E VËRTETA LAKURIQ NË FAQET E NJË ROMANI (SHËNIME RRETH  ROMANIT “DASHURIA PRAPA PERDES” E SHKRIMTARIT KUJTIM AGALLIU) / Nga: Mihal DISHO

E VËRTETA LAKURIQ NË FAQET E NJË ROMANI

SHËNIME RRETH ROMANIT “DASHURIA PRAPA PERDES” E SHKRIMTARIT KUJTIM AGALLIU

Ndoshta ata që kanë punuar për këtë libër apo vetë shkrimtari Kujtim Agalliu nuk e dinë që në roman “vallëzojnë” 155 personazhe, ku në qendër të tyre apo “valltari” kryesor është Kudreti ose Profesori, ose Laluci ose Cërri – pra, vetë autori Kujtim Agalliu; këto personazhe “vallëzojnë” sipas kësaj radhe: familjarë, shoqërorë, të punës, të aksioneve, të dashurisë, të mirënjohjes, të urrejtjes, të tolerancës dhe në krye të këtij vargu të gjatë edhe shumë të plotë është vetë autori.

E veçanta e këtij romani është që, në fillim të çdo kapitulli ka filozofime, mendime dhe këshilla, pra, një substancë e asaj që përmban i gjithë kapitulli. Dhe nuk janë pak, por deri në dymbëdhjetë të tilla që nuk mund të rri pa përmendur ndonjë si: “Kur shpresat e mëdha varrosen, të tjera lindin dhe njeriu mbijeton…” Ose: “Një rreze shprese është si ajo rrezja e diellit që çan retë një ditë me shi…” Tjetër: “Në këtë jetë të mjegullt ku njeriu nuk i përket vetvetes, kur fati i tij drejtohet nga duart e të tjerëve, udhëkryqet në rrugën e tij janë të panumërta…”

Pra, po të vihen re nga një lexues i kujdesshëm ato janë të lidhura njëra me tjetrën ashtu siç është dhe jeta vetë, por mbi të gjitha këto janë të Kujtimit e jo të huazuara.

Kudreti – alias Kujtimi nëpërmjet rrëfenjës për vete na sjell të gjallë një kohë t[ shkuar, një sistem të tërë me të gjitha bëmat e tij diktatoriale dhe dalluese. Në këtë roman, autori ndërthur, ndërlidh si pragjet dhe ujëvarat tek një lumë, hallet e ditës, me kujtimet.

Mënyra e të treguarit është pleqërishte ashtu siç edhe bisedon në mes shokësh e miqsh. Kur them pleqërishte, domethënë, qartë dhe kuptueshëm. Shakatë apo romuzet, ai di në ç’gojë personazhi t’i vërë.

Kujtim Agalliu

Ajo që më duket më interesante është se çdo personazh ai di ta lakojë, madje, i bën një karakterizim psikologjik dhe filozofik edhe portretin fizik e shpirtëror.

Shprehjet, paragrafët, mendimet i paraprijnë çdo kapitulli sipas pjesëve, janë filozofime të autorit Kujtim Agalliu që substancojnë kapitullin apo pjesën si dhe përmbledhje e bukur apo sentenca që të kujtojnë ato të latinëve apo grekëve të lashtë dhe kjo përbën risi.

Kujtimi plus problemeve shoqërore të asaj kohe, njeh mirë dhe, madje shumë mirë, edhe të fshehtat e profesioneve ku ai ka punuar. Veç kësaj, përshkrimet e natyrës lidhen bukur, qartë dhe domethënëse me ato shoqërore dhe shpirtërore.

Një dukuri tjetër është se Kujtimi këto ndodhi i shtjellon letrarisht dhe artistikisht, kuptueshëm e bukur pa lënë mënjanë problemet e asaj kohe, gjë që siç thotë dhe vetë në këtë roman, krahas leximit, gjë që e kishte pasion, mbante edhe ditar.

Edhe jetën letrare e krijuese Kujtimi e radhon si duket me kulme, si botimi i artikullit të parë.

Pavarësisht se sistemi dhe konkretisht fshatarët e tij pushtetarë e partiakë, që ai i stigmatizon bukur, si dallkaukë e injorantë, nuk u dhanë mundësinë të mbaronte shkollën e lartë dhe të bëhej inxhinier. Ai u bë inxhinier i shpirtit të vet dhe i të tjerëve.

Le të marrim Syfetin, emër i goditur për sekretarin e partisë, të cilin ai e përshkon në mënyrë të gjallë dhe jetësore.

Shumë kuptimplotë është edhe krahasimi i personazhit të kryetar Limes me Don Kishotin dhe Syfetin me Sanço Pançën (këtu trajtohet edhe kultura letrare e Kujtimit)

Kujtimi analizon edhe kontrastin e dallimin midis shokëve të vërtetë dhe atyre hipokritë qoftë në fshat apo edhe në qytet, punëtorë apo fshatarë.

“Cërri” i dashurisë nuk është “mistrec”, por i përmbajtur – kujtojmë me Shqipen, që arrin deri vetëm te puthja e duarve.

Autori Agalliu nuk lavdëron veten, qan, por nuk është qaraman.

Ai përdorë figura letrare të goditura për mjedisin që e rrethon dhe nëpërmjet të cilit lëvizin personazhet.

Brenga dhe keqardhja për miken e tij aksioniste, Nadiren, viktimë e marrëdhënieve të sistemit.

Intrigat apo thashethemet fshatçe, Kujtimi i stis bukur, qartë, duke i lidhur me interesat deri dhe martesat…

Me atë që do të jetë femra e jetës së tij Kujtimi dashuron seriozisht.

Romani ka një mbyllje guximtare ose “revolucionare”, kur kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit i lexon një gazetë të nxjerrë nga sirtari se ç’thotë shoku Enver: “sikur të isha njëzet vjeç djalë…” Autori guxon dhe i përgjigjet: “Më falni, shoku kryetar, një minutë, se desha të sqaroj diçka! Aty, në atë shkrim, shoku Enver a përmend emra konkret se kush duhet të shkojë në fshat e kush jo?” dhe atëherë kur kryetari i thotë që për të nuk kishte rrugë tjetër, por vetëm fshati, atëherë guximtari Kujtim ia ktheu: “Kur të hipi gomari në fik!”

Kujtimi përdor me sukses gjuhën e populli dhe për më tepër koloritin lokal, gjë që reflektohet te idiomat dhe fjalët e urta popullore që i japin tekstit nuanca emocionale që depërtojnë thjeshtësisht te lexuesi: si, “një herë u shkoi gomari në urë..” ” ose “jeta nuk i hynte në sy…” “ngordh një dhi në Velabisht, nuk mbeti Berati pa dhallë” “përveshi buzën e poshtme si cjap përçor…” “më duket vetja sikur po udhëtoj me një zanë pyjesh..” (kur është fjala për Mirandën.) etj.

Për romanin “Dashuria prapa perdes” mund të flitet më shumë sepse mësimet e mesazhet që nxjerrim prej tij janë të larmishme dhe mjaft domethënëse, ç’ka përbën vlerë dhe domosdoshmëri për ta mbajtur këtë libër nëpër duar apo bibliotekë.

Nga: Mihal DISHO

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s