Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Emër

Ma thuaj pra,ma thuaj ti,
Çfarë është për ty ky emri im,
Mos vallë është melodi deti,
A vesë luleje në agim?

Mos është thjesht një gjurmë e mekur
Që koha fshirë e ka vërtet,
A mos ndoshta këtë emër ,
Moda e nxori të pa vlerë?

Ashtu qëndisur mbi portret,
Me fije ari e lule fushe,
Nuk është thjesht një mbishkrim,
Mbi kartë memece me herioglife.

Le të mbetet pra,krejt i harruar,
Mes dallgësh e stuhish pa fund,
Një ëndërr thjesht e parealizuar,
Që ëmbël shpirti e përkund.

Nëse një ditë të mbyt trishtimi,
Më thirr në emër, më thirr me zë,
Dhe mes imazhit të një kujtimi,
Është emri im që mbi buzë të fle.

 

Mungesë

Shumë herë për nënën, baba kam shkruar,
Por e di që ti s’më mban inat,
Tani nuk më thua më si dikur,
“Po ti nënën do më shumë moj vajzë”!

E di baba, që nuk më mban inat,
Që për nënën shkrova më shumë,
E di që hatri nuk të ngelet aspak,
Që për nënën fjalët i derdha si lumë.

Por ti e di baba, që shumë më mungon,
E mungesën ta ndiej çdo ditë,
Ishe ti që s’u ndale në ditët e mia më të errëta,
Ashtu të lodhur të gjeja,me çadër në kokë,
në shi,pas derës së fakultetit.

” Do ia dalësh moj bijë”,sa shpesh më thoshe,
Dhe lehtë më buzëqeshje me cep të buzës,
Por vështrimin e ashpër s’e heq nga mendja baba,
Sa herë që jeta më lodhte rrugës.

E di baba, që hatri nuk të mbetet,
Sepse të dy ju desha aq shumë,
Tani që jam nënë e di shumë mirë,
E kush ju deshi baba më shumë se unë!

Dhe ti këtë baba,e di fort mirë,
sepse frymove me sytë tek unë,
Nuk ike pa më parë për të fundit herë,
E unë tuajin kujtim e mbaj thellë në gji.

Tashmë nënën ta solla baba, si sot e një vit,
Ashtu të drobitur, si përherë,
Ma hiq pra mallin që plagë më është bërë,
E duaje edhe për mua,përgjithherë!

 

Mos më quaj të dobët…

Mos më quaj të dobët
nëse me lot në sy më sheh,
gruaja nuk është e dobët,
është shelg jete ndanë vijës së ujit,
e ka barkun ugar,
shtrat lumi,
lirishte pylli e ka,
çelin lule brenda shpirtit të saj,
njomishte është shtati i saj,
kurm kundërmues me aromë lule fushe.

Mos më quaj të dobët
nëse mbi faqe loti më rrëshqet,
nëse mjekra më dridhet,
nëse vendi s’më zë,
nëse me nerva ta kthej fjalën,
nëse sytë pishë më bëhen,
nëse si bishë ulëras,
nëse të brishtë më sheh
mbi kokën e bijve të mi.

Mos më quaj të dobët pra,
sepse jam nënë
shtrat bëhem për bijtë e mi,
ashtu si mëma tokë
që të gjitha i bart në fytyrë të saj.

Mos më quaj të dobët
nëse zemra më dhemb prej merakut,
dhemb e shkreta zemër,
sepse frymon një mijë fish.

Mos më quaj të dobët
nëse harroj ç’më the,
mos më quaj,
sepse mendjen e kam çdo vend
e askund s’e kam veç bijve të mi,
sepse ata janë nervi i trurit tim
që pulson pa mbarim,
janë çastet e mia të trishta,
janë shekujt e mi të gëzimtë,
janë buzëqeshjet e mia të qelizta,
janë dita ime e njëqindmijtë.

…janë…janë…janë…
…mos më quaj të dobët pra…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s