TË LARGOHESH NGA VETVETJA (Rreth romanit “Udhëtimi i Fundit” me autor Kostandin Voglin) / Nga: Robert Martiko

TË LARGOHESH NGA VETVETJA
Rreth romanit “Udhëtimi i Fundit” me autor Kostandin Voglin

 

Nga: Robert Martiko

Romani “Udhëtimi i fundit” me autor Koço Voglin, tashmë i mirënjohur kudo, është një libër me vlerë për tu lexuar. Mund të nxjerrësh konkluzione jo vetëm për fatin e jetimëve nën Diktaturën e Kuqe, por edhe më gjerë, për atë pjesën më delikate të shoqërisë shqiptare. Autori përdor mjetet e duhura artistike për t’ia arritur qëllimit të bëjë romanin e tij tërheqës e prekës. Akoma më tej, matanë një kuptimi të thjeshtë vajtues, karakteristike e të gjitha vendeve jashtë kohës, pa shpresë për ndryshim e krijimtari, ka rëndësi të dalin në dritë edhe ato elementet më shpresëdhënëse të mendimit pozitiv, për të ndihmuar shoqërinë aktuale shqiptare, e cila jetoi pothuajse gjysmë shekulli nën regjimin komunist, e edukuar nga kultura marksiste, që nuk la gjë në këmbë pa falimentuar.
Është një fakti i trishtuar që vende ish komuniste si Vietnami, Kina, Kuba, Federata Ruse mbajnë ende sot, në fillimet e mijëvjeçarit të tretë, rekordin e aborteve më të mëdha në gjithë Botën. Edhe në Shqipëri, kultura që mbizotëroi, qysh në hapat të para, pas të ashtuquajturit Çlirim të Vendit, ndonëse u përbetua se do të realizonte “çlirimin e gruas” nga “seksofobia kristiane”, shkaktoi degradimin shpirtëror akoma më keq të Njeriut. Premtimi se Shteti do të ndërhynte për të lehtësuar “barrën e rritjes së fëmijëve” në kuadrin e një shoqërie harmonike e të lumtur u tregua në praktikë një fatalitet i madh vëllavrasës me pasoja të tmerrshme.
Pikërisht këtë vërtetojnë edhe personazhet tragjikë të autorit të këtij romani. Lexon me zemër të shtrënguar se të gjithë jetimët, njëri pas tjetrit, mbyllin keq ose në mënyrë fatale jetën e tyre. Thuhet për fëmijën se kur lind është një “Dërrasë e pashkruar”. Është e vërtetë, pasi qenia njerëzore nuk lind me përmbajtje mendore paraprakisht të ndërtuar. Të gjitha njohuritë vijnë nga përvoja personale apo nga gjurmët që lë mbi Njeriun edukata që merr. Fëmijët në këtë rast nuk janë veç pasojat, duke u bërë në të ardhmen ata vetë “baballarët e botës”, në një kuptim më të gjerë, si edukues për brezat e tjerë.
Prandaj ka rëndësi thelbi i arsimit që iu jepet fëmijëve prej atyre që merren me edukimin e tyre. Gjithë ky ansambël shoqëror, që ndikon negativisht mbi fëmijën, të kujton padashur personazhet pa vetvete, me boshllëk shpirtëror, të Dostojevskit. Të gjithë kanë mangësi në mënyrën e të menduarit, diçka që tregon se shoqëria ka probleme të thella të fshehura, historikisht të depozituara në nënvetëdije. Intelektuali i vërtetë, si ndriçues shpirtrash, duhet ti vërë vetes detyrë për të njohur gjërat më elementare të shoqërive më të qytetëruara në botë, për të mundur të ndryshojë realitetin që e rrethon. Bota në Perëndim disponon sot të tilla modele pozitive. Janë shoqëri të tëra për tu marrë si shembull, sidomos ato të Evropës Veriore.
Konkretisht, ja se si përshkruan një skenë në roman Kostandin Vogli. Vajza jetime shkon të gjejë nënën e saj që e ka braktisur porsa e lindi. Troket në derën e banesës, të cilën e hap një vajzë e vogël shtatë vjeçare. Pas pak shfaqet nëna, e cila duke marrë pamje kërcënuese i drejtohet me rreptësi sikur të shohë përpara jo foshnjën që ka dalë nga trupi i saj, por një armike të betuar:
-Ç’kërkon prej meje?!
-Dëshiroja të bisedonim bashkë.
-Nuk ke punë me mua! Nuk të njoh. Largohu këtej! -Tërhoqi vajzën e vogël brenda duke i përplasur jetimes derën në fytyrë.
Në dialogët e rasteve të tjera që paraqiten në roman, qoftë për jetimët, edukatorët e tyre, apo prindërit që i kanë braktisur, bie në sy mungesa e esencës së një kulture çudibërëse që krijon shoqëri për së mbari. Thelbi është që njeriu të zgjerohet shpirtërisht. Me veprimet e tij të kujdeset për të përngjashmin, fqinjin e tij. Të paktën të mos e dëmtojë. Të mendojë në çdo rast me ndjenjë të thellë ndërgjegje e përgjegjësie. Por si është e mundur të funksiononte në Shqipëri kjo lloj edukate e ndriçuar, që bëhet premisë për paqe e harmoni shoqërore, kur Propaganda e Kuqe mësonte në çdo hap përçarje e urrejtje klasore, madje në trajtën më skajore, si marsh funebër: “Vdekje armikut!” Prandaj erdhi një ditë që jo vetëm jetimët por gjithë shoqëria shqiptare u gjend e falimentuar, tre milionë duartrokitës të poshtëruar, të frikësuar deri në palcë, munduar, asgjësuar, në Ditën e Fundit Finale, të lumturisë së ëndërruar, të hedhur pa mëshirë në rrugën e madhe të varfërisë skajore.

Kostandin Vogli

Një tjetër vajzë jetime, të cilën autori e paraqet në prag të vdekjes, të prekur nga AIDS, me fjalët që i dalin nga goja, përpiqet të shpjegojë gjendjen e saj. E keqja është se me kulturën që ka marrë nuk kupton asgjë. Largohet nga jeta pa kuptuar thelbin e gjërave që ndihmojnë për të ndryshuar njeriun dhe gjërat përreth. Është një padituri fatale. Mirëpo ky nuk është vetëm problem për vajzën por edhe për të gjitha vendet e pa emancipuara të botës, me orë të ndaluar në shekujt e kaluar, pa shpresë për tu futur në ritmet dinamike të kohëve moderne, pa mundur të krijojnë Shtetin, Ligjet humane që do të bëheshin garant për mirëqenien dhe vlerësimin e lirisë së vërtetë shpirtërore, që qëndron mbi lumturinë. Faji zakonisht në Shqipëri iu hidhet politikanëve maskarenj e hajdutë të cilët, me zgjuarsinë e tyre djallëzore, ja dalin përherë në krye të fanatizojnë e përçajnë akoma më keq nga e kaluara, një shoqëri në amulli të plotë, pa vetvete, njësoj si personazhet e famshme të Dostojevskit, që përmend më sipër.
Një tjetër aspekt i arrirë në roman, nga ana e Autorit, këtë radhë në aspektin artistik, është se ka arritur të trajtojë me sukses, krahas linjës së realizmit, edhe surrealizmin. Është çudi, mbasi kjo rrymë artistike që lindi në Paris në vitin 1924, ndonëse bëhet fjalë për një botë ëndrrash matanë logjikës njerëzore, bëhet edhe shkak për të ofruar një realitet dhe një të vërtetë fiktive, më shumë e vërtetë nga vetë e vërteta. Si për ironi të zhvillimit të gjerave në Evropë e më gjerë, surrealistët e asaj kohe mbështeteshin përveç të tjerave edhe te e ardhmja e Marksit, me moton e tij të famshme të “Ndryshimit të Botës”. Erdhi dita që kjo utopi e madhe të përgënjeshtrohej me oshtimë kumbuese tragjike në gjithë Botën. Nuk mund të konsiderohet veç se sarkazëm e pastër e përdorur nga Autori për teoritë e çmendura të shfarosjes masive që përgjakën gjithë njerëzimin. Vetë jetimët shqiptarë, me jetën e tyre të shkatërruar, që Kostandin Vogli mjeshtërisht i paraqet në roman, konfirmojnë një gjë të tillë.
Konkretisht, lidhur me surrealizmin, heroi kryesor i romanit përfytyron vetveten të vdekur. Vdekja, e njohur në mitologjinë greke me emrin Thanatos, është diçka që ka një kuptim shumë të thellë lidhur me transformimin dhe largimin jetësor. Në një thellësi më të madhe shpirtërore, ndoshta paraqet një nevojë jetike njerëzore për të ndryshuar. Ndërsa ritualet e lidhura me funeralin ndihmojnë në kufizimin e ndikimit të këtyre emocioneve duke i përmbajtur ato në kufijtë e traditës. Thanatos, për personazhin kryesor tragjik të romanit, mund të konsiderohet si kundërshtim ndaj Dashurisë, apo Erosit të famshëm Grek. Impulsi i vdekjes, njësoj së në ëndrrat surrealiste bllokon në nënvetëdije ndjenjën e kënaqësisë dhe dëshirës. Jetimi i gjorë në romanin e Kostandin Voglit, dashurinë e vërtetë nuk e njohu kurrë në jetën e tij.
Në një kuptim më të gjerë, jo më kot thuhet se miliardë njerëz në botë marrin pjesë në një lojë historike apo në një valle me gjithfarë aventurierësh të maskuar, ku nuk arrijnë dot të kuptojnë rolin e tyre. Vijnë e largohen nga jeta pa e kuptuar. Dhe akoma më keq, me veprimet, kulturën e mendimet e tyre, është sikur të luftojnë kundër vetvetes. Ky nuk është vetëm fenomen shqiptar por i gjithë Historisë Botërore nga krijimi i saj. Është fenomeni i ashtuquajtur i heterogjenezës ku, krejt ndryshe nga sa aspirojnë njerëzit, Historia prodhon rezultate të tjera nga ato që ata kanë aspiruar. Është diçka që ilustrohet në vetë historinë shqiptare, e lidhur kjo me gjithë Historinë tragjike të Lindjes së Kuqe, me njëqind milionë të vrarë e asgjësuar.
Kjo është arsyeja që vlerësoj librin prekës “Udhëtimi i fundit” me autor Kostandin Voglin. Ka arritur të prekë me sukses një temë që çdo lexues apo intelektual me mendje të hapur, tema e mungesës së vetvetes duhet ta preokupojë thellë, në radhë të parë për të ndryshuar veten e pastaj për të kontribuar në mënyrë efektive në ndryshimin e shoqërisë shqiptare, ende sot e kredhur në një krizë të thellë ekzistenciale.
Suksese të mëtejshme Kostandin…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s