ARRATIA E TRURIT DHE GANGOT SI HERONJ TË DITËS / Nga: Hamit TAKA

ARRATIA E TRURIT DHE GANGOT SI HERONJ TË DITËS

 

Nga: Hamit TAKA

Trendi i largimit të inteligjencës nga vendi ka shumë faktorë që e stimulojnë. Dhe nuk besoj se janë vetëm ca vështirësi reale, për shkak të gjëndjes së trashëguar nga sistemi i kaluar, papunësia ose punët e rëndomta që u afrohen intelektualëve jashtë profesionit të tyre, pagat e ulëta apo pasiguria. Gabimi fillon që te mosvlerësimi i individit. Gangot janë heronjtë e ditës. Dhe ata gjënden kudo: në parlament, në qeveri, në administratë, në biznese, në rrugë… Për ambientin tonë social shqiptar mungon thellësisht zhvillimi i sensit moral dhe kjo sjell varfërimin e anës kulturore dhe uljen e nivelit të këtij ambienti, spse zotër të tij bëhet pikërisht kjo pjesë shoqërore, që është përfaqësuese e jointeligjencës. Në këtë mënyrë krijohet një atmosferë tepër e varfër dhe vdekjeprurëse, e cila përvuan të qëndruarit dhe të jetuarit në një ambient të tillë, ku nuk arrin të ushqehet shpirtërisht dhe të vërë intelektin në shërbim të progresit. Bëhet shumë e vështirë, bile ndonjë herë e pamundur për të evidentuar vetveten, për të krijuar vlera të reja dhe për t’i vënë ato në shërbim të zhvillimit. Një teser partie, militantizmi apo një diplomë falso mund të jenë shumë herë më të dobishme për individin se një diplomë e rezultateve të larta. Ndodh që femrat të zgjidhen për portretin fizik e jo për meritokracinë. Kjo atmosferë e rëndë psikologjike me pasoja fatale ndikon direkt në të tillë përfaqësues të këtij grupimi apo shtrese shoqërore. Pa pasur zgjedhje të tjera, duke jetuar me të kundërtën e kërkesave dhe aspiratave të tyre, pa dashje do të bien në të njëjtin nivel të ulët, duke u vetëshkatërruar ose do të kërkojnë një zgjidhje për t’u larguar dhe për të gjetur vetveten diku tjetër, larg shoqërisë së tyre, në një shoqëri tjetër, e cila i afron shumë më shumë. Jashtë ambjentit të tyre shoqëror, social, në një tjetër më të lartë, ku gjejnë mundësinë të rriten në vetvete dhe përsosen më tej, nëpërmjet shkollimit apo eksperiencave të tjera shumë të vlefshme që konfrontojnë. Secili nga ne di me dhjetra e qindra raste për të rinj e intelektualë të suksesshëm në vende të tjera europiane, në Amerikën e Veritut apo kontinente të tjera. Sa prej tyre, shkrimtarë, artistë, këngëtarë,ish-gazetarë, mjekë, inxhinierë etj. jo vetëm kanë krijuar akses për vete e për familjet e tyre, por bëjnë edhe përpjekje për të promovuar vlerat e vendit të tyre, folklorike, turistike, artizanale e ato krijuese të njerëzve tanë… Gjë që u shpalos me përmasa europiane në zgjedhjet për parlamentin e BE, ku u evidentuan mjaft femra e burra të mirëpritur e mbështetur nga votuesit e shteteve ku u propozuan. Dhe vjen një moment ose shpesh ndodh kjo gjë, që këta njerëz pyesin veten: “A do të doje të ktheheshe atje ku ishe?”. Pse jo, është një pyetje shumë e dhimbshme që i bën një intelektuali apo i riu vetvetes, por më e dhimshme është dyshimi për të bërë këtë hap, mossiguria se gjërat do të shkojnë mirë. Të flasim hapur, jemi mes nesh, mes shqiptarësh. Çfarë na afron Shqipëria sot? Përveç autoritarizmit e arrogancës së pushtetarëve, korrupsionit galopant, përplasjeve politike, shenjtërimit të emisarëve të huaj, luftrave banale për t’u mbijetuar mentaliteteve të vogla, injoracës dhe boshllëkut, çfarë tjetër? Unë jam shqiptar, ndihem mirë për këtë dhe do të mbetem i tillë, kurrësesi s’e kam mohuar dhe s’do ta mohoj prejardhjen time. Besoj se të gjithë do ta bëjnë këtë, veçanrisht brezi i ri i intelektualëve. Për këtë na ndihmojnë Nënë Tereza, Sami Frashëri, Aleksandër Moisiu, Inva Mula, Arba Kokalari e sa e sa të tjerë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s