Baraka e zvicerianit / Tregim nga Fatmir Minguli

Baraka e zvicerianit

 

Tregim nga Fatmir Minguli

Atë ditë sapo u nisën anijet e para nga porti i Durrësit, anijet e rrëmbyera që po lundronin drejt brigjeve të Italisë. Ishte 5 marsi i vitit 1991. Beni dëgjoi zilen e telefonit të shtëpisë dhe meqenëse s’kishte njeri në shtëpi kapi dorezën dhe dëgjoi zërin e Bardhit.
-Hajde shpejt në Durrës, merr taksi, mos u vono, merr ç’të marrësh se do nisemi për Itali, porti është shpërthyer, mos i thuaj gjë asnjerit, as njerëzve të shtëpisë!
Nga Vlora gjer në Durrës, Beni mezi po merrte frymë, gjithë rrugës e nxiste shoferin e taksisë për të shtuar shpejtësinë.
-Eh, more spurdhjak, ngadalë ore, se do thyejmë kokën…- i fliste shoferi, një burrë me mustaqe dhe serioz.
Beni mbriti në shtëpinë e Bardhit, djalit të tezes. U bënë gati të dy dhe të vendosur ia dhanë vrapit drejt portit të Durrësit. Nuk lajmëruan asnjë njeri edhe te shtëpia e Bardhit.
Mbasi u shkalafitën nëpër litarët e “Panamasë”, përfunduan në kuvertën e anijes ku njerëzit ishin ngjeshur si sardelet e konservave të fabrikës “Ernest Telman” të Vlorës.
…Benin dhe Bardhin i caktuan në kampin e Brindisit dhe që andej i sistemuan te një kishë nën kujdesin e një prifti. Prifti qëlloi shumë zemër mirë dhe i ndihmoi të dy djemtë të fillonin punë diku në një fermë të vogël.
Bardhi i qetë dhe i kënaqur qeshte me Benin i cili kërcente përpjetë dhe i thonte vazhdimisht:
-Ore, pse erdha unë këtu për të mjelë lopët e italianit…do iki… do iki.
Kishte ditë që Beni ishte i acaruar, nuk duronte asgjë, madje edhe Bardhin nuk e dëgjonte fare, vetëm i thonte se ia dinte për nder që e solli në Itali. Pastaj i thonte se Italia nuk ishte për të, se ai donte të shkonte atje, në Zvicër…
Një ditë prej ditësh ai e gjeti rrugën për në shtetin e adhuruar. Ishte prifti që me atë zemrën e tij të mirë e rregulloi me gjithçka dhe e bekoi duke i uruar fat dhe mbarësi.
….Atë ditë që Beni u ndodh në qytetin e vogël M. pranë Luganos ishte krejt i hutuar dhe fillikat i vetëm, pa dokumenta e me pak para zviceriane që prifti i mirë ia kishte dhënë ditën e nisjes.
Mbasi kaloi një ditë të vështirë duke u ruajtur nga policia apo cdo gjë tjetër e rrezikshme për të, errësira po e mbulonte si kudo dhe qytetin e vogël M.
Beni i trullosur, u drejtua nga periferia për të gjetur ndonjë zgiq, strehë apo ç’të ishte e të kalonte natën. Ishte nata e parë në tokën zviceriane.
Rrugës, duke ecur drejt periferisë, ai dalloi një vilë të madhe dhe pranë saj një kopësht të madh, rrethuar me një gardh të lehtë. Në mes të kopshtit, disa metra larg nga vila ishte një barakë sic i kanë të gjithë në atë qytet. Kapërceu gardhin, dhe ashtu në errësirë gjeti derën e barakës dhe hyri brenda. Rregulloi një vend për të fjetur duke larguar vegla, dërrasa e ca rropulli të tjera.
Para se të gdhinte, në errësirë, ai doli nga baraka, kapërceu gardhin dhe u zhduk për t’u kthyer në darkë, në errësirë, miken e tij më të re.
Kaluan disa ditë dhe Beni flinte në barakën magjike. Çuditej se si nuk e kishte parë asnjeri. Por nuk ishte ashtu. Valteri, i zoti i shtëpisë, një burrë në moshë, dhe i mbajtur mirë, një ditë kishte parë spostimin e veglave dhe gjërave të tjera dhe kuptoi se aty flinte dikush. Atë ditë që e vuri re këtë spostim, mbrëmjes coi në barakë një batanije dhe disa ushqime, pa harruar dhe një bidon me ujë.
Atë natë, ndoshta ishte nata e pestë, që Beni flinte aty, kur hyri, pa batanien dhe ushqimet. U cudit, por midis cuditjes edhe frika zuri vend në zemrën e tij, dridhjet e së cilës u rritën së tepërmi.
Kaloi ajo natë si gjithë të tjerat. Beni s’e kishte parë kurrë të zotin e shtëpisë dhe Valteri po kështu nuk e kishte parë Benin asnjëherë, dhe kjo mosparje e rriste rrezikun jashtë mase, gjithmonë sipas hamendjes së Benit.
Po kalonte java dhe Beni flinte njëlloj, vetëm se frika nga nata në natë vinte e pakësohej. Ushqimet ishin aty çdo natë.
Kishte kaluar një muaj dhe Beni ishte njohur me disa shqiptarë të tjerë, dhe natyrisht po punonte me ta dhe nxirrte para, shumë para.
Një ditë prej ditësh, ose më mirë të them një natë prej atyre netëve të çuditshme, Beni e la barakën magjike. Natën që Beni nuk erdhi, kur Valteri shkoi në mëngjes në barakë për të marrë mbeturinat e ushqimeve, pa që ai s’kishte ardhur. Edhe ditën tjetër po kështu e kur e kuptoi se ai njeriu i padukshëm nuk vinte më, në shpirt ndjeu një dhimbje.
Kishin kaluar shumë muaj dhe më vonë kaluan dhe disa vjet të tjerë dhe Beni nuk ishte më ai njëzet vjecari që kapërceu Adriatikun vetëm e vetëm për të shkuar në Zvicër. Me punët që kishte bërë tërë ato vite ishte rregulluar me financat dhe ishte kthyer në Vlorën e tij.
Aty filloi ndërtimin e një hoteli dhe kur e përfundoi dhe e vuri në funksionim, vendosi të shkonte edhe një herë në Zvicër. Por kësaj radhe me një pamje tjetër. Ai pasi zbriti nga avioni u nis me taksi drejt e në qytetin M. pranë Luganos.
Shkoi drejt e te vila ku ndodhej baraka. Kësaj radhe nuk e kaloi gardhin se ishte ditë dhe errësira ishte larguar që me lindjen e diellit. Kësaj radhe i ra ziles te citofoni dhe pa të zbriste shkallët e vilës një burrë të moshuar.
Kur u takuan, Beni i dha kartvizitën dhe i tha se kishte ardhur për të pirë një kafe, në se ai pranonte. Asnjeri nuk e njihte njeri tjetrin.
Përfundimisht Beni i tregoi se cili ishte. Në sytë e të dyve rrëshqitën pika loti. Valteri nuk dinte c’të bënte, thërriste të shoqen dhe i thonte:
-Eshtë ai i barakës…
Ata nuk e kishin parë njeri tjetrin fizikisht por shpirtërisht ata ishin parë…
Në fund të vizitës Beni e ftoi Valterin së bashku me të shoqen për një vizitë në Vlorë…
Duke dalë nga vila, Beni i kërkoi të shkonte te baraka, por vetëm. U fut brenda dhe ndenjti disa minuta i heshtur. Ishte heshtja e Valterit që nuk foli me asnjë njeri, përvec të shoqes, ishte heshtja për të cilën i kishte folur aq shumë, prifti i Brindisit, nuk ishte heshtja e tij.

Montecchio Maggiore
korrik 2019

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s