E bukura shpirtërore në poezinë e Xhemile Adilit (Refleksione mbi librin “Erë erosi “ të poetes Xhemile Adili ) / Nga : Fatmir Minguli

 

E bukura shpirtërore në poezinë e Xhemile Adilit

(Refleksione mbi librin “Erë erosi “ të poetes Xhemile Adili )

 

 

Fatmir-Minguli

Nga : Fatmir Minguli

 

 

Fare mirë titulli i librit të fundit të poetes Xhemile Adili “ Erë Erosi”, mund të ishte thjeshtë “Eros” por poetja është tepër e ndjeshme dhe pranon më mirë erën e erosit, një delikatesë që troket pothuaj në të gjitha poezitë e këtij libri.

Eshtë libri i gjashtë i autores kur i pari, “Kush i shkundi mollët” është botuar në hershmërinë e vitit 1995 duke startuar bukur në botën poetike të saj e më pas merr frymë në librin e dytë “Pasi ndalet shiu” në vitin 2002 e duke mos ndalur për të ardhur në botimin e katër librave të tjerë në 2015-2106.

 

 

xhemile adili - 1

Xhemile Adili

 

Preferova të reflektoj me poezitë e librit të fundit sepse aty gjej më mirë gjithçka poetja ka konçentruar në jetën e saj prej gruaje, bashkëshorte, nënë, atdhetare dhe poeteje. Kjo preferencë lidhet dhe me një fenomen të çuditshëm- do ta quaja- një fenomen që kjo poete ka bërë hapa të pabesueshëm në lëvrimin e poezisë. E qartë plotësisht për atë që shkruan, e bindur për vargun e gjetur artistikisht, e qetë dhe stoike në atë që ajo bën, pra një e pavarur kërkund e te asnjënjeri, kjo është poetja Xhemile Adili.

Kjo preferencë që unë kam tek shkruaj refleksione për librin e gjashtë “ Erë eErosi” lidhet dhe me një situatë tjetër, me një situatë të shpërthimit poetik ku një libër nuk ngjan me tjetrin, ku poezitë e shumta për dashurinë kanë pamjet e veçanta kaleidoskopike, ku ritmi është përherë në ngritje dhe muzikaliteti shoqëron vazhdimisht çdo poezi.

Dhe të gjitha këto veti nuk shprehen vetëm te librat e botuar por edhe në kompozimet e krijimeve poetike, në cikle me poezi që ka botuar në organe të ndryshme letrare e sidomos në rrjetin social Facebook e indirekt në faqet letrare që kombinohen aty, ku spikat “Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë “Mugullimi” Kërçovë.

Përse Xhemile Adili boton në facebook poezi të saj? Ajo ka një konceptualitet modern për poezinë e sotme e për më tepër ajo ashtu e patundur në botkuptimet e saj për jetën, di të vërtisë vargun poetikisht, bindshëm dhe me përmbajtje të reales. Prandaj është e hapur ndaj mendimeve të lexuesve, duke vjelur ato kritika të mundshme që i bëhen apo dhe pëlqimet, të cilat e entuziasmojnë.

 

 

13390969_640527536096149_1400930294_n

Erë erosi

 

Në librin “ Erë Erosi” vërehen metafora të goditura dhe funksionale. Ato janë sa befasuese aq dhe praktike të cilat lëkunden midis konkretes dhe një abstrakteje, por që mbështeten në tokën e jetës së Kërçovës, të shqiptarëve kudo që janë. Në poezinë “Pena ime arkeologe” pena e poetes rrëmon në lashtësinë e qytetit prej guri dhe që nga thellësitë e shekujve nxjerr në dritë diellin e sotëm, lirinë e shumëpritur.

Qyteti im prej guri

I lutej penës sime,

T’i japë pak sy të shoh dritën, edhe diellin,

E mua m’u rrënqeth trupi,

Duke e përkëledhur me mollëza gishtrinjsh

Qytetin prej guri.

Ah pena ime ku s’u fute!

Dhe arkeologe u bëre,

Kaq me kujdes gërmove

Mbi qytetin prej guri.

Në shumë poezi të këtij libri, dashuria zë një vend të dallueshëm duke e kthyer dashurinë jo si qëllim në vetvete, si ndodh rëndom ndër poetë e poete, por si një tharm të jetës sonë. Në poezitë “Takim pas vitesh”, “Shtegu i shpirtit të bardhë” , “Eja ti me yjet”, do të gjejmë dashurinë njerëzore mbushur plot me ideale optimiste për jetën, ndonëse në poezi të tjera, ndeshemi dhje me një pezimisëm që është i justifikuar për poetët.

Tek thur poezitë e ndryshme të këtij vëllimi, Xhemile Adili ndërton poetikisht, plot me metafora të guzimshme raportet e të kundërtave të natyrës. Dielli dhe vjeshta, nata dhe gjurmët e humbura, muzgu dhe agimi, ku mbizotëron figura madhore e Diellit. Dielli për poeten Xhemile është gjithëcka, burim i jetës dhe i erosit, ushqyes i natyrës dhe deri “ arnues i plagëve” apo “ thur gishtat me rreze dielli”. Por poetja i trembet edhe një raporti tjetër që është i lidhur me jetën, vdekjen. Ndryshe ajo e sheh atë jo si apokalips por si një të vërtetë të jetës veçse poetja e fut kudo si një metaforë kundërshtuese tek e thërret atë:

Ti shëtit e ftohtë

Nëpër lëkurën time të ftohtë,

Ashtu si je,

E ftohtë dhe dhe e verbër

Me prekje akull,

Po unë nuk të ndjej,

As nuk të shoh,

Edhe pse të di përmendsh.

Ajo që të bën përshtypje në poezinë e Xhemile Adilit është gjeografia e larmishme shqiptare. I shkon për shtat të këndojë për Vaçe Zelën, t’i këndojë Strugës bukuroshe, Lasgush Poradecit, vajzës përmetare, detit të Durrësit etj.

Poezitë e Xhemile Adilit janë në një ecuri të mbarë, sepse ajo është plot fantazi, plot mbresa nga jeta ku dhimbja dhe gëzimi i jetës janë si hijet e natës me ngazëllimin e agimit plot diell. Duke u mbështetur në format moderne të figuarave letrare të guximshme ku metafora nuk është thjeshtë metaforë, ajo “gjuan” me topa artistikë kudo, në çdo aspekt të jetës, pa u ndrojtur, pa hezituar, prandaj poezitë e saj marrin aromën e disa krijimeve të poetëve francezë, ku nuk ka prozaizëm, ndërtim fjalësh si tullat e një muri. Ajo përndryshe gdhend, duke e sjellë poezinë në forma të këndshme, me përmbajtje serioze e me mendime që e tejkalojnë rutinën e njerëzve të zakonshgëm.

Por jo më kot poetja Xhemile Adili merr pjesë në disa manifestime poetike jo vetëm në Kërçovë. Ajo me gjallërinë e një burrneshe konkuron dhe e kërkon garën, pa aspekte të inferioritetit, me një bindje prej të dituri.

Më vjen mirë të përsëris atë që shumë miq tanë të përbashkët thonë për manifestimet poetike të Kërçovës: ”Eshtë Hyjnesha ilire Thanë e cila i mëkon poetët dhe i bën ata të fluturojnë lart mbi krahët e Pegasit”. Se sa e vërtetë është kjo mjafton të asistosh në një nga netët poetike, qershorëve të Kërçovës. Të gjithë recitojnë poezitë e tyre deri në agim, aty në freskinë e pyllit të Knezhinës, aty ku ajri i pastër dhe optimizmi i poetëve hynë në rezonancë të përjetshme.

Poetja Xhemile Adili është një nga këto poete, që aspirohet edhe nga hyjnesha Thanë, edhe nga jeta e lirë e shqiptarëve.

Libri “Erë Erosi” është thjeshtë një hallkë në gjerdanin e bukur të poezive të Xhemile Adilit. Me bindje them se ajo do të vazhdojë me këmbënguljen e një studjueseje dhe me muzën frymëzuese të natyrës së Kërçovës.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s