Për ÇAMËRINË – në shekuj / PENA TË MËDHA PËR NJË ÇESHTJE TË MADHE

Për ÇAMËRINË – në shekuj

PENA TË MËDHA PËR NJË ÇESHTJE TË MADHE

 

Muhamet Kuçuku Çami
(1782/3-1844)

Gurbetlinjtë

Ç’ke zemër që bën figan’
Që s’bën karar natë ditë,
Po kullon gjak e katran,
Qan që t’u këpunë sitë?

Natë ditë me silloi,
Dhe kur kumbisë për gjumë,
Kujton halle shumë lloi,
Për kusure që na zunë.

Bahu sus kush ishtë garib,
Që ishtë ne vende të huaj,
Dynjaja i erdhi galib,
Poshtë më poshtë xhdo muaj.

Allah bën merhabet,
Për gurbetli gado janë,
Se janë në të madh siklet
Që s’shohënë akrabanë.

Bënenë shumë merak
I ndjek zjarri i dashurisë,
S’u qendron zemëra në bark,
U bënetë e zezë pisë.

Të mbëdha halle kanë
Që nuk i thotë kandari,
Dhe të vdesënë, tek janë,
Kurmetë s’ua tret as varri.

 

Hasan Tahsini
(1811-1881)

Shpendi i shpirtit

Shpendi i shpirtit tim
kërkon të ndahet
nga banesa
e paqendrueshme.

Kafazi
është i vjetër
nNuk i mjafton më ky trup.

Priret shpendi
nga qenia e vetmisë,
Kërkon jetën e amshuar.

 

Hekuran Zhiti
(1911-1989)

Vajtimi i Shqiponjës

(që do të vazhdojë edhe pas luftës)..

.Lidhni , bijtë e mi, një besë, një fjalë,
Se bota po shkon me dallg’-ankth-e- valë!
Bota është çmendur në tym e në flakë,
Prandaj e qafoni Shqipërinë plakë.
Dhe ta mbani mirë me besë si trima,
Se ndryshe ju la në rrugë jetima,
Pa atdhe e nder,
Pa tokë e pa pjesë,
Se botaë e mallkuar
Qqqenka e pabesë.
Sot të fut në radhë dhe si shok të fton
Po kush e di nesërzemra si rënkon
Për ty e për mua,
Se s’jemi të lirë…

Dhe vajtimet tona bëhen hapësirë

Si i ngjau Kosovës, Çamërisë së shkretë?
Ëndërruan lirinë,
U bënë ëndërr vëtë.

 

Naim Frashëri
1846-1900)

O Hasan Tahsin

O ti mbret, o shumë i larti kryetar!
Nga e dlirta fryma jote unë marr
Të Edenit erën, hirin parajsor.
O Hasan Tahsin! O trëndafil qiellor!
Gjatë dimrit pranë teje kaqë herë
Jo pse doja të shetitja që në verë,
Po nga zjarri që të shihja këtë dhè
Këtë baltë kaq të dlirë që më ke,
Pata ardhur zemërdjegur, përvëluar,
I vrerosur, i brengosur, i helmuar.
Unë thashë se mos vdiqe, humbe krejt,
Po ti paske shkuar nga parajsa drejt.
Nga parajsa sot ti kthyer je sërish,
Kryet nxjerrë ke mes kopshtesh e stolish.
Ti më vjen nga trupi, dhèu, shpirt-i ndritur
I tim miku që në varr më është shtritur.

 

Aleksandër Stavre Drenova
(1872-1947)

Për Kosovë e Çamëri

Sot dor’ e huaj thonjtë na i ka futur
As gjuhën s’mund ta flasim ne të mjerët,
As kënga më s’gjëmon te bjeshk’e mblerët
As për të qarë nuk, as për t’u lutur!
Pa nder si kafsha marrë nëpër këmbë
Nën thundër zotërsh pa një pik ndërgjegje,
Na thithin gjakun duk’ na shqy me dhëmbë!

Por jo!S’fitohet kurrë vet Lirija
Të drejtat s’merren me ta ndehur dorën,
Kush don si trimi lavdin dhe kurorën
Të dalë, në s’ka vdekur shqiptarija!
Përpara o burra, Çamë e Kosovarë
Si mur krahnorin bëheni mburonjë,
Lirija trimërisht të dalë zonjë:
Jashtë vatrës flakni këta kusarë!

 

Refo Çapari
(1884-1944)

Çamërisë

-kushtuar mikut tim dhe atdhetarit të mirë
zotit Beqo Izet Çami-

Po vijnë egërsirat me trup njeriu
të të shkretojnë edhe një herë
edhe këtë jo vetvetiu,
po të lëshuar, ah nga të tjerë!

Nga ata që pandehe si shpëtimtarë
Edhe q’i prite me aqë gëzim,
Nga ata u dorëzove sërisht në barbarë,
Për tëndin dhe të kombit gjithë mjerim
……………………………………………..

po ja, edhe sot , kur the se u lirove,
me thika të mprehta të sulen e tretur,
ata prej të cilëve pandehe se shpëtove,
ta marrin shpirtin dhe të lenë të vdekur.

Po edhe në ta marrçin, Shqipëria t’rrojë.
Dhe shqiptari kurrë, sa të rrojë në jetë,
S’ka për të harruar dhe do të të kërkojë,
Çamëri e bukur, vend’plot shi’jetë!

Worcester,7.X.1917

 

Qamil Izet Çami
(1885-1933)

Filati

Filati ësht’si katund
Aq i mir’ veç sa s’ka fund;
Me fushë e vërri të mira,
Me çdo gjë fare të lira,
Po t’habit padituria,
Ku ësht’mbytur njerëzia
S’dinë ç’të bëjnë të gjorët,
I përpinë tradhëtorët,
Ua bënë mendjen ujë,
I bënë copë e rrëmujë!
Ca i trmbin hoxhallarët,
U venë fre si barbarët;
ca të tjerë po mejtojnë
grekët mos t’i zemërojnë!
Po të flaktët atdhetarët
Luftuan si dhe të parët;
U përpoqën nat’e ditë
Sa nxorrën shipen në dritë,
çelën klubin edhe shkollën,
Lule të vliera mbollën.

 

Hil Mosi
(1885-1933)

Himni i djelmënisë shqiptare

Djelmëni, ti je gjith shpresa
E njaj hylli që agon,
E n’Shqipni sot po flakron!
Djelmëni, ti je qindresa
E Atdheut, kur n’luft na fton.

Djelmëni gjithmonë përpara
Për flamur edhe për mbret
Hurra djelm ju dhashtë e mbara,
N’paq e n’luft kur Shqipja thrret

Gjithkund toka asht e jona,
Ku kjo gjuhë e shenjtë tingllon.
E nji gjak shqiptar vëlon,
Pra një zot, na tjetër s’dona
Kur në luft Atdheut na fton.

Djelmëni gjithmonë përpara,…etj.

Ç’merr Kosov’ e Çamërija,
Ç’prej Gramozit nd’Adriatik
Çdo djalosh është çelnik
Sa njeë za kur lshon Shqipnija
S’merr në sy asnji armik.

Djelmëni gjithmonëpërpara….etj.

Pra përpara djelmëni
Le të shkojë plot me shpresë
E vllaznueme t’gjith m’nji besë
Me nji bes shejte,”Shpipnija”
Qi çdo nesh e shpjen të vdesë

Djalmëni gjithmonë përpara…etj.

 

Gjergj Bubani
(1899-1954)

Dodonës

Vallë ku janë mshehur dhe ç’vise i mbulojnë
Fuqitë magjistare, fuqit’e tu dodonë?
Mijra vite shkuan, vite të ra po shkojnë
Pyllet e bungut s’janë, u prishnë përgjithmonë

Ku është lisi i famshëm, burimi yt i shtrenjtë
Përpara cilit nj’herë përunjeshe një popull
Një kresmë duke pritur..K’është tryez’ e shenjtë
Me Hyjin rrufeshtënës?…mirot që ndiqnin rrotull?…

Orakull i Dodonës!…Ti krojë virgjënore!…
Flisni edhe sot si nj’herë me fjalë rrufesore!
Këputni pa mëshirë-perin e rojtjes tonë!.

Trego fuqinë tënde e hirnushme Dodonë!…
Le të buçasin krezmat! Le të riderdhen lotë!
Gati të të përunjet qëndron e re një botë.

 

Arif Dino
(1892-1957)

Gota e thyer

Në tarracën me plllaka mermeri
Dymbëdhjetë gota u thyen,
kaskadë e qeshure kristaline
në copëza të vogla…fine…
Mbrëmje mermeri të përgjakur,
natë varreze;
në mëngjes qelqi i thyer
rimerr të qeshurën e tij prej drite.

Metal i keq

Vetëm miku i shkretë vuan dhe qan
Ashtu si ari ti nuk e njeh aspak ndryshkun
Ti nuk je veçse pamja e shndritëshme
e ndyrësisë së pasur.

 

Azem Shkreli
(1938-1997)

Në buzë të rektimit

E mbramja porosi
sot edshe shtëpinë ma dogjën,
shtëpinë e lindjes;
sot edhe gjakun ma pinë,
gjakun e papaguem;
sot edhe sytë m’i puthën
me katër bajoneta,
voglushi im i dashtun!
Kur t’rritesh
Mblidhi eshtnat tanë gjithkah shkumanave tona
Eshtnat tanë e t’etënve, klithjet e dhimbjeve tona,
Dhe ngrehe një piramidë prej rrashtash deri te rèja:
Përmbi Keopsin, në maje t’shekullit ngjitu!

 

Abedin Dino
(1913-1993)

***

Fëmijët e vitit 3000 do të qeshin me ne.
Veçse zhurmë për hiçgjë.
Ashtu si peshqit e pafuqishëm të kapur në grepin
E fjalëvë pa kuptim, ne jemi përpjekur pareshtur.
Në vitin 3000 nxënësit do të qeshin shumë me ne,
ose më keq akoma:ata do të ankohen.
Vështirësia trallisëse për të vendosur këmbën në tokë.
Ç’ka më të rëndësishme se një gllënkë ujë?…

 

Bilal Xhaferri
(1935-1986)

Pranvera

Erdhi përsëri pranvera në jug.
Livadhet e braktisura i mbuluan luledelet;
Befas në agim fluturuan dallëndyshet,
Të përjetshmet pelegrina të tokës çame.
Erdhi përsëri pranvera në Çamëri.
Pranë gëzhojave të ndryshkura mbijnë manushaqet,
Nëpër mjegull shfaqet dielli
Dhe pasqyrohet buzë detit sikur…
Për këtë vallë ndriçon dielli atje?
Për kë blegërijnë dhentëpër kë mbin bari?…
U mësuan rrënojat
Pa fjalën tonë…
……………………..
Drejt gjithë rrugëve
Drejt gjithë qyteteve dhe fshatrave,
Drejt varrezave,
Drejt arave, luginave,
Drejt kullotave verore në male,
Drejt prapambetjes sonë
…………………..
dhe drejt armiqëve.
Erdhi përsëri pranvera, Çamëri.
……………
luledelet zbardhërojnë.
A do të vi ndonjë ditë edhe për ne?

 

Aristidh Kola
(1944-2000)

Rrënja jonë Arbënore

Rrënjë e fortë arbërore
Kush mund të të presnj?
Kush mund të të fshehnj?
Rrënjë e fortë arbërore
Lulje e fleta meta more

Rrenjë e fortë arvanite,
Rrënjë e burrave të motit,
Rrënjë Heraklliut e Akillefit
Rrënjë Aleksandroit edhe Kastriotit,
Rrënjë e fortë arvanite,
Nga merr shpirt e meta rrite?

Rrënjë e fortë shqiptare,
Rrënjë e Boçarit dhe Bubullinës
Rrënjë e fjalës besalidhës
Rrënjë e bukurisë dhe trimëresës,
Rrënjë e fortë shqiptare
Mga ajo jeta nuk u bare.
…………………………….
Rrënjë e fortë , rrënjë e argjendtë
Hape dhènë e çajte gurin
Dhe në diall nxorre kurmin!
Nxorre kllara, nxorre fleta
Dhe gëzonet tuti jeta

Bekuar rrënjë
E bekuar nga Mëma-Dhè
Bekuar rrënjë nga Zoti Diall!
Bekuar rrënjë me ujit Detit:
Lulëzo si bukuria Afroditës!
Lulëzo si dhri në male,
Trimëronu, lulëzo dhe bukuronu!

 

Rasim Bebo
(1927)

Çamëria

S’ka treg, çmim apo shpërblim
Për asnjë risk të tokës mëmë,
Atdhe e gjak lëmë trashëgim
Si emrin, kohët ta kanë lënë.

Mijëra vjet flasim shqip,
Varrosëm eshtrat që na mbinë,
Mbi ne shekujt derdhën dritë,
Epoka solli Shqipërinë.

S’kërkojmë shpagim, lëmoshë, dhuratë,
Kërkojmë atdhenë gjer në kufi,
Atë që pretë me plumb e shpatë,
Krah gjakosurën Çamëri.

Ne pellazgë, ilirë, shqiptarë,
Kosovë e labë e Çamëri
Shterojmë lumejtë që na kanë ndarë.
Europa ka një Shqipëri

 

Vehbi Skënderi
(1929)

Se po tret si Hënë e ngrënë

Çamëri, tokë e begatë:
Tri pranvera e vera bashkë
Klumësht, mish e pite mjaltë.
Kush të shan gluha ju thaftë!
Çamëri!
Fati i zi të çau me spatë!

Morëm rrugët:male e dete
Nëpër pesë kontinente.
S’morëm dot një plis me vete,
Veçca rrecka mbi skelete!
Ku të lamë?Në çduar mbete
Çamëri!

Çamëri, o nënë e shkretë
Fol, ku i nise djemtë,
Vajzat, nuset, foshnjat, pleqtë?
Ngele si zgjua pa bletë,
Posi vresht pa sythe e fletë!
Çamëri!

Çamëri, o e bukura nënë
Po të nis një dorë hënë
Dhe një lot si gurë të rëndë!
Nëm një bisk të ngre një këngë!
Nëm një gur të vras një gjëmë!
Nëm një re të thur një ëndërr!
Se më vren gjithë bota vëngër
Se po tret si hënë e ngrënë!
Se po vdes me mall në zemër !
Çamëri !

 

Pirro Kuqi
(1939-2006)

Çamëri

Çamëri, o toka jonë,
Çamëri , o toka ime,
Sinfoni e ankthit tonë
Nëpër brenga
përgjithmonë!

Kur pranverës shpërthen plisi
Dhe në dertin më të madh:
Hapma shtegun e një visi
Nën ullishtë
Në livadh.

Le të prehem pakëz qetë
Në pranverë në liri,
Posi zogu nëpër fletë:
Çamëri,
Çamëri!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s