Poezi nga Vaso Papaj

Vaso papaj 1

Poezi nga Vaso Papaj

 

 

Aromë gruaje

 

Aromë gruaje.
Det,
Dallgë.
Dua të zhytem,
Aty,
Me të, të mbytem.

Aromë gruaje.
Gur,
Shtatore
E latuar.
Aty,
Shpirti më ka qetuar.

Aromë gruaje.
Fllad,
Drithmë
Po dhe tufan.
Aty,
Do të bëhem kurban.

Aromë gruaje.
Shi.
Oh, ç’shi!
Vetëm shi.
Aty,
Mbetem përherë i ri.

 

 

 

Kilometra

 

Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Seç më mbyti hapësira.
Retë më ngjajnë me egërsira.
Për çdo natë avionë, tragete.
Të mbaj në mendje, me vete,
Po me duar kurrë s’më preke,
Larg se larg përherë më mbete.

Kilometra,
Mijra kilometra, mijëra!
Të gjitha për një natë t’i lija,
Veç një herë pranë të të vija.
Zot, t’më bëje një trumcak!
Të çukitja atje në prag!
Mëngjesi të më mirrte prapë!
Le të qe dhe çmendurak.

Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Po shoh ëndrra me çudira.
I kaloj në çast të gjitha,
Dete, po dhe kontinente,
Veç ti larg, e vetme mbete.
Duar zgjat e kurrë s’më preke.
Si t’ia gjej anën kësaj jete!?

 

 

 

Qentë

 

Qentë po ulërijnë,
Grumbull, në kopè.
Vallë, po ndjejnë urinë,
A po ndajnë një prè?!
Qentë po ulërasin,
Zgjojnë ëndrrën që fle
Herë zhvaten, herë zhvasin,
Gjumit po i venë fre.
Hëna vetullshkruar,
Ndriçon zbeht mbi re
Herë dremit, herë zgjuar
Më lart vetull ngre.
Ora ka ndaluar,
Akrepa ngrirë mbi dhè,
Puthjen akulluar,
Ma kthen kjo kopè.
Ora tre e natës,
Tre e njëzet e tre…

 

 

 

Sa herë

 
Sa gjëra kanë ndryshuar në jetë
E sa kanë mbetur njëlloj.
Sa herë poshtë kam shkuar, vërtet,
Po s’kam thënë: gjithçka mbaroi.

Sa herë kam menduar në jetë,
Të bëj vetëm atë që dëshiroj,
Po në sy më ulej tjetër realitet.
Rrëshkiste nëpër gishta si rëra, njëlloj.

E sa gjëra kam menduar tashmë,
Që s’do të kthehen për ne të dy,
Po kurrë s’kam menduar një gjë:
Se mund të bëja pa ty.

 

 

 

Kapriço vere

 

U sulen retë, tabore lufte
E zbritën turravrap.
Me bajoneta zhveshur krejt,
Vetëtinin nëpër natë.

E kuturisën përmbi tokë
Me shpata farfuritëse.
Si djersë e gjak, shiu me sqotë
Përplasej mbi zhurishte.

Dhe zemra e tokës alivanosur
Nga dhimbja e goditjes.
Po bredha dhe ullinj plagosur,
S’i tuteshin përpëlitjes.

Në dhomë ca kërkëllima dere
Dhe një shqetësim i shurdhët.
Godisnin xhamat vrunduj ere,
Si t’kishin humbur udhët.

E unë trimoshi i kalamendur,
Që terri veç më fshihte,
Dëfreja si spektator i çmendur,
Se zemra më regëtinte.

Por qiell e tokë si gladiatorët,
Erdh fundi u dorëzuan.
E mbajtën frymë dhe spektatorët,
Nga dhimbja u qetësuan.

Mëngjesi erdhi krejt i pastër,
Nuk dukej më gjurmë dhune.
Në dhomë vërshoi një dritë e qashtër,
Mbi det një vallëzim shkume.

E se nga vanë shkulmet e erës,
Tis mjegulle nuk dukej.
Një shurdhërimë ujrash të verës,
Po toka s’tundej, s’tundej.

E befas nga një strehë e gjumit,
Një cicërimë zogjsh niste.
U shterrën të mbramet pika të lumit,
Që faqeve të thikëta shkiste.

Ja, më në fund, një qielli i hapur…
Përndritja i ndërroi faqe.
Dhe lumi i kohës, qoftë i kapur,
Na e la shpirtin në paqe.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s