dhe pastaj realizmin apo notat autobiografike të autorit, i ndryshëm nga proza shqiptare ku dominon realizmi i veshur apo i shtuar me trillimin artistik. Në botë, krijues të tillë që e kanë trillimin dhe dialogun si dhunti të fuqishme, janë të njohur dhe tërheqin miliona lexues por në botën shqiptare për mendimin tim kjo është në hapat e parë. Jo se s’ka pasur eksperimentime dhe arritje por që autorëve shqiptarë ende iu rri ngushtë kostumi i rrëfyesit dhe të shkruarit lirshëm. Natyrisht që edhe në botën e trilluar të Rezart Palluqit  gjenden elemente reale por ato janë si guacat apo diamandet e pakta që tregojnë sa janë brejtur dhe holluar nga tallazet dhe dallgët e detit të fuqishëm.

 

 

rezart palluqi

Rezart Palluqi

 

Autori tenton të rrëfejë botën e tranzicionit shqiptar nga sytë e një emigranti me një histori tragjike të babait të tij, të burgosur dhe më tej të zhdukur nga regjimi komunist. Figura e shefit të sigurimit që herë duket e herë fshihet por ende me shumë influencë dhe frikë në realitetin shqiptar është e portretizuar mirë kështu derisa shfaqet qartë në fund të romanit. Romani ngërthen realitete të shoqërisë shqiptare që përpiqet të çlirohet nga vargonjtë e diktaturës por që është e lidhur me shumë fije të dukshme e të padukshme me të. Një brezi i ri që do të rritet i lirë por duket i komanduar në distancë nga brezi paraardhës me konfliktet dhe antagonizmat pesëdhjetë vjeçare që nuk shqiten lehtë.

Aftësia e autorit për të ndërtuar një dialog të vazhdueshëm, pa u lodhur, me situata të papritura, mes kontrastit dhe inversionit, një gjuhe therëse sidomos mes bashkëshortëve që është pak e njohur në letërsinë shqiptare, mes Shqipërisë e Hollandës, tranzicionit të përcudnuar demokratik dhe botës së vendeve të lira me sëmundjet e tyre të demokracisë e bëjnë romanin për mendimin tim të veçantë në llojin e vet. Krijuesit shqiptarë të diasporës po e pasurojnë vazhdimisht botën letrare shqiptare me këndvështrimin e tyre të veçantë, përmes distancës dhe njohjes së realitetit shqiptar, shkëputjes prej tij dhe tentativës së dështuar për afrim, mallit për atdheun dhe heqjes dorë prej parullave boshe të patriotizmit fals dhe provincializmit,

 

 

rezart-241x200

Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafaze

 

Në vazhdën edhe të disa autorëve të tjerë, autori nuk e shpëton personazhin kryesor megjithëse pëpiqet të shpëtojë kauzën e tij të drejtësisë. Mirëpo kjo kauzë siç nënkuptohet, do ndërtuar prej themelesh të reja se ato ekzistuesit janë të pafuqishme, të përlyera në krim e korrupsion, të paafta për të ndërtuar një botë të re.  Gjuha e romanit është e pasur, me shumë figuracion dhe fjalëformime të reja. Për mendimin tim, Rezart Palluqi është një prozator dhe romancier premtues në letërsinë shqipe. Në radhë të parë prej talentit të tij letrar që duket se vjen spontanisht dhe pa sforcime, pastaj prej një shkëputje prej traditës letrare shqiptare që e ka pasur vazhdimisht të vështirë të ndërtojë personazhe apo karaktere individuale duke u prirë drejt përgjithësimeve dhe moralizimeve të pavend. Autori sapo ka botuar një roman tjetër ‘Shtëpia me dy çati” që duket se shkon në këtë stil rrëfimi, në botën e tij fikshën që nuk njeh kufizime të temës e imagjinatës, tabuve dhe universales. Duket se nganjëherë nuk i hyn konfliktit në thelb por ky është edhe stili i tij, që nuk e rëndon romanin po aq sa tregohet i pamëshirshëm në rrethana të tjera duke i mëshuar asaj që i intereson. Duke i uruar suksese, po e mbyll këtë shënim me përshtypjen e mirë se nuk kisha lexuar kohët e fundit një autor të tillë shqiptar që më tërhoqi nga fillimi deri në fund të romanit duke më lënë mbresa që besoj nuk do t’i harroj shpejt.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s