Shqipëria për mua ishte tokë betejash / Fragment i shkëputur nga romani “MISTERET E PARISIT TË VOGËL” të autorit Kristaq Turtulli

Shqipëria për mua ishte tokë betejash

Një buzë mbrëmje të freskët pinim shampanjë në verandën e hotelit. Zumë një tavolinë buzë trotuarit, prej nga mund të shikoje nga të gjitha anët. Makina, njerës që shëtisnin. Ora më me gjallëri e mbrëmjes. Atë ditë ecëm mjaft nëpër rrugët e Parizit, më dhembnin shputat e këmbëve, por nuk doja ta bëja veten në sy të Andreas. Puhiza e lehtë e mbrëmjes më çlodhte. Isha shumë e emocionuar nga ato që pashë. Herë pas here lëshoja ndonjë klithmë gëzimi. Gjithë naze shtrija fustanin e mëndafshe mbi gjunjë dhe largoja krelën e flokut që më binte në ballë. Fundja edhe më falet, vajzë e padalë, ndërsa për Andrean nuk ishin të panjohura, kreu studimet e larta në këtë qytet të hatashëm dhe specializimin në Vienë.
Kur doja të mbështjesja kryet në shpatullën e Andreas, në tavolinën tonë u afrua kryekamarieri, një burrë i shkurtër, hundëmadh. Në kokë nuk i kishte mbetur asnjë qime floku, por në mungesë të flokëve, kishte një palë mustaqe të ngjyera në të zezë dhe një palë vetulla të zeza të dendura e për një moment më ngjau si kloun cirku. Përkuli kryet dhe tha:
‘Më falni për shqetësimin…’
‘Po,’- ia bëri Andrea dhe ia nguli sytë.
‘Një zotëri i nderuar ka shfaqur dëshirën të njihet me ju,’- foli kryekamarieri me një ngurrim të dukshëm dhe shtoi: ‘ Nëse dëshironi…’
‘Ashtu!’- ia bëri Andrea i besdisur dhe vështroi nga unë. Dikush në Paris, në hotelin Kontinental! Ndoshta ndonjë ish bashkëstudent. Menjëherë mblodhi buzët, nuk donte të prishte magjinë tonë, të mrekullisë në vaskë. Andrea sikundër dhe unë donin të ishim vetëm, me intimitetin, mushtin e mjaltit, dashurinë tonë. I treti gjithnjë është i tepërt, kushdo qoftë ky. Kryekamarieri sigurisht duhej ta dinte.
‘Zotëri dhe ju zonjë e ëmbël, më falni. Nëse ju shqetëson prania e një të treti. Harrojeni, quajeni sikur nuk erdha dhe ju mund të kënaqeni me privacinë tuaj,’- nxitoi të thoshte kryekamarieri.’
Andrea nuk i dha përgjigje, por i hodhi vetëm një shikim.
‘Atëhere, më lejoni të largohem,’ -tha kryekamarieri.
‘Kush është?’- E pyeti më në fund Andrea pa parë nga unë.
‘Koloneli Andre Ordion, zotëria atje, pranë driteres.,’- nxitoi të fliste kryekamarieri.
‘Koloneli Andre Ordion!’- ia bëri Andrea.
‘Po.’
Andrea u kthye anash dhe vështroi me interesim. Koloneli që larg ngriti gotën e shampanjës në shenjë përshëndetje. Andrea u zgjat dhe e përshëndeti me kokë.
‘Thuaji zotit kolonel se jemi të nderuar të mirëpresim zotërinë në tavolinë tonë,’ -i tha kryekamerierit.
Unë u mërzita dhe u kapërdiva me vështirësi. Andreas sakaq i ra në fytyrë një hije e rëndë. S’kuptoja gjë dhe, nuk po më vinte mirë që po prishej intimiteti dhe gazmenti ynë nga një i huaj, i panjohur, aq më tepër një ushtarak. Asnjëherë s’më kanë pëlqyer ushtarakët. Më ngjajnë si këndeza të fryrë majë plehut.
‘Zotëria ka qenë administrator frances në territoret tona,’- më foli me zë të ulët Andrea.
U mata ti thosha Andreas: ‘Oh, i dashur, ç’më duhet mua ç’ ka qenë ky njeri, kur ne jemi këtu, në qendër të zhvillimit të botës. Kemi aq shumë nevojë të kënaqemi, të mbushemi me ajër civilizimi dhe jo të dëgjojmë broçkullat e një koloneli mburravec. Me sa kam dëgjuar, oficerët dhe gjahtarët janë pordhacët dhe gënjeshtarët më të mëdhenj…
S’ munda. Drejt tavolinës tonë po afrohej një burrë energjik, rreth të gjashtëdhjetave, me uniformë ushtarake, gjoks mbushur me dekorata, i pashëm, ballëgjërë, me mustraqe e mjekër të bukur, gjysmë të thinjura. Qëndroi pranë tavolinës tonë, përplasi thembrat e këpucëve me qafa, sikur qe në paradë. U përkul nga ana ime, më mori dorën me delikatesë:
‘Më falni dhe më lejoni zonjë,’ tha, vetëm sa e afroi pranë buzëve të tij, por nuk e preku.
Kryekamarieri gjithë respekt afroi një kolltuk dhe koloneli Andre Ordion u ul.
‘Ju dëgjova kur flisnin në gjuhën shqipe. Pyeta për ju, kur më thanë kujt familje të madhe i përkisni, dëshirova tu njihja. Mos gabova?’- tha koloneli Andre Ordion dhe vuri buzët në gaz.
‘Nuk gabuat. Zoti kolonel na nderoni me praninë tuaj,’- i tha Andrea.
‘Ju faleminderit. Po ju zonjë?’- më pyeti mua.
Unë ngrita supet:
‘Ju burrat i dini mirë këto punë.’- Nuk mu ndenjt pa ja thënë.
Ai qeshi lehtë.
‘Ah, bukur, shumë bukur! Jeni grua e mençur,’ -tha. Dukej që ishte njeri i gjendur.
Nuk më pëlqeu vështrimi i Andreas, bëra sikur nuk e vura re. Koloneli i kollit lehtë, shkoi dorën në mustaqet me majë të ngritura përpjetë dhe tha:
‘Sot është dita e fundit që mbaj uniformë ushtarake. Nesër dal në lirim. Nuk është e lehtë për një oficer karriere. Doja tu takoja, sikur të gjeja veten. Kam shumë kujtime. Noshta do ti hedh në letër ndonjë ditë. Nejse. Fati ia desh që të jetoj në Shqipëri përgjatë një periudhe fort të rëndësishme të historisë suaj dhe të karrierës sime. Ju shqiptarët jeni një popull i veçantë, dhe unë pata fat të takoja dhe të kisha ushtarë shqiptarë nën urdhërat e mia. Komandova formacionet shqiptare në zonën e veriut të kazasë dhe më pas taborin (batalionin) shqiptar të “esadistëve”. Ju shqiptarët jeni një racë luftarake. Personalisht ju kam kuptuar. Me origjinë jam nga korsika: legjendat e bandave korsikane më janë familjare që nga fëmijëria dhe unë i kuptoja zakonet e ashpra dhe të çuditshme tuaja, të njerëzve rebelë që nuk e durojnë autoritetin e tjetrit. Trimat kapërcenin Gurin e Kamjes sikur të ishin dhi të egra. Kam rrahur udhët e Shqipërisë. S’ka luginë, fusha e majëmale që mos t’i kem shkelur. Tri liqenet shqiptare, Ohri, Prespa dhe ai i Maliqit më kanë lënë mbresa të mëdha. Republika e Korçës…’
‘Republika e Korçës,’- psherëtiu Andrea: -‘Ushtarakët francezë ndihmuan dhe më pas e shpërdoruan, e mbytën këtë Republikë…
‘Ju lutem shumë zotëri, ju po na fyeni,’- e ndërpreu i indinjuar koloneli Andre Ordion: ‘Franca ka bërë dhe po bën shumë për ju!
‘Atëhere ma shpjegoni aktin që kryet ndaj vrasjes së pamerituar të trimit, mikut tim të paharruar Themistokli Gërmenjit.’- I foli thatë Andrea.
‘Pse e njihnit Themistokliun?’- Pyeti i habitur koloneli Andre Ordion.
‘Sa njoh veten time, kemi luftuar krah për krah.’
‘Ashtu! Unë shpreha keqardhjen për vrasjen e tij. Ju lutem, nuk mund të thoni që ushtarakët francezë e mbytën Republikën. Duhet ta dini, u përfol se ai kishte lidhje me austiakët si dhe me ne.’
‘Nuk është aspak e vërtetë,’- i tha Andrea:- ‘Themistokliu e respektoi paktin dhe Francën. Unë personalisht nuk kam asgjë me ju zoti kolonel Andre dhe as me mikun tim kolonelin Henri Dekuen. E gjitha ishte intrigë e poshtër e grekërve dhe e gjeneralit Morris Sarrel. Më mirë seç e di unë që kam qenë në krah të tij nuk e di askush tjetër.’
‘Kryeministri e shkarkoi gjeneralin Morris Sarrel nga të gjitha detyrat, jo vetëm për këtë, por për shumë probleme të tjera,’- ia bëri koloneli Andre Ordion.
‘Sa vlerë ka për ne ai shkarkim, kur Republika u mbyt që në pelena dhe u vra trimi më i mirë,’- i tha Andrea
Koloneli Andre Ordion bëri sikur s’ dëgjoi dhe tha:
‘Të nesërmen e ardhjes time në Selanik, asistova në ekzekutimin e Themistokliut, prefektit të policisë së Korçës. Por nuk munda të merrja pjesë në procesin apo gjykimin e tij. I kapur në flagrancë nga pararendësi im, u gjykua dhe u ekzekutua në një «tumulus» me varret e vjetra të luftëtarëve të Aleksandrit të Madh. Themistokliu, me këtë emër historik, vdiq si burrat, dhe këtë e pohoj. Një prift u vu në dispozicion të tij në prag të ekzekutimit dhe një pjesë të natës e kaloi me të. Të nesërmen që në ag, gjithçka ishte gati për ekzekutimin. Themistokliu, i veshur me pardesynë e tij më të bukur, eci me një hap të sigurt drejt shtyllës së ekzekutimit. U gjunjëzua vetë dhe refuzoi t’i lidhnin sytë; zgjati krahët e tij si të bënte kryq dhe thirri me zë të lartë «Nuk më vjen keq për asgjë!» Pas këtyre fjalëve ushtuan armët: drejtësia tha fjalën e saj!’ përfundoi fjalën koloneli André Ordioni
‘Drejtësia?! Ngriti zërin Andrea: ‘Të marrësh një jetë të pafajshme e quan drejtësi dhe të shkatërrosh gjithë atë që frymëzove dhe krijove?!
‘Ju lutem, them çfarë u tha aty dhe, tjetër gjë se çfarë di dhe mendoj unë,’- ia bëri koloneli Andre Ordioni me ton të rëndë.
‘Zoti kolonel, përse nuk i thoni me gojë plot ato që mendoni dhe dini,’- i tha im shoq.
‘Zotëri, jam ushtarak, nuk jam politikan,’ -tha dhe vazhdoi:- ‘Shkova dhe takova vetë gruan e Themistokliut. Ajo zonjë fisnike ende nuk e besonte se Themistokliu ishte pushkatuar dhe vazhdonte ta priste». E kam peng në zemër që nuk arrita t’i them asaj gruaje se burri i saj u pushkatua!’
Koloneli Andre Ordion heshti një hop dhe më pas shtoi:
‘U largova me një trishtim të madh nga vendi juaj, Shqipëria. E gjithnjë e pyes veten: Vallë a do të vete më? Nuk e di. Shumë herë e kam bërë këtë pyetje dhe përsëri jam kthyer, por këtë here ma merr mendja që … Kjo tokë ballkanike dhe vullkanike, që paraqet shumë rreziqe, m’u bë shumë e dashur dhe nëse do të isha pak më i ri do ta kisha adoptuar atë si vendin tim. Kam patur për të një ndjenjë pothuaj vëllazërore, por megjithatë, në çdo rast, unë do ta dua gjithnjë, sepse Shqipëria ishte për mua një tokë betejash, një tokë studimi e vëzhgimi. I rashë kryq e tërthor vendit tuaj, veçanërisht nëpër male, duke vëzhguar madje dhe lulet, duke pare nga afër njerëzit, shtëpitë, kafshët. Në kokë kisha gjithnjë veçse një ide: si të isha i nevojshëm për këtë vend, duke u përpjekur ta afroj atë me vendin tim … Ja, pra, për këtë doja t’ju takoja të them ato që kam në shpirt e në zemër…dhe, të më falni!
‘Ju lutem!’ I tha Andrea.
Koloneli Andre Ordion u ngrit, përplasi thembrat e çizmeve dhe shtriu pa qenë nevoja xhaketën ushtarake.
‘Më lejoni,’- tha:- ‘Ju faleminderit për durimin. Ishin momente të rëndësishme për një oficer karriere në prag të lirimit.
‘Ju faleminderit juve, zoti Kolonel Andre Ordion,’ – i thashë.
‘Ju lutem zonjë, kënaqësia ishte e imja dhe më falni për shqetësimin. Ju uroj pushime të mbara,’- përshëndeti ushtarakisht dhe iku.

 

Fragment i shkëputur nga romani “MISTERET E PARISIT TË VOGËL” të autorit Kristaq Turtulli

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s