Mbresa nga vizita në Tiranë – Niels Hav, poet, Danimarkë / Përktheu në shqip Kujtim Morina

Mbresa nga vizita në Tiranë


Nga Niels Hav, poet, Danimarkë

https://www.gazetaobserver.com/nje-kujtese-e-cmueshme-dhe-frymezuese/?fbclid=IwAR1iNJuued608NlUssnLrShx8FkVgta04XPzE0Lx93n6mLvd5HvUiF47k0A

Ky shkrim është dërguar nga poeti danez Niels Hav në dhjetor 2016, një muaj pas pjesëmarrjes së tij në panairin e librit në Tiranë me rastin e botimit të librit të tij me poezi ”Shpirti vallëzon në djep” nga OMSCA-1. Autori e dërgoi këtë shkrim së bashku me një tjetër ’Poezia në Kopenhagen dhe në vende të tjera” por shkrimi i parë nuk u botua atëhere sepse ishin botuar një sërë shkrimesh për pjesëmarrjen e tij në panair dhe u la për më vonë. 

2016 ka qenë një vit i trazuar me shumë ngjarje dhe ndryshime të rëndësishme në skenën politike globale. Ndjehet një nervozizëm i ri në demokracitë perëndimore, askush nuk e di çfarë do të vijë pas. Një ndryshim kyç ishte rezultati i zgjedhjeve amerikane me Donald Tramp si president i ardhshëm. Në ditët kur ndodhi kjo, unë isha në Tiranë. Një vend i përkryer për të ndjerë pulsin e së ardhmes. Shqipëria ka përjetuar ndryshime të konsiderueshme në njëzet e pesë vitet e fundit dhe njerëzit këtu e dinë shumë mirë që koha është një lumë në lëvizje të pandërprerë.

Kur iu tregoni kolegëve në Skandinavi që do të shkoni në Tiranë për një panair libri, kjo zgjon ca kuriozitet dhe habi. Të gjithë kanë dëgjuar për Shqipërinë por vetëm disa e kanë vizituar. Të rriturit kujtojnë imazhe nga një vend i mbyllur, të mbërthyer në grackën e tiranit dhe dinë diçka për vitet pasuese të karakterizuara nga varfëria dhe korrupsioni. Fakte historike që kanë sjellë që gjysma e shqiptarëve aktualisht jetojnë jashtë vendit.

Libri im “Shpirti vallëzon në đjẹp” sapo është botuar në përkthimin shqip dhe kur mora ftesën bujare nga Luan Pengili dhe shtëpia botuese OMSCA-1 për të ndjekur panairin e librit, menjëherë m’u krijua vetëdija që duhet të shkoj. Natyrisht, doja ta mbështesja librin dhe këtë projekt kurajoz me aq sa të mundesha.

Historia e këtij botimi është se 11 vjet më parë, unë takova Kujtim Morinën në një festival poezie në Tetovë, organizuar nga Shaip Emërllahu. Ne u bëmë miq dhe pas festivalit, Kujtimi përktheu disa nga poezitë e mia për një revistë shqiptare. Ai është një njeri i ngarkuar, poet dhe diplomat por në vitet pasuese, ndërkohë që ishte ambasador në Kuvajt, ai vijoi të përkthente më shumë poezi. Ne shkëmbyem ide dhe përjetime- dhe për dhjetë vjet Kujtimi vazhdoi të lëmonte përkthimet e tij dhe të përkthente poezi të tjera- derisa mbërriti t’i jepte dorën e fundit këtij libri. Unë jam shumë mirënjohës për këtë përpjekje. Mendoj se e gjithë koha dhe kujdesi që ai i ka kushtuar këtij përkthimi është tani në këtë libër si një cilësi e veçantë.

Kur mbërrita në Tiranë, panairi i librit ishte tashmë në ritëm të plotë. Kujtim Morina dhe Alisa Velaj më morën nga aeroporti, në një pritje të ngrohtë. Unë dhe Kujtimi nuk ishim parë prej 11 vjetësh por menjëherë u ndjemë sikur kishim qenë bashkë një ditë më parë. Pasi u vendosa dhe lashë bagazhet në hotel Firence Tiranë, një hotel i vogël joshës në Bulevardin Zogu I, dola për një shtëtitje të shkurtër ku Kujtimi dhe Alisa më treguan me gjallëri historinë e qytetit si dhe ndërtesat dhe monumentet e rëndësishme. Pastaj, kaluam një drekë të mirë në restorant “Natyra e qetë” i cili siç e thotë edhe nga emri ishte në një vend të bukur dhe dukej si një kështjellë mesjetare piktoreske. Mësova se në Shqipëri dreka është vakti kryesor i ditës, i shërbyer dhe shijuar pa nxitim.

Në panair, u pritëm ngrohtë nga Luan Pengili dhe stafi i tij i zënë me punë. Stenda e OMSCA-1 në katin e parë, rrethohej nga shtëpitë kryesore botuese dhe pirgjet e mëdhenj të librave. Ishte mbrëmje dhe errësira ndjehej jashtë, por aty kishte një mizëri të lexuesve të etur që nuhasnin përreth me kureshtje stoqet e librave të rinj. Aty kishte për të lexuar për të gjithë, romane bestseller, libra udhëtimi, filozofi, libra gatimi dhe materiale të përkthyera nga të gjitha qoshet e botës. Ne, shkrimtarët e duam këtë atmosferë, njerëz të lumtur dhe libra të freskët. Miq të vjetër takohen dhe shtrëngojnë duart, grupe të rinjsh studentë vërtiten përreth duke shpresuar të bëjnë një zbulim të papritur. Veçanërisht filozofia, mendoj unë, merrte më shumë hapësirë këtu sesa në disa vende të tjera. Mbase shqiptarët janë një komb filozofësh.

Ditën tjetër, libri ynë u promovua në një event special në sallën e konferencave në katin e parë të Pallatit të Kongreseve. Për mua, ajo ishte një kënaqësi e madhe për të takuar miq të vjetër aty. Veçanërisht për të përqafuar Eqrem Bashën që kishte ardhur nga Prishtina. Ai ishte miku im i parë ndërmjet poetëve shqiptarë, ne ishim takuar shumë vite më parë në Rumani. Kam në shtëpi librin e tij ’As plagë as këngë”. Takimi me Eqremin përsëri ishte një festë.

Luan Pengili si moderator i eventit iu shprehu mirëseardhjen të ftuarve. Ai ia dha mikrofonin Virion Graçit i cili në një reçensë të njëmendtë përmblodhi përmbajtjen e “Shpirti vallëzon në đjẹp” dhe bëri një analizë të mirë të poezive. Pastaj Kujtim Morina foli për punën e tij me përkthimin. Të tjerët folën gjithashtu dhe bënë komentet e tyre, kishte një atmosferë me të vërtetë meditimi letrar. Takimi u zhvillua në një mjedis të ngrohtë dhe të hapur.

Të përkthehesh në një gjuhë të re është si të biesh në dashuri përsëri dhe të jesh anëtar i një familje të re. Unë jam i lumtur për familjen time të re shqiptare dhe jam krenar që libri im është botuar nga OMSCA-1 pa mbështetjen e ndonjë fondacioni. Ai është një libër i shitshëm besoj! Luan Pengili është një botues kurajoz që meriton respekt, ai mori riskun dhe botoi një përmbledhje të përkthyer të poezive me shpresë për të shitur disa libra. Jam krenar që poezitë janë përkthyer con amore nga Kujtim Morina si një tregues i vërtetë i dashurisë dhe frymëzimit.

Në mbrëmje po atë ditë kishte një aktivitet në teatrin ”Aleksander Moisiu” në Durrës, organizuar nga Mimoza Erebara, Alisa Velaj dhe miqtë e tyre, Teuta Dhima, Dalina Beshiri dhe Marisa Kerbizi, të gjithë kontribuan për ta bërë atë një mbrëmje të paharrueshme. Alisa Velaj ka një lidhje në Danimarkë dhe shërben- pa pagesë- si një ambasadore jozyrtare e kulturës daneze. Çdo gjë ishte e mirë planifikuar dhe e realizuar shumë bukur, kishte muzikë dhe këngë, poezitë u lexuan në shqip dhe danisht me një audiencë të gjerë. Përpara aktivitetit, bëmë një shëtitje të shkurtër dhe pas leximit hëngrëm darkë në një restorant buzë detit. Mora përshtypjet e një qyteti të dashur, Durrësit, jo shumë larg nga Parajsa.

Ditën tjetër takova studentët e Universitetit “A. Moisiu” në Durrës. Dekani Muharrem Jakupi na priti në një event emocionues. Rreth 100 studentë entuziastë recituan poezi dhe bënë pyetje. Atmosfera ishte vërtet e gjallëruar. Kur kishte nevojë, Alisa Velaj bënte përkthyesen por pjesa më e madhe e studentëve flisnin një anglishte të mirë. Të takosh të rinj në një universitet është si të vësh gishtat në pulsin e zjarrtë të së ardhmes. Studentët ishin të mirë përgatitur dhe kishe përshtypjen e një niveli të lartë akademik. Me të gjithë këtë energji të re të bazuar në kulturën e lashtë, Shqipëria është e pajisur mirë për të përmbushur sfidat e së ardhmes. Disa nga studentët lexuan gjithashtu poezi të tyre dhe Muharrem Jakupi lexoi një poezi të fuqishme për babain e tij. Kaluam një mbasdite të mrekullueshme me poezi.

Në mbrëmje u kthyem prapë në panair në Tiranë për të ndjekur një seminar mbi Ismail Kadarenë-ftesa erdhi nga Ndue Ukaj, një shkrimtar i mirë nga Kosova që flet suedisht. Ai mbajti një fjalë për Kadarenë, kampion ndërmjet shkrimtarëve shqiptarë apo i pari mes të barabartëve që ishte titull për eventin gjithashtu. Ndue dhe gruaja e tij Edita Kuci Ukaj janë miq të vjetër të dashur, ata kanë jetuar në Suedi dhe kanë përkthyer nga letërsia suedeze në shqip. Ata janë një lidhje e rëndësishme ndërmjet Skandinavisë dhe Ballkanit dhe të jesh më ta është gjithnjë një kënaqësi e vërtetë- ata mbajnë një standard të lartë dhe jetojnë në një atmosferë me buzëqeshje dhe humor të mirë.

Për mua, ato ditë në Tiranë janë një kujtesë e çmueshme dhe frymëzuese. Jetojmë në kohë të trazuara, bota po pëson ndryshime të jashtëzakonshme. Luftërat vazhdojnë pa mbarim, njerëzit ikin nga dhuna dhe dëshpërimi. Në mes të gjithë këtyre që po përjetojmë tani, sfida është të zbulojmë çfarë po ndodh.

 

Diçka ka ndodhur

Ne duam të lëmë gjurmë
me fjalë.
Por gjuha nuk është shpikje personale.
Të dashurosh, të brakstisesh;
të zbulosh orën që numëron sekondat
brenda trupit tonë. Dhimbjen që del në dritë
xhindosjen,
brengën e pashërueshme. Gjuha i di të gjitha këto.

Çfarë është atëherë vetja jonë? A është e mundur
që eksperiencën personale
ta lidhim me fjalë
që nuk janë thjesht konvencionale?
Të bëjmë një shtesë?

Diçka ka ndodhur, diçka e madhe,
ende nuk mund ta shpjegoj
çfarë është.
Deklarimet e tradhëtojnë vetveten.
Unë duhet ta pranoj sikletin tim-
dhe të dëgjoj fjalët
që riprodhojnë realitetin
ngado.

 

Detyra

Të zgjohesh natën me një tru të mbushur me trillime
të çmendura nuk është edhe aq e këndshme,
shumicës së njerëzve iu duhet të përballen me një monstër.
Disa duhet të marrin ilaçe për të duruar dhimbjen,
për t’i mbijetuar një humbjeje ose rënies në depresion.
Ata ndjehen totalisht të braktisur dhe vetëm
para kuçedrës- kështu është.
Djalli sillet përqark si një luan që ulërin.

Të tjerët mbahen me çfarëdolloj droge në tregun e pakicës:
duhan, kafe, alkol, ushqim pa hesap
ose bien në asketizëm. Disa e kalojnë duke u harruar
në punë ose në pasione të tjera të mëdha.
Ne ndërtojmë perandori të vogla me shpresën se do të shërbejnë
si pika referimi për shpirtrat tanë të pastrehë,
ditën që avullojnë nga trupat tanë dhe shkojnë në amëshim.

Të gjithë duam të lëmë gjurmë, si një falënderim
për lejen që na është dhënë për të shkelur në tokë dhe për t’iu gëzuar
bukurisë së saj; për lejen e dhënë për dashuri e urrejtje
aq sa mund të bëjë një trup normal me një sjellje normale.

Detyra për ne është të dëshifrojmë eksperiencat tona të zakonshme;
tmerrin dhe mjerimin që na rrethon, ndotjen
e rrobave tona dhe depërtimin e helmit në trup.
Për të dalluar çfarë po ndodh, dhe nëse është e mundur
për t’i thënë gjërat siç janë.

 

Përktheu në shqip Kujtim Morina

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s