Poezi nga Elida Rusta

Poezi nga Elida Rusta

 

Rá nata

Nji grue fjetoren e kthen në qytet.
Diku i flen gaca që e përvlon.
Pak gjumë i varet faqeve si hánë e përlotun.
Çelë sytë e qiejt palohen në faj.
Ka me fluturue sonte drejt qiellit tánd.
Nesër planetet japin dorëheqjen,
planet tjetër má i bukur kalon para tyne.
Mësuesja e puthjeve ásht nált,
atje ku rrinë hijeshitë,
larg pluhnit memec e baltës llafazane.
Asnji ves nuk ka veç dobësi.
Udhëton drejt ferrit.
Ai s’ka si me qenë má i frikshëm se ai i vërteti
mbas teatrit.
Kqyr mes alpesh mos sheh një dorë
tuj nisë puthje,
shi yjesh i bjen mbi shpirt.
Flokët i shkuli shekullin e kaluem.
Veç tuat i kanë mbetë me u mbajtë për to.
Çdo sekondë të lirë e merr malli për ty
edhe njëfarë dhimbjeje si ajo e ushtarit
që nuk mujti me e pshtue shokun në luftë.
Asht mësuesja e zogjve,
ajo kthehet çdo vjeshtë,
si pema që ua ruan folenë zogjve shtegtarë.
Ndalet në bosht,
ia merr frymën globit njimijë diejsh,
ndez zjerm
ndër varre kujtimesh të varrosuna përngut.
Zgjidhje moderne për njerëz t’vetmuem.
Ndryshe nuk kalohet stina e nxehtë.

 

***

Këtu rá nata,
ti je gjashtë orë má i ri se unë.
Herët nesër,
kam me t’i numërue rrahjet e zemrës para zgjimit,
Në qytetin me xhami t’bukura,
me u deh me shpirt,
alkool as kokainë s’ka,
ose e shesin msheftas,
si t’gjithë burrecët e Ballkanit.
Unë pá lëkurë
poshtë kmishës tánde
e bukur báhem si det,
det kuarci plot xixa,
shtrigë e krojeve t’Shkëlzenit,
shpirti yt pa tru.
Hajde shpirt!
T”mshefena bashkë
në kafkën e Statujës së Lirisë,
flakën e dashnisë ta ndezim me pishtarin e saj.
T’u mësojmë anijeve
portin e mbrojtun prej shtrëngatave,
mësojmë qysh báhen fmi e zogj me puthje.
Hajde biem në Shkodrën prej Venediku
t’ja shtim’ flakën edhe gjumit…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s