Pyetësori i Prustit ( Gazeta Observer) / I përgjigjet pyetësorit Entela Kasi

Marsel Prust
 
Pyetësori i Prustit
 
 
 
Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Entela Kasi.
 
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
 
Vështirë të përkufizohet qoftë edhe si koncept. E di që ekziston në botën e ideve, por jo në botën e vërtetë të njerëzve. Lumturia e përkryer është gjendje e plotnisë së njeriut. Por, njeriu është i kufizuar, sipërfaqësor, ekspansionist dhe i pashpjegueshëm. Në botën në të cilën ne jetojmë kujtesa njerëzore është e mbushur me ngjarje tronditëse. Qenia e tronditur, nuk e njeh e as e pranon lumturinë.
 
Cila është frika juaj më e madhe?
 
Makiaveli e ka një shprehje: “Po e mbyll duke iu kthyer edhe një herë pyetjes nëse është më mirë të të duan apo të të kenë frikën. Njerëzit duan në sajë të vullnetit të tyre e frikësohen në sajë të vullnetit të Princit”. Qëllimi i diktaturave, i pushteteve të dhunshme, i Organizatave terroriste, i grupeve kriminale shoqërore, mbetet sundimi i shoqërisë. Prej skllavërimit të plotë asnjë popull i botës nuk e fitoi dot më lirinë, ka shkruar Whitman.
Frikësimi ka qenë dhe mbetet një mjet i cili është përdorur dhe vazhdon të përdoret për të mbajtur nën kontroll shoqërinë, turmat, individët. Frikësimi është një mjet për t’i nënshtruar të tjerët apo për t’i bërë të tjerët të të binden, të heshtin, të nënshtrohen.
Ideja se mund të zgjohemi duke parë shuarjen e miliona njerëzve njëkohësisht në një çast të vetëm. Shoqëria e shekullit të XXI e ka humbur sigurinë. I janë tronditur ekuilibrat. Kjo është frika e vërtetë.
 
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
 
Sinqerisht i admiroj njerëzit që kanë fuqi të jetojnë me dinjitet, pa u shpërfytyruar. Këta mund të jenë njerëz të zakonshëm, të cilët shijojnë bukën e përditshme që e kanë fituar me duar të pastra. Kanë një urtësi burimore të thellë e cila me sa duket për bazament ka kujtesën dhe përvojën. Pavarësisht statusit social, njerëzit tremben nga kujtimet dhe veprat e tyre. Shoqëria po ashtu trembet nga kujtesa historike. Kjo është dramatike sepse trauma prodhon urrejtje, dhe ri-instalon dhunën. Ndërsa përballja me të vërtetën, me kujtesën, me ngjarjet e rënda, me traumat në vetvete e pastron qenien njerëzore, shoqërinë dhe individin, e vendos atë në paqe dhe harmoni jo vetëm shpirtërore por sociale.
 
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
 
Ka mjaft personalitete të cilët i kanë shërbyer njerëzimit, shoqërisë për mirë. E kam më të thjeshtë të them se nuk do të identifikohesha kurrë e për asnjë arsye me tiranët, diktatorët, sunduesit, terroristët, kriminelët, e vrasësit! Mos të harrojmë se në kujtesën e botës të tillë individë e kanë manipuluar, dëmtuar dhe rrezikuar shoqërinë.
 
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
 
Kujtesa e fortë e detajit. Detajet mbartin edhe çelësin e zbërthimit të shumë gjërave të cilat mund të duken absurde apo të vështira për tu kuptuar.
 
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
 
Ligësia, egoja për sundim, dhe paranoja kur bëhen bashkë tek një njeri, e shndërrojnë atë në një individ të rrezikshëm për shoqërinë. Hipokrizia në marrëdhënie me artikulimin e së vërtetës për çështje të rëndësishme të cilat kanë ndodhur dhe ndodhin në shoqërinë njerëzore mbetet një prej faktorëve që i jep mundësi sundimit të shoqërisë nga të gjitha ato personazhe të historisë botërore që koha i ka shënjuar si vrasës, tiranë, diktatorë, e kriminelë lufte.
 
Në cilat gjëra e teproni?
 
E teproj me durimin, edhe me duhanin.
 
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
 
Kurrë asnjëherë. Asgjë! E vërteta, është ajo vlerë, për të cilën nuk bëj kompromis me askënd, qofshin këta njerëz të zakonshëm apo të pushtetshëm, qofshin persona publikë apo të panjohur.
 
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
 
Rrugëtimi drejt origjinës. Origjina nuk lidhet thjesht me vendlindjen time apo vendbanimin aktual, por me rrënjët, me identitetin. Ky është i vetmi rrugëtim që ka fuqi t’i japë peshën dhe plotninë qenies njerëzore. Kjo lidhet me atin, nënën, me paraardhësit e mi. Romanet ‘Voyage’, Hannah K, dhe ‘Të korrat e Krishtlindjeve’, lidhen me rrugëtimin drejt origjinës dhe identitetit, nëpër të cilin qenia njerëzore përjeton dhimbjen prej ngjarjesh historike tronditëse, e njëkohësisht ka fuqi ti rezistojë shpërfytyrimit dhe deformimit.
 
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
 
Unë besoj se letërsia dhe arti është dimension lirie. Për këtë arsye diktaturat dhe tiranitë kanë gjetur mënyra të ndryshme për të ndëshkuar shkrimtarët dhe artistët. Në diktaturë dhe jo vetëm, autorët shqiptarë, artistët, janë ekzekutuar, dënuar, ndëshkuar vetëm për shkak të veprës së tyre , qoftë edhe për një poezi të vetme.
 
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
 
Kur u kam munguar njerëzve të mi më të dashur, në momente të vështira të jetës, për të qenë atje me ata pikërisht në atë çast.
 
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
 
Im bir. Vajza. Im shoq. Prindërit. Vëllai. Motra. Nipat. Mbesat. Familja. Gjithçka tjetër është rruga ime e jetës.
 
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
 
Normale. E arsyeshme.
 
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
 
Njeriu nuk mundet të dalë prej lëkurës së vet. Nuk mundem të jem njeri tjetër.
 
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
 
Kjo është pyetje serioze. I takon një kohe tjetër…
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Kur shoh gjithçka në jetën time e dua gjithçka me të mirën dhe të keqen e saj. Gjithçka që ka ndodhur ka peshën dhe vlerën e saj. Edhe gabimet, edhe rrëzimet kanë vlerë. Edhe dhimbja ka vlerë po ashtu sikur ka vlerë edhe një çast i gëzuar, apo diçka e bukur. Nuk do të doja të ndryshoja asgjë, as të fshihja asgjë. Fuqia për ti kuptuar të gjitha çastet e jetës me të mirat e të këqijat e saj, të bëjnë të kuptosh se ke jetuar. Dhimbja të bën më të fortë. Ajo që nuk të rrëzon të bën më të fortë.
 
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
 
Kjo është pyetje e vështirë. Unë besoj se vdekja është një gjendje e ngrirë, sosje e lëndës fizike. Gjithçka tjetër është frymë. Do të doja të mbetesha ai lloj libri, i cili i reziston të gjitha kohërave dhe gjuhëve, pavarësisht kufizimeve.
 
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
 
Pasuria nuk është as pushtet e as përmasë lirie. Kur flas për lirinë kam parasysh dimensionin edhe statusin e lirisë. Lira është statusi më i çmuar që kam. Paraardhësit e mi kanë humbur shumë gjëra të çmuara materiale, kanë humbur pronat e tyre, shtëpitë, bibliotekat, të cilat i ka rrafshuar koha dhe sistemi në të cilin kanë jetuar. Kanë humbur edhe jetën edhe lirinë në mënyrë të padrejtë përgjatë luftërave botërore dhe gjenocideve, e po ashtu edhe prej diktaturës të vendosur në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore. Gjithçka e shkatërruar padrejtësisht dikur, sot nuk mund të kompensohet me asnjë vlerë materiale. Im atë më ka mësuar se gjithçka e jotja nuk është vetëm e jotja, është njerëzve me të cilët jeton. Personalisht po, kam disa gjëra që për mua janë thesar. Vepra origjinale arti, që më janë dhuruar nga artistë apo nga pasardhësit e tyre. Kam libra me dedikim, me shënime e anëshkrime, nga shkrimtarë të letërsisë shumë të mirë shqiptare dhe botërore, si edhe një galeri fotosh me ata, në vende të ndryshme të botës ku më është dashur të jem si shkrimtare. Kam letra aq të bukura dhe tronditëse përgjatë 25 vjetësh sa do më duhet një kohë tjetër, për ti pasur të përmbledhura në një libër kujtimesh.
 
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
 
Oh, korruptimi i qenies njerëzore është mjerimi më i madh i njeriut. Nuk janë të mjerë aspak ata njerëz që punojnë tokën për të siguruar bukën e përditshme, aspak. Kam parë njerëz që lodhen nga mëngjesi në darkë për të siguruar jetesën, e po ashtu kam parë se si e me sa dinjitet e kanë shijuar ushqimin e tyre. I kam parë sa të qetë e më çfarë gëzimi e kanë ndarë atë me të tjerë. I kam dëgjuar të këndojnë. I kam thënë dikur tim ati, : – si mundet të këndojë një njeri i varfër, ngjitur me shtëpinë tonë të madhe e të bukur? Si ka mundësi që ky njeri të jetë i gëzuar? Dikur ima atë më është përgjigjur- ; është njeri i lirë, ka strehë, fëmijë, grua? Kam pyetur unë:- këto e bëjnë njeriun të lumtur? E ma ka kthyer im atë shkurt fare- e bëjnë njeri!
 
Ku do të dëshironit të jetonit?
 
Këtu ku jam. Kjo është arsyeja pse nuk jam larguar kurrë nga Shqipëria.
 
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
 
Nuk kam frikë nga e vërteta, sepse e njoh vlerën e saj. Po ashtu nuk kam frikë nga jeta ime, sepse nuk ka asgjë të fshehtë.
 
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
 
Fakti që natyra e krijon njeriun në përkatësi gjinore mbetet argument hyjnor.
 
Çfarë vlerësoni tek një femër?
 
Fakti që natyra e krijon njeriun në përkatësi gjinore mbetet argument hyjnor.
 
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
 
Shkrimtarët e letërsisë së shkëlqyer, universalët. Ata që përmes veprës së tyre letrare, pavarësisht kohës, gjuhëve, origjinës dhe identitetit janë dhe mbeten pasuri e njerëzimit.
 
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
 
Im bir.
 
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
 
Të vallëzoja në një pistë akulli dhe në ajër…
 
Si do të dëshironit të vdisnit?
 
Ëndërroj të plakem pranë oxhakut të shtëpisë së prindërve të mi…
 
Cila është motoja juaj?
 
Nuk jetoj në kohën e shkuar, por e shkuara është një element i kohëve. Të dish të jesh është më e rëndësishme se sa të kesh. Mund të kesh gjithçka e të mos jesh askush, askund në sistemin e vlerave . Të krijuarit të bën të jesh një prej mijëra njerëzve që të lexojnë ty. Letërsia është përmasë edhe dimension lirie.
 
 
 
Entela Kasi
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s