ÇAMËRI, MOJ DRITË SYRI … / Cikël poetik nga Iliariana Sulkuqi

Cikël poetik nga Iliriana Sulkuqi

 

ÇAMËRI, MOJ DRITË SYRI …
( EDHE UNË jam nga Çamëria…):

-Në Pemën Gjenetike të familjes dhe fisit tim, nuk ka asnjë nga Çamëria…. Nuk ka , por ka në Pemën e Zemrës sime, që është shumë herë më e madhe se hapësira fizike (që ndan me gardhe urrejtjeje fisin nga fisi, komshiun(gjitonin) nga komshiu…), pa konture pseudo hartash.
-Jam nga Çamëria, të paktën, që nga koha e përndjekjes së madhe, ku qyteti im Elbasan, priti dhe fshehu qindra e qindra çamë, përzhitur nga flakët e zjarrit, urisë, etjes…, prej të cilëve, gjyshi im Veli Kazazi, strehoi, njëherazi, 60-të prej tyre dhe nëna ime gdhiu netët për t’iu qepur rroba…
-Jam nga Çamëria se pas e më pas, kur shkonim me pushime në plazhin e Durrësit, shpesh do të shkonim në familjet çame, ku blinim prej tyre çdo gjë … deri te byrekët e pjekur me saç… , nga gratë dhe vajzat me gërsheta, sikur të ruanin brenda tyre kujtimet e dhimbjeve dhe njëherësh thurjen e ëndrrave …
-Jam nga Çamëria sepse: me rritjen time, AJO, Çamëria u rrit para syve të mi e brenda meje në dimensione, si në tabelën e shumëzimit … Me rritjen time, ERDHI e shkruar historikisht, erdhi e jetuar mëvehtësisht me emra mikesh, miqsh, kolegë apo jo, gazetarë e poetë, shkrimtarë, ushtarakë, këngëtarë… ERDHI me Marko Boçari-n, ku, edhe në mërgimin tim deri në Kretë (Hanja), një nga rrugët, mbante emrin e tij. Pranë Tij, një kafene, që e kthyem në çdo fund javë pikëtakimin shqiptaro – emigrantë, ku rrufitnim kafenë përzier me lotët e mallit… Më ERDHI me Bilal Xhaferri-n, që s’më “shqitet” nga rafti përballë i bibliotekës sime të vogël mërgimtare…, këtu në NY. Pati ardhur e do të Jetë edhe në Brezat që unë rris…
– Jam Nga Çamëria, vërtetë jam. A nuk mendoni edhe ju se unë jam nga Çamëria Juaj?….

Vetëm 4 poezi nga disa që kam shkruar, i them Çamërisë SONË:

 

ÇAMËRI –

Më ngjake me gjyshen time…-
Si rizë
që shpretkën e jetës
mbështjell…
Më ngjake me veten,
djegur
me saçin
mbuluar nga prushi i dhimbjeve…
….
Mos na ngjafshin të porsalindurit!

 

 …KËNGA NGJAKA
(rrëfim për çamët…)

“…dhe na ndanë…
Dhe na çanë…
Dhe na shanë…
-Kështu gjyshi më ka thënë-
Në një natë , nga matanë
Shkulte gjoksin një ofshamë…
Ç’më panë sytë,
s’ka të rrëfyer…
Erdh mesnata me të shqyer…
Hapa portën e shtëpisë…
Sofra-bukë për çamët- bij…”

Edhe nëna më rrëfen…
“Ishte natë e zgjim i terrtë…
çamë ishin-gjashtëdhjetë,
pesë sofra, shtrova vetë…”

Dhe një këngë çamërishte,
zgjonte nënën ndër kujtime…
“Kam shtëpinë me dërrasa
dil moj xhane, dil se plasa…”
-me Myzyrin Kënga ngjaka.

 

MARKO BOÇARI
(Në Hanja-Kretë një rrugë mban emrin e tij)

Se ku më ike,
Marko Boçari,
Se ku të mërguan…,
Pa më thënë…

Të dashuruar
me idhujt
e Tokës sonë-
TOKËN,
nga zilia
na e ndanë…
… Të erdha mërgimthi,
Gjeneral Marko Boçari,
kaq pranë.

 

ÇAMËRI, MOJ DRITË SYRI
-Sa më shumë duhemi unë e Ti, aq më shumë na e vrasin Dashurinë-

Ma plasën dritën e syrit…
Thërrime ma bënë Historinë…
E di, ku u linda, u rrita..
Shqipëria m’është nënë,
DJEP ëndrre – Çamëria…

M’u KRIS Shpresa e PRITJES,
Nëpër rrokjet e mia të FJALËS!
Vatra ime, që Zjarrin ta ftohën,
NDIZMË DHE ME HIRIN E KËNGËS!

Iliriana Sulkuqi – Sot e përgjithmonë
Brooklyn, NY

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s