KALI DHE KALORËSI… (MEDITIME) / Nga: Zyba Hysa

KALI DHE KALORËSI…
(MEDITIME)

 

Nga: Zyba Hysa

Njeriu, si qenie e gjallë, nuk ndryshon nga gjallesat e tjera: lind, rritet, vdes, por duke e parë në aspektin shoqëror, i ka ndritur fati që të veçohet nga gjallesat e tjera dhe të krijojë bashkësinë njerëzore, elementet e së cilës i lidhin veti të përbashkëta si pamja, komunikimi, mendimi, ndjenjat… Është e vërtetë, se brenda kësaj bashkësie, ka nën bashkësi që i veçon gjuha, zakonet, traditat, kultura… por zhvillimi i vrullshëm ekonomiko – shoqëror, pak nga pak , po i sheshon këto cilësi të veçanta dhe do të vijë dita, që cilësitë e veçanta do të jenë thjesht personale dhe atëherë njerëzimi do të jetojë në harmoni të plotë, pa barrikada kufijsh dhe kufizime ligjore: çdo njeri të jetojë si njeri, si element i barabartë i bashkësisë njerëzore botërore.
Ai që ka lexuar vepra artistike me famë botërore, të botuara qindra dhe mijëra vjet më parë, ka vënë re, se njerëzit qysh kur u krijuan e filluan të komunikonin përmes fjalës, jetonin, dashuronin, lindnin fëmijë, i rritnin si njerëz. Shkrimtarët e mëdhenj i kanë sjellë përmes veprave, sikur të ketë ndodhur në ditët e sotme dhe ngandonjëherë mendojmë se njerëzit kanë jetuar siç jetojmë tani dhe themi se ky, shkrimtar duket sikur është bashkëkohësi ynë.
Njeriu, qysh kur u krijua u quajt njeri, se fliste, ndjente, mendonte dhe duam, apo nuk duam ne, ai flet, mendon, ndjen si njeri, pavarësisht se në çfarë epoke ka jetuar dhe në cilën nën bashkësi i ka rënë fati të lindë e të vdesë. Këto nën bashkësi, që ne i quajmë shtete, pengojnë, ose favorizojnë njeriun për të jetuar i lirë në fjalë, mendim, ndjenjë…
Në çdo epokë njerëzit kanë luftuar për këtë liri e çdo përpjekje ka vënë nga një gur në përmendoren e lirive njerëzore, e cila, për fat të keq, herë pas herë mbulohet me perçe prej pushtetit. Për çudi, më vijnë në mendje fjalët e të madhit, Viktor Hygo, në librin “Njeriu që qesh”, të cilat nuk i kujtoj fjalë për fjalë, por ideja ishte kjo: populli përherë ka luajtur rolin e kalit dhe pushteti të kalorësit. Ky kalorës e shfrytëzon kalin e nga ky shfrytëzim i pa shpirt, kthehet në gomar e duke mos duruar peshën e tij, merr guxim e nga gomar, kthehet në luan dhe e ha kalorësin duke u kthyer edhe një herë në kalë e mbi vete ve një kalorës të ri. Ky kalorës, duke qenë paraprijës në këtë ndryshim, shpejt e harron popullin dhe sa merr pushtetin merr në një dorë frerin, në tjetrën kamxhikun, në qafë kuletën.

Nuk jam analiste e për pasojë s’mund të flas me atë gjuhë, por shpesh them me vete: “Pse patëm fatin të lindim në këtë vend, ku njerëzit janë kaq miopë për të kuptuar rrotacionin shoqëror. Gjithë bota e shtyn rrotën e zhvillimit para, ndërsa ne një herë para, dy herë pas dhe pa e kuptuar bëhet i pa kapërcyeshëm hendeku që na ndan nga bota. Para disa vitesh, kur gjithçka u shkatërrua, gjoja se po të fillonte nga zeroja, do përparonim shpejt, kam shkruar:

Për një hap

Na duhej një hap gjigant,
Për të kaluar hendekun,
Që na ndan nga bota,
Sprapsemi për të marrë vrull,
Por u sprapsëm shumë,
Kur vijmë për t’u hedhur,
Fuqitë na janë shterur…!

Historikisht, shqiptarët kanë qenë më të pa aftët, apo më të zhgënjyerit për të fituar të drejtat njerëzore. Luftuan shekuj me radhë për Atdhe që të ishin të lirë, por kjo liri uzurpohej nga pushteti i ardhur prej gjakut të tij. Iku Perandoria Osmane, por fituan “pashallarët e kuq”, siç i cilësonte Migjeni dhe pasuan qeveritë që ngriheshin nga populli dhe shfrytëzonin popullin deri në palcë.

“Ëh,” rënkonte vendi,
Sa herë vinin mizoritë,
“Ëh, rënkon edhe qielli,
Kur hipin, zbresin qeveritë!

Kjo bën të mallkojmë veten se pse lindëm këtu, ku Zoti e ka falur natyrën hyjnore, paqësore, me tërë të mirat, por nga shtypja e të drejtave njerëzore edhe kjo dhuratë braktiset me dhimbje dhe endemi nëpër udhët e botës si një gurë i shkulur në rrëpirë.
Jetuam të shkuarën, me shpresë për të ardhmen, kur prekëm të ardhmen, kujtuam të shkuarën, harrojmë të sotmen, pa shpresë për një të ardhme të vërtetë e pse e dëshirojmë kaq shumë…

Kohët

Jetova kohën e shkuar,
Ku djersa e trupave të terur,
Derdhej lumë…
Nën emrin e saj vërshonte kënga,
Por s’gëzonte zemra!
Jetoj kohën e tashme,
Mijëra shiringa vampirë,
Thithin djersën,
Krijojnë ajsbergë pasurish
E shpresa dridhet si gjethe plepi…!
A do mund ta shoh të ardhmen?!
Doja tu lëshoja diellin ajsbergëve,
T’i shkrija pak nga pak,
Të vaditej toka jonë,
Të bëhej e begatë…?!

Çdo kalorës – shtet ka kamxhik dhe fre, një fre të futur në gojën e popullit dhe sipas interesit të tij e liron, apo e shtrëngon dhe kur nuk bën punë freri, se ka njerëz që nuk e pranojnë skllavërinë, përdor kamxhikun për torturim, apo asgjësim. Ai kalorës që qëndron më shumë pa u rrëzuar, ka ditur të përdori në mënyrë të përsosur frerin, aq sa goja e popullit është bërë kallo dhe praninë e tij nuk e ndjen më, e quan pjesë të tij. Kush jetoi në kohën e monizmit, provoi frerin në gojë dhe ai që kundërshtoi, provoi kamxhikun mbi kurrizin e tij.
Më vijnë në mendje fjalët e një plaku nga Vlora që thoshte: “Kam jetuar gjithë kohën nëpër burgje dhe internime, por, moj bijë, i gjithë populli ka qenë në internim, përderisa nuk gëzonte asnjë të drejtë njerëzore. Gjithë Shqipëria ishte kthyer një kamp internimi. Edhe sot, mos pandeh se jemi të lirë. Vërtet u hapën kufijtë, u dha e drejta e fjalës, por varfëria, pasiguria për jetën, na ka izoluar sërish dhe fjalët i themi, por si dëgjon njeri. Ishim me gjuhë të prerë, tani ngjajmë si qen të vapuar. Atëherë ishim në diktaturë të shprehur me ligj, tani me një diktaturë të rrëzuar, por e gjallë, si derr i plagosur…”

Diktatura

Si gjarpër gjigant,
Na u lidh në grykë,
Disa herë përqark,
Sa të gjithë ,
Ndjeheshim në lag…
Helmi i tij na traumatizoi,
Sa qeshnim si kanarinë,
Këndonim si papagaj,
Duartrokisnim verbërinë,
Shpirtrat qaj…!
Ç’të bënim?!
Kujt t’i qaje një hall?!
Edhe perëndia s’qe gjallë…!

Sa më shumë të përdorë kamxhikun një qeveri, aq më shumë ka hapur plagë në trupin e saj dhe aq më të afërt e ka fundin e vet. Diktatura jetoi gjatë, se funksionoi freri në gojë të popullit, saqë ai ra në dashuri me të dhe i thurte këngë, poezi, i ndërtonte përmendore, dhe deri e hyjnizoi. Fre për popullin, kamxhik për ata që e kuptonin se çfarë ishte freri.
Jemi shumë pas botës, ndaj dua të shkruaj për njerëz, që dhe pse kanë jetuar këtu, me mendime dhe vepra ishin si bota e përparuar. Ne i kemi qortuar, se nuk kishim sy t’i shikonim, ne i kemi gjykuar, se nuk kishim mend t’i vlerësonim, ne i kemi dënuar, se nuk donim të na sfidonin, ndaj do të shkruaj, që tu hap perden syve, t’ju kthjelloj mendjen dhe çka është më e rëndësishme, t’ju bind, që t’i përqafoni dhe bashkërisht të ecim me hapin e tyre, se ai është hapi i kohës dhe koha nuk pret. Ne duhet të nxitojmë për tu vënë në start me botën e qytetëruar.
Po do të thotë ndonjëri: “Ku e njeh ti kwta njerws? Pse pikërisht ti shkruan për ta?” Unë njoh kohën që jetuan ata, njoh kamxhikun që provoi ata, njoh dhembjen dhe brengën, ndaj e kam të lehtë që shkruaj për ta e për çdo bashkëvuajtës të asaj kohe pa kohë të mirë.
Në mesjetë njeriu ishte i destinuar të digjej, t’i pritej koka, nëse ngrinte krye, ndaj kalorësve kamxhik mëdhenj, por në monizëm, krahas ekzekutimeve absurde, ndodhte më absurdja tjetër, ekzekutohej shpirti i njeriut dhe trupi jetonte pa jetë.

I gjithë brezi im ka jetuar pa shpirt, aq sa sot që jemi në “demokraci”, është kthyer një shpirt i traumatizuar duke jetuar përsëri me ankth dhe shkon deri aty sa e vetëizolojmë nga frika. Çfarë fatkeqësie! Vërtet ne jemi brezi i humbur, siç thotë dhe kënga e “doktorit”. Çlirojuni, o njerëz! Zoti u ka falur jetën për ta gëzuar atë realisht, pa frikë, pa paragjykime, me guxim…
Jeta e gjithsecilit është e gjithsecilit dhe s’ka pse ia dhuron dikujt që e keqpërdor, apo dhe më keq`t’ia japë në përdorim tjerëve dhe vetë të mbetet pa sy për ta parë dhe pa mend për ta drejtuar.

SHËNIM: SHKËPUTUR NGA LIBRI “ARENA E KAPOSHEVE”)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s