NJË MONOGRAFI E THUKËT E ME VLERA PËR SHKENCAT ALBANOLOGJIKE / Dr. Bexhet Asani

NJË MONOGRAFI E THUKËT E ME VLERA PËR SHKENCAT ALBANOLOGJIKE

 

Dr. Bexhet Asani

Më 19 qershor 2019, më erdhi një mesazh nga një vëlla arbëresh e ai është Mario Massaro nga katundi Qefti të Italisë. Një mesazh i shkurtër por tepër domethënës: “Mirëmbrëma profesor! Në mëngjes ju kam dërguar me postë librin. I duhet disa kohë për të arritur. Mirupafshim!” U gëzova pa masë. E dija se të paktën i duhej librit dy javë të udhëtonte nga Italia gjer në Amerikë por ashtu si pa vetëdije shkoja te kutia postare e hapja dhe libri nuk ishte, ky ritual pothuaj vazhdoi çdo ditë pune! Duke i numëruar edhe ditët e pushimit të dielat e festat libri udhëtoi rrumbullak 19 ditë. Më 8 korrik 2019 librin e kishte marrë nipi im Pleurati, sa erdha në shtëpi:
– Gjyshi ja ky është libri juaj! Dhe nuk kishte lejuar as ta preknin e ku më ta hapnin librin e paketuar nga duart e vyera të prof. Mario Massaro. Një pritje e gjatë por ia vlente. E hapa librin me padurim. Lexoj titullin: “Chieuti e la sua parlata arbëreshe – Qefti dhe e folmja e tij” – 2013. Nëntitulli më kënaqi sepse libri ishte në italisht dhe në arbërisht, kështu do ta kisha shumë më lehtë për ta lexuar e për ta studiuar. Mirëpo momografia është mjaft voluminoze 560 faqe dhe sikur të ishte dhe në gjuhën shqipe do të kishte 1120 faqe, megjithatë ka mjaft shkrime në arbërishten e lashtë të Qeftit dhe kjo jo vetëm që ma lehtëson punën por edhe më ndihmon që të njihem me arbërishten arkaike, me arbërishten e epokës së lavdishme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Aty për aty iu falënderova prof. Mario Massaro: “Faleminderit prof. Mario Massaro! Somenat mora librin tuaj studimor “Chieuti e la sua parlata arbëreshe – Qefti dhe e folmja e tij”. Një gëzim, e një ndjenjë rrëqethëse më përshkoi trupin dhe shpirtin tim. Një dhuratë e çmuar për mua në veçanti dhe një vepër e çmuar për shkencat albanologjike në përgjithësi. Duke e mbajtur në duar librin dhe duke e ledhatuar, për një çast e ndjeva veten se jam në epokën e lavdishme të kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Prof. Mario sot është ditë e vrënjtur por juve me librin që më dërguat, ma bëtë ditën diell. Libri ka 560 faqe. Së shpejti një recension për të! Prof. Mario nga zemra ju uroj shëndet, jetë të gjatë dhe krijimtari të begatshme! Ju përgjërohem! Me nderime B. A.”
Pasi e postova në Facebook këtë falënderim vëllai jonë arbëresh Franco Vasto nga Ferma shkroi: ”Nëse gjithë katundet arbëreshe shkruajnë nga një libër siç e shkroi prof. Mario Massaro do të ishim të begatë vërtetë.” E ka thënë bukur apo jo!? Një mendim të ngjashëm për librin e prof. Mario Massaros, ka edhe prof. Agostino Giordano, drejtor i revistës “Jeta arbëreshe”: “Një libër si ky doj botuar te çdo katund arbëresh. Doj shprishur te çdo shpi e katundit. Doj dhënë ndër duart e çdo arbëreshi. Se t’ i kujtonij të djeshmen e t’ i buthtonij (tregojnë) të nesërmen”.
Katundet dhe qytetet arbëreshe sot po kalojnë një situatë shumë të vështirë. Arbëreshët po bëjnë përpjekjet e fundit dhe përpëlitjet e fundit për të ruajtur gjuhën arbëreshe që siç thonë ata “s’ duhet të birret!” ( të humbet), për ta ilustruar këtë, do të sjellë dy mendime brilante të prof. Agostino Giordanos: “Kur një katund arbëresh s’ flet më gjuhën arbëreshe, historia zë e mbëllin librin e saj, zakonet zënë e veshken, kujtimet e shpresat zënë e thahen, gjaku zë e teret. Fjalët nëng përputhen më me mendimet, zëmëra bier udhën e mallit, shpitë nëng foljën më njëra me jetrën, ndë gjitonitë nëng huhet (nuk është më e përshtatshme), ndër rugat nëng këndohen më vjershe.” Te këto fshatra fëmijët, nuk lujnë më arbërisht, nuk këndojnë më arbërisht, nuk zihen më arbërisht, nuk shajnë më arbërisht..! E dhimbshme, me të vërtetë e dhimbshme!
“Qefti e buar (humbi) ritin bizantin, po mban shtrënguar gjuhën arbëreshe, zakonet e të gjitha. S’ i lypset mosgjë për të jetë i thërritur “katund arbëresh”. Ka gjallërinë e duhur. E për fat të mirë, ka edhe kush e do mirë.” E ai është pikërisht prof. Mario, i cili punon ditë e natë për t’ ua mësuar arbërishten të rejave e të rinjve Qeftiotë. Edhe pse rëndojnë vitet mbi të ai vigjilon. Le të shikojmë për një çast sesa çmohet e vlerësohet puna e tij nga bashkëkohësi i tij Agostino: “Mario Massaro arbëresh i vërtetë, e do mirë Qeftin; do mirë gjuhën arbëreshe më shumë se gjithsej. E pat fatin, e motin të mbjith (mbledhë) dokumente historikë e material gjuhësor, leksikor e folklorik të vlershëm të katundit të tij. E me këtë libër ja ngrëjti, me të vërtetë, një monument kulturor të math katundit tij”. I nderuar prof. Agostino, më bëhet sikur m’ i keni marrë të gjitha mendimet, në vlerësimin që i bëni veprës dhe figurës së “Mësuesit të Popullit” Mario Massaro.
Prof. Mario Massaro në monografinë e tij “Chieuti e la sua parlata arbëreshe, Qefti dhe e folmja e tij” ka përdorë edhe aparatin shkencor bibliografinë, gjë që në këto raste është i domosdoshëm. Një kapitull të veçantë i kushtohet linguistikës së Qeftit – Chieutit, nga prof. dr. Imri Badallaj “Particolarita linguistiche della parlata di Chieuti” – “Veçoritë gjuhësore të folmes së Qeftit”. Një kapitull që ia shton vlerat shkencore krestomacisë së prof. Mario Massaros. Duke u mbështetur në veçoritë gjuhësore të Qeftit, nuk është vështirë të konstatojmë se arbërishtja, nuk është asgjë tjetër pos një nga dialektet e trungut të shqipes. Monografinë “Qefti dhe e folmja e tij” në fund e shoqëron një fjalorth i cili është më se i domosdoshëm në libra të tillë dygjuhësh.

Monografia e prof. Mario Massaro është një studim i thukët për Qeftin. Autori bën fjalë për Chieutin që nga parahistoria gjer në ditët tona. Ai shkruan edhe për ritin bizantin në Qefti, ilustron me fotografi ritin e pagëzimit të fëmijëve nga prifti në kishë si dhe të gjitha festat fetare: “Festa e Sënd Vitit”, “Shëmbria Madhe”, “Shëmbria Matregracjes”, “Shëmbria Rruzarit” etj. Ilustrime të tilla me fotografi pothuaj ka në tërë monografinë, këto fotografi etnografike veç asaj që ia shtojnë vlerën, e bëjnë më interesante dhe më tërheqëse për lexuesin librin “Qefti dhe e folmja e tij”.
Në libër janë përfshirë kostumet dhe traditat popullore të Qeftit. Autori veçon zakonin e garave me kuaj dhe tërheqjen e qerreve me qe, te arbëreshët e Qeftit është e njohur si “Të rrjedhurit e qerrëvet”, pastaj riti i përgatitjes së kurorës së djathit e cila peshon 70 kilogram dhe mënyrën tradicionale të përgatitjes së ushqimeve arbëreshe.. Në monografi një vend të merituar zënë: shkolla, sporti, bujqësia në Qefti, që në mugëtirë të shekujve etj.
Komuna e Qeftit (Chieutit) në emblemë ka shqiponjën e Skënderbeut.
Shtrohet pyetja, si i ruajtën arbëreshët për 550 vjet gjuhën, veshjen, adetet, zakonet dhe si mbajtën të gjallë figurën e Skënderbeun!?
Arbëreshët si duket u izoluan, u mbyllën në vetvete, për 550 vjet. Priftërinjtë meshën e mbanin në gjuhën shqipe, le të përmendim këtu “Gjella (jeta) e Shën Mërisë Virgjër” të Jul Varibobës. Arbëreshët i kishin të ndaluar martesat me të huaj gjer nga gjysma e shekullit të XX-të, me ligje të pashkruara! Prof. Mario Massaro ka arritur të shënoë një këngë popullore, e cila bën fjalë për martesën:

Ti mëmë, çë më rrite me hajdhi, (gëzim)
Tata do më nxjerrë te ki dhe! (babi dëshiron të më më largojë, nga këtu)
Do më martonj me një derk lëti, (derr latin)
Po u dua një trim arbëresh gja ne…

Apo

Do këndonj, do këndonj:
Mëma tija do të martonj!
Ngë (nuk) të jep një derk lëti,
Të jep një arbëresh me vreshtë e shpi!

Në këngë shihet qartë se favorizohen martesat me arbëreshë dhe jo me “derrat lëtinë”, dhe se nëna lakmon që të bijës së saj t’ i japë për burrë një arbëresh me vreshtë e shtëpi, pra një burrë të pasur, nga shtresa e lartë shoqërore. Arbëreshët kanë gjetur forma dhe mënyra të ndryshme për të ruajtur identitetin kulturor e kombëtar.
Autori na del edhe mbledhës dhe studiues i pasionuar i folklorit arbëresh për të vilin ka një dashuri të jashtëzakonshme, kështu ai ka mbledhur Fjalë të urta, Përralla, Tregime popullore, vajtime, mallkime, këngë dasme, këngë dashurie, etj.
Kanë kaluar 550 vjet, megjithatë gjejmë disa këngë të ngjashme me këngët popullore që janë shënuar në trojet etnike shqiptare, le të marrë si shembull këngën popullore “Tri bijat”:

Çë burrë do ti bija ime?
Dua burrin uapun. (Të lartë)
Piethi (Pyeti) po të ditën bije? 
Çë burrë do ti, bija ime?
Dua burrin sbirrë. (Tregtar)
Piethi të tretën bije:
Çë burrë do ti, bija ime?
Dua burrin masar. (Bujk – çifçi)

Në variantin shqip, të shënuar në Strugë nga B. Asani dhe botuar te libri “Zura trëndafil me vesë” (Krijimtari popullore nga rrethi i Strugës) 2003, kemi:

Shkon plaka malit-ë,
Me tri të bijat-ë.
Thotë e madhja më marto.
Thotë e mesmja: – Ç’ burrë do?
Unë dua burrë kasap.
Të më yshqe me qebap.
…Thotë e mesmja më marto.
Thotë e vogla: – Ç’ burrë do?
Dua burrin dyqanxhi.
Të më yshqe me leblebi.
Thotë e vogla më marto.
Thotë e ëma: – Ç’ burrë do?
Dua burrin çifçi. (Bujk)
Të më yshqe me lajthi,
Të më mbajë gjithë natën në gji.

Një vend të rëndësishëm, 32 faqe, në librin e prof. Mario Masaro “Qefti dhe e folmja e tij”, zënë Fjalët e urta, frazeologji dhe nëmët (mallkimet). Në vazhdim do të sjellë disa fjalë të urta, frazeologji dhe disa mallkime, të cilat janë përcjellur brez pas brezi gjer në ditët tona qoftë te arbëreshët qoftë te shqiptarët: Dita e mirë duket çë menaten (Dita e mirë duket që në mëngjes), Ngë mund rrahëç adhjurin e rreh samarin ( I bie samarit të dëgjojë gomari), Peshku i madh ha të voglin (Peshku i madh e ha të voglin), Të rrita si lule (Të rrita si lule), Gjithë lehen meshkulle, po pak bëhen burra (Të gjithë lindin meshkuj, po pak bëhen burra), Djali pa jëmë si nata pa hënëz (Djali pa nënë si nata pa hënë), Mos ngul hundën te shpia e tjervet (Mos i fut hundët atje ku s’ duhet), Kush u dogj me ujë të nxehtë, i trëmbet edhe ujit të ftohtë (Kush digjet nga qumështi, i fryn edhe dhalltit), Çë të raft pika! (Të raftë (rëntë) pika!), Ka trutë gja një pulë (Ka tru sa një pulë), Gjaku ngë bëhet ujë (Gjaku s’ bëhet ujë), Si bën shtratin ashtu ngjan këmbët (Sa e ke jorganin shtri këmbët), Gur, gur bëhet mur (Gur, gur bëhet mur), Kushullo pak e duzullo shumë ( Fol pak e dëgjo shumë), Kush ngë ka koçë ka këmbë (Kush nuk ka në këkë ka në këmbë), Më mirë të diç e jo të keç (Më mirë të dish se të kesh), Ai u le me këmishën ( Ai ka lindur me këmishë) etj.
Vepra e prof. Mario Massaro “Qefti dhe e folmja e tij” është një libër sa historik, sa gjuhësor po aq etnografik e kulturor që i kushtohet vendlindjes së tij Qeftit (Chieutit). Kjo vepër ka vlera të çmuara për shkencat albanologjike. Libri “Qefti dhe e folmja e tij” është kënga e mjellmës për prof. Mario Massaron dhe vepër monumentale për Qeftin në veçanti dhe kulturën arbërore – shqiptare në përgjithësi. Me këtë vepër prof. Mario Massaro, Qefti dhe arbërishtja e tij do të mbeten të pavdekshëm. Librin “Qefti dhe e folmja e tij” duhet ta kenë në shtëpi çdo bijë e bir arbërori e shqiptari.

Nju Xherzi, më 18 korrik 2019

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s