Monologu i nje qeni / Nga: Vladimir Muça

Monologu i nje qeni

 

Nga: Vladimir Muça

Më quajnë Asllan, por shkurt më thërrasin Soni. Jam nga një soj qensh të veckël, shamatarë, hundështypur, kryqëzuar me lloje që as vetë s’e di, diku në Lindjen e Largët. Në këtë vend ku jam sot, dikur që i vogël, i futur në një kuti bashkë me disa libra të veckël si unë, të quajtur haiku dhe tanka, futur në një karvan si herët, por të ngjeshur në disa arka të mëdha, të cilat lëviznin me disa rrota erdha nga larg. Erdha refugjat si shumë të tjerë të sojit njerëzor nëpër rrugën e mëndafshit nën gjurmët e Marko Polos dhe për çudi një ditë në të gëdhirë u gjendëm në këtë qytet – port.
Këtu na vunë në disa kutia me rrjetë teli, si dikur skllevërit gladiatorë, na rreshtuan trotuarëve në tregun e lirë, duke na shkëmbyer me disa copa letre, që s’i ha asnjë nga lloji i sojit tonë.
Këtej në këto anë paskëshin një thënie tepër kuptimplotë: “rrisk allahu”. E ky “rrisk allahu” më kish rënë dhe mua si talisman. Padroni i ri me bashkëshorten kishin mbetur qyqarë. Fëmijët u kishin marrë arratinë, refugjatë në vende të largëta, ndoshta dhe në vendlindjen time, njëlloj si unë. Tashmë unë isha ngushëllimi i tyre i vetëm. Në fillim më bëri shumë përshtypje mënyra e komunikimit. Ishte hera e parë që dëgjoja të më thonin nga soji njerëzor “hajde ke mami, …ke babi”, “babi të ka xhan”…
Në fillim mbeta i shastisur nga kjo dashamirësi, fillova të veja veten në pikëpyetje. Mos vallë Perëndia, jo vetëm më kish afruar si mijëra vite më parë me njerëzinë, por ndoshta si me magji më kish shndërruar nga soji i qenit në sojin njeri? Aq shumë m’u mbush mendja në shndërrimin tim, saqë kur dilja shëtitje në mëngjes herët domosdo për nevoja personale, sojin e qenve kur i takoja rrugës nuk i përshëndesja, i shikoja me mospërfillje; s’e besoja më se unë isha nga soji i tyre. Kish ndodhur tek unë apokalipsi i madh i evolucionit gjenetik.
Padroni, i cili tani për mua ish baba, ish një gjatosh flokëkaçurel, me lëkurën pa qime e në ngjyrë të grunjtë. Më kujtohet se si në filllim këtë njeriun e gjatë që aq shumë më ledhatonte, në fillim nuk e kisha pëlqyer fare, ndoshta ngase isha mësuar me atë shkurtabiqin si unë, turiverdhë nga Lindja e Largët, prandaj rrija si i ftohur me babanë e mamanë e re.
Por sa më shumë kalonin ditët, ke parë ti që më hyri në zemër ky gjatoshi. Më dukej e padrejtë që këtë njeri të gjatë njerëzit e kishin pagëzuar me një emër aq të vockël, Çimi.
Babi Çimi u bë për mua perëndia vetë; Tek ai derdhja pa kursim tërë dashurinë qenore. Më vinte keq se dhe një motër që unë mund të kisha pasur, ish martuar e kish ikur refugjate. Një vëlla, që e doja e më donte pa interes, edhe ai një natë të errët nuk denjoi as të më jipte përkëdhelinë e fundit. Iku fshehurazi nën shasinë e një mauneje, iku diku larg. Unë mbeta ngushëllimi i vetëm për mamin e babin tim në këtë vend të vockël, sa një pikë uji, në krahasim me detin e vendlindjes sime të largët. Në atë vend kisha më shumë frikë nga soji i njerëzve; atje s’kishe ku të hidhje kokrrën e mollës e ruhesha të mos më shtypnin njerëzia. Herë – herë në turirin tim të shtypur ngrinte krye instikti i egërsisë përzier me një frikë të leqendisur. Por ja që zoti më solli te ky soj njeriu, i gjatë e flokëkaçurel, i djegur në shpirt për një qenie të tretë në shtëpi. S’ka me kë të fjaloset i varfëri, e bën e ç’bën, që në ora pesë merret me mua, fjaloset, më ledhaton me një dashuri e përkëdheli sa që as xhaxhi Pavllovi s’e ka bërë me kushëririn tim shumë vite më parë.
Ke parë ti se unë nuk kam më kuvli, por… ohohooo!… shtrihem sa gjerë e gjatë për shtatë palë qejfe në krevatin bashkëshortor. Kur më sheh ai i varfëri baba shtrirë sa gjerë e gjatë në krevat e që gërhas tamam – tamam me zërin e tij, i vjen keq të më zgjojë, shkon e shtrihet në qoshkun tim të divanit, duke u marrë erë qimeve të mia mbetur nëpër të.
Epo, hë!… Thoni ju po deshët “jetë qeni”. Jetë qeni po bën soji i njerëzve tani.
Jam lidhur me internet me një kushëririn tim të largët në Tailandë, i cili pati fat më të mirë se unë, bën jetë përrallore, në një hotel me pesë yje. Ka pesë shërbyes që kujdesen për të. Bile në facebook më tregoi dhe garderrobën personale “Dolce Gabana”. Keni dëgjuar gjë ju për një kushëririn tim nga nëna në Las Vegas, që u bë trashëgimtar i tri kazinove më të mëdha?… Zilinë ia kam sa s’ka ku të shkojë më, por prapë mirë jam edhe unë, shtrirë sa gjatë – gjerë në shtratin martesor, duke gërhitur në qejfin tim.
Jam i kënaqur, sepse kur Perëndia krijoi gjithësinë, na e punoi me hile ne qenve. Macen interesaxhie e ndau prej nesh dhe e ofroi pranë zjarrit sojit të robit me dy këmbë, ndërsa sojin tonë e la jashtë dere në të ftohtë e në të nxehtë të ruajë sinorët. E mirë t’i bëhet robit me dy këmbë. Macja u bë një nga interesaxhiet më të fëlliqura të gjallesave krijuar nga Perëndia, ndërsa ne, soji i qenve, që u rrahëm nga cingërima e na u tha lëkura nga të nxehtit, u bëmë më besnikët e njerëzisë.
Perëndia na e shpërbleu përkushtimin tonë. Ja tani… ohohooo!… Mbas shumë vuajtjesh në breza, shtrihem sa gjerë e gjatë në dyshekun bashkëshortor.
Prit! Prit!… Mirësitë tona s’do kenë të sosur. Tani kemi mëmë e baba tjetër lloji, me dy këmbë. Ta dinte gjysh Darvini se do të vinte kjo kohë, kurrë s’do e kish bërë atë gabimin duke na ndanrë nga soji i njerëzve, por do na kish radhitur në librin e tij në një odë me njerëzinë.
Lavdi qoftë që erdh kjo kohë e re e demokracisë edhe për ne sojin e qenve. Më së fundmi, u bëmë të barabartë, siç ishim mijëra vjet më parë.
Të bëhet, ç’të bëhet! Tani s’jemi më dosido, jemi me hipotekë, çdo minutë marrim përkëdheli si çdo fëmijë i sojit njeri. Shtrihem gjerë e gjatë në shtratin martesor e s’dua t’ia di për asnjeri.
Eh, si është kjo botë jallane!… Dikur ngryseshim si piperkë nga të ftohtit, ndërsa tani në dyshekë dormofleks shtrirë si një patëllxhane.

Nga vëllimi “Ankth Pritjesh”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s