HYJNESHA BLU E LIRIKËS EROTIKE – Një vëzhgim mbi librin me poezi ““Trëndafil i djersitur” i poetes Fatime Kulli / Nga : Agim PEPA

 

13820579_10208469111078930_832435664_n

 

HYJNESHA BLU E LIRIKËS EROTIKE

 

Një vëzhgim mbi librin me poezi ““Trëndafil i djersitur” i poetes Fatime Kulli

 

 

Kam në dorë vëllimin me poezi “Trëndafil i dirsur” të poetes Fatime Kulli. Ky vëllim vjen tek ne, jo me fytyrën e një poezie klasike. Në gjetjet e kësaj autoreje shohim se na vijnë situata sa origjinale aq dhe emocionale dhe nuk kemi si të mos mbetemi të befasuar. Është një arsye që më çon të mendoj për vlerën e këtij materiali. Një koncept i hijshëm njerëzor në komunikim te kjo shoqëri që po ndërtohet, demokratizon dhe përligj mendimin e fjalës së lirë. Meqë më duhet të pohoj se: “Jeta nuk është një synim për t’u arritur por një udhëtim”, atëherë në proceset e ecjeve përpara, njerëzit duhet të rendin pas asaj shoqërie që mban në gjirin e vet njerëz të zgjuar, të krijojnë me ta marrëdhënie në bashkëjetesë dhe në s’mundeshin të radhiten me ta krah tyre, le të përftojnë nga ndjenjat dhe mëndja e tyre. Kështu, duke iu qasur më pranë kësaj dëshire, i kudondodhur, mendoj se këtë fat e kanë poetët. Një francez thotë: “Shqipërinë e bënë poetët”…

…Në vazhdë “Ata që e njohin diellin një orë përpara të tjerëve”. Dhe mbetem gjithmonë te këto pohime, që prodhojnë ndjenja çdo ditë dhe çdo orë… “Trëndafili i dirsur” më afron përpara orët  e bukura në mendime që të ngacmojnë ndjenjat e që më bëjnë, të kërkoj sa më parë origjinën e thinjave të mia. Rikthim në rini… Ky libër është ai trupëzim që synon dashurinë dhe gëzimin njerëzor. Në pasionin e kësaj autoreje shoh ekzaltimin e heroinës së erosit, liçensiozen që, po ta përkthesh brenda atij konteksti ku ndiqet udhë e bukurisë, le t’i themi e shthurur, se po ta lexoj më dashurisht, ajo nuk të çon kurrë në rrugën e mëkatit…Është më mirë të jesh i lirë në mendim. Është bukur të dish të meditosh edhe ti, atje ku ndërtohet një kult “kullian”, ku bën jetë liria e fjalës, e mendimit që zbret hyjnoren dhe të ndriçueshmën, aty te çarçafët e bardhë, për të lundruar heshtazi “…në pafajësinë e avujve të ngrohtë…”, poezia “Mish-mish”. Njerëzit gjithmonë rendin pas bukurive. Ato janë hyjnore dhe si të tilla tek ne afrohen në çfarëdolloj forme qofshin, mbeten për t’u dëshiruar… Kështu ndodh edhe me poezinë e Fatime Kullit, brenda saj vërtitet një jehonë ndjesish të çuditshme. Një e veçantë stilistike e kohës, që e parë me syrin e dashamirësit, dialogon me atë lloj veçorie, që me kurajë dhe dije të mirëfilltë, po e jonizon poezinë e sotme shqipe me një modul të ri, ku spikat paraqitja e një fjale të përsosur brenda gjirit të poezisë, të një poezie qytetare, që në shumë raste si te poezi e Tufës, gjithmonë duke menduar se i bëjnë nder asaj. Por gjithmonë mbetet pikëpyetje komunikimi me lexuesin. Kritika ka bërë një stop të madh. Ajo mund ta ndihmonte për të shkuar te lexuesi disi më e shkoqur. Atëherë, mbetet çështje kohe. Ajo gjatë kësaj udhe në përshkrim, do të bëjë analizën e vetë këtyre ndjesive dhe paraqitjeve të reja deri sa ato të bëhen përgjithësim qytetar. Poezi e gjithëkohërave edhe sot, ka qenë dhe mbetet punë shijesh dhe jo ligjesh. Në një debat shijesh e ndjenjash, mbeten gjithmonë veçoritë e shpirtit dhe jetës, që i bëjnë idetë e besueshme. Për rrjedhojë, kur një autor apo autore, arrin te bëhet i ndërgjegjshëm për subjektin që ka zgjedhur për ta përcjellë te lexuesi, mendoj se në përqindjen më të madhe do të arrihet edhe komunikimi me lexuesin. Në një shoqëri individualitetesh qëndrojnë shumë mundësi për profilizime autorësh te arritjet e tyre të lakmueshme me vlera të prekshme.

 

 

fatime 1

Fatime Kulli

 

Jam me mendimin e Prof. Dr. Jup Kastratit që thotë për këtë autore: “Nuk është e lehtë të përcaktosh krijimtarinë e saj me ç’metodë artistike është ndërtuar…” Me të njëjtin mendim kaloj tek një plan tjetër i saj, tek një gjendje ku hulumton një psikologji që kërkon respekt për mendimin e lirë deri në ato faza ku ajo nuk e tepron, aty ku na vjen një poezi që në lakonizmin e llojit të vet, vjen në parafytyrimet tona, në mënyrë krejt të barabartë dhe na bën të vërtitemi rreth saj me një konceptim të hijshëm, për të sjellë më pas nga ky hulumtim, nota me shumë bemola, që kumbojnë qiellës sa më të ndrojtura aq edhe të bukura. Unë shoh një dritë në gjithë këtë përfshirje poetike. Refleksioni shpirtëror i saj tashmë e ka krijuar konturin e vet. Copëtohet një ferexhe që mpiks ndjenjat e shpirt, e më tej ky shpirt i ndrojtur tej një skute lëshon një pasthirrmë kënaqësie të lehtësuar, nga e brendshmja e së cilës dëgjohet: Liri!…Mendërisht, duam apo s’duam gjendemi tek ai përcaktim, te një tharm i veçantë, i një autoreje që para çdo lloj tundimi ajo nuk del jashtë shpirtit të vet, ku asgjë  e kundërt nuk mund të sundojë. Brenda kësaj logjike, kam mendimin se kur njeriu arrin të racionalizojë vetveten, ai arrin të patetizojë në ndërgjegjen e vet, atë ide, që brenda informacioneve shpirtërore që gatuhen në thellësinë e tij, krijojnë konturin e vet të besueshëm. Por si vjen ky mesazh tek ne?!…Fjala, fjala më bind e më befason. E përdorur me lakonizmin e saj, bën që kjo poezi të shquhet për origjinalitet, ku në lirikën e saj refleksive elementët e përdorur prekin ndjeshmërinë si një foshnjë, por që të sugjestionon. Ka mendime se kjo lloj poezie i kalon caqet dhe normat morale por unë nuk mendoj kështu. Fatime Kulli na ofron një kohë të joshjeve të jashtëzakonshme. Këtu i bëhet thirrje shpirtit të këndojë dhe kur ai ndjen se duhet kënduar, ty të mbetet ajo kohë. Gjejmë një arsye më shumë për t’iu afruar kësaj poezie, natyrisht me pak herrje, pastrim nga tepritë që e rëndojnë, që e largojnë nga dëshira e mirë lexuesin që herë – herë, nëpër to gjen fjalë të cilat e rëndojnë mjaft poezinë. Sidoqoftë poezia e Fatime Kullit ka ngjallur edhe polemika. Nuk kam ndër mend të organizoj mbrojtje, por mendoj se gjithmonë jemi lodhur para paradoksesh që na largojnë nga vështrimet. Gjithkush ka një arsye për t’u mirëkuptuar. Është e vërtetë se këtu nuk kemi të bëjmë me larmi termash, me tablo epiko – heroike. Këtu poezia ka një fytyrë. Këtu marrin përparësi skenat lirike, por me një ngarkesë psikologjike që na shpie direkt tek atmosfera të kohës, të cilat duhen kuptuar dhe veçuar, sepse ato vijnë pranë nesh me shumë çaste sugjestive. Kjo poezi synon të na sjellë një mesazh njerëzor siç është dashuria, një dashuri me të gjitha intimitetet e saj. Fatimja nuk mban poza, as pretendon që të na fisnikërojë ndjenjat kombëtare, por te fjalët e saj kërkon që kjo dashuri të mishtohet te njeriu, një me shpirtin.Nuk mbetet rast ku mendimi i shprehur të mos kërkojë përdëllimin në dashurinë e pastër, ku herë – herë merr pjesë dhe një pesimizëm, femëror do ta quaja. Të duket sikur kjo ofshan dhe shpërbëhet në dinjitet. Ah, jo! Brenda saj fshihet protesta e poshtërimit. “…Më thuaj, o i tërbuar…shtrati i zemrave që përkund ninullat e jetës…”. Në pamje të parë sa fëminor të duket ky varg, aq thellë fsheh një psikologji njerëzore, ndjenja të sinqerta, të pafëlliqura, të zhyera në llumin e kohës. Te poezia “Robërim pasioni”, më duket sikur shoh një tjetër njeri. E mbulon pesimizmi. Aty ndjehet me tone të larta vetmia dhe në të njëjtën kohë, poshtërimi femëror, i cili përkulet shpesh pa kushte, në vetminë e një të dorëzuare, “…Në gjakftohtësinë e vetëkënaqësisë, të brishtësisë Mishtore”. “Kam frikë”, është një nga poezitë më të realizuara, po e citoj: “Jam livadhi, ankthi i nesërm/Aromë luleje – zjarri/ku mbjell dhe vjel/ Frutat e fshehura të dashurisë së çmendur/Që çel në trishtimin tim…”. Dhe më tej, “Ndjej hapjen e tokës sime”,poezi e ndërtuar mbi një metaforë që përshëndet atë domethënie ku thërrmohet një qetësi ankthi mashkullor, që cyt dhe nxit ndezjen e akullt të liqenit, për ta shndërruar në një “Gur vullkani” dhe më pas kjo figurë metaforike kthehet tek ato fikse – kënaqësie, që përshkojnë këtë ndjenjë dashurore të femrës, në një “Hapje toke të përmbytur nga tërbimi i malit…”. Dhe ja, një thirrje, a një britmë dashurie, “Kur do t’më puthësh”, ku autorja operon me vetveten, kur kërkon siguri tek vetja e saj për gjithë këtë jetë që ka një pafundësi gjërash që duhet të zbulojë, “Ti goditje e ndërgjegjes, kur do t’më puthësh pafundësisht?”. Dhe ja tek vijmë tek poezia e fundit “Etja vjell etjen”. Poezi përcjellore e ndjenjave që ngacmojnë një shpirt që shtrojnë trëndafila të egjër trishtimi, por që mbetet gjithmonë skllav i një durimi të ngopur që mpin një qenie të dorëzuar te një etje e uritur. Në fund, një libër i ngjan një shfaqjeje televizive, që përbën herë-herë të drejtën e atij që s’i pëlqejnë ta censurojnë. Për mua, e thëna shkurt, është bisk dhe lule. Dhe Hamleti me flakë- vere shkrihej për gjirin e bardhë dhe plot jetë! Dhe mua kështu më duket, sikur kjo poete ndizet me flakë-vere. Shpesh gjendesh dhe ndjehesh i rrethuar nga përgjigje të mençura. Pafundësi gjërash intime që duhet t’i zbulojmë, gjithmonë në kontekstin e asaj marrëdhënieje dashurore të pastër dypalëshe. Ajo lajmon, “Mos e vritni kohën duke qarë”. “Zbuloni atë që është thelbësore te vetja juaj, thotë një poet. Ma do mendja, se e gjithë kjo pështjellë ndjenjash e shprehur lirisht është larg asaj etike konservatore. Shpesh në paradokset tona, ngacmojmë atë qoshk të ndërgjegjes së sëmurë që na bën të pavetëdijshëm dhe frikacakë. Kjo lloj forme që kërkon kjo autore të sjellë në letrat shqipe duke ushtruar një dashuri të vërtetë, nuk e mposht aspak fisnikërinë. Këto poezi janë të gjitha letra dashurie. Misteri i saj është kënga e fshehur ndënë vargje, jo për t’u falur, por për t’u rrëmbyer nga muret e hermetizmit.

 

Nga : Agim PEPA- 2004

(Botuar në gazetat:  “Drita”, “Temp”, :Republika)

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s