Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

MË BËRI TË NDJEHEM NJERI

Eh sikur të kisha një tjetër kallash
E jo këtë që i pështynë plumbat
Do ja gjeja lulen e ballit
Atij derri i cili thinisht zgërdheshet

Binte një borë e imtë
Pjalmonte loti i rrapit të moçëm
E krismat si britmat
Nuk kishin të ndalur nëpër llagëme

Kuku lele jao majko
Një piskamë e trishtueshme
Më bëri të ndjehem njeri
Më bëri të më dhimbset armiku

U ngrita si hije dhe në emër të atdheut
Shpëtova vrasësin e shokëve të mi
Si vdekja heshtën armët
Një kukuvajkë te shelgjishtet e ndali vajin.

 

VETËM ACARI DHE ZËZËLLIMA

Kemi mbetur pa muzikë
Gërneta e jevgut s’dëgjohet më
Kjo zëzëllimë monotone
Po na i gërryen shqisat e të dëgjuarit

Mbrëmë rigoi pakëz shi
Nuk ishte as i ngrohtë e as i akullt
Pjalmonte si bora e janarit
Nëpër fytyrat e ngrira të ushtarëve

Kolona ecte mbi këmbët e ngrira
Acari kërcite ndër shollat e grisura
Ky dimër i egër
Si lubia po na i hanë fëmijët

Asnjë pushkë nuk dëgjuam
Nga sytë këmbët kishte ikur armiku
Vetëm acari dhe zëzëllima
Dëgjoheshin në këtë errësirë të plumbtë.

 

NUK KALOI ASNJË GJENERATË

Ku të iki sonte
Kur për çdo lëvizje është tepër vonë
Ka kohë që këndesat nuk këndojnë
Nëpër trarët e haneve
As zëri i lahutarit të verbër s’dëgjohet

Na paskan vdekur këngët
Njëqind vjet nuk dëgjova asnjë këngë
Për Luftën e Trojës
As për atë të Qana Kalasë
Ku mbeti peng syri i gjyshit tim

Cili perëndi na mallkoi me këto luftëra
Nuk kaloi asnjë gjeneratë
Pa përqafur si nusen e vetë kondakun
Prej një istikami
Zumë pritë në istikamin tjetër

Ajo e mallkuara na i mori djemtë
Ende gjyshet tona
Këndojnë këngën “Vinë vaporët moj nanë”
Këndojnë dhe shamitë e zeza
Fluturat e vdekura valojnë në kokë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s