KRONIKË E RRUGËS PËR NË ASKUND / Tregim nga Lida Lazaj

KRONIKË E RRUGËS PËR NË ASKUND

 

Tregim nga Lida Lazaj

Nuk e kuptoi si u gjend në ndenjësen e mjetit lëvizës, që ngjante me autobus tip fizarmonike, por dhe si platformë, që përdoret për transport konstruksionesh masive, kështu pa parete anësore e pa çati. Me kokën mes duarve shtrëngonte tëmthat dhe ballin, që sa nuk i shpërthenin. Zëri që vinte nga thellësitë e qënies, e i ngjante zërit të të birit, herë e qortonte butësisht, herë i kërkonte llogari, herë e ngushëllonte, herë e nxiste për të vënë në vend padrejtësinë. Vërtet, si vallë kishte lejuar t’i ndodhte kjo batërdi? Ja kishte hapur vetë derën një fryme të ligë, e cila kishte fikur të gjithë qirinjtë, apo e kishte harruar derën hapur duke rënë në gjumë letargjik? Dhe ja ku erdh ky çast dhe e gjeti veten pa shtrat, pa tryezë, pa skrivani, pa bibliotekë, pa rafte, pa kujtesë, pa asnjë send, gjëprejgjëje, prej mundit të një jetë të tërë. I ka pasur vallë të gjitha gjërat e nevojshme për të jetuar një jetë normale apo ka gënjyer veten me iluzione. Rrafshuar krejt. Mbetur vetëm një rreshtim gurësh në formë kuadrati dhe një hapësirë aty ku kish qënë dera, nga ku bota mund të hynte lirisht. Si në lojë shtëpiash fëmijërie. “Por a mund të kthehem në fëmijë, të futem brenda kuadratit të gurëve, të vendos si fillim derën, që më ndan nga bota ta ringre nga e para ngrehinën e jetës, strehën e prehjes, raftet e kujtesës? A mund të kem kohë të mbledh të çmuarat çaste, ndodhitë, që më kanë bërë te qesh, apo ato kur dhimbja më ka tronditur deri në palcë e ti vendos si pasuri?” Ndërsa shtrëngonte tëmthat e ballin, përsëthelli, dëgjoi përsëri zërin, që i ngjantë të birit. “Shko, shko…. bëj diçka…. mos lejo të të rrafshohet edhe kufiri i gurëve…. Lëviz, kërko”
Hodhi sytë përqark, për të pyetur se ku e çonte ky mjet i çuditshëm lëvizës, pa zhurmë motori, pa troshitje, pa erëra të pakëndshme, por s’pa kërkënd. Madje nuk kishte as drejtues mjeti. Mesa duket ishte një shpikje e fundit e teknologjisë, që lëvizte e telekomanduar nga kushediseku e kushedisekush . Vuri re, që majtas e djathtas në sens të kundërt kalonin objekte të njohura, tregu i fruta perimeve, furra e bukes, minimarketi, farmacia, agjensia e funeraleve, këndi i lojrave të fëmijëve të vendosura përanash rrugës ku ecte çdo ditë. Përfundimisht u bind se mjeti lëvizës ishte vetë rruga. Banorët, ato fytyra të para përditë, me po ato hije trishtimi e grimca gëzimi në cepat e buzëve, qenë pasagjerët. Heshtja, ndonjë psherëtimë që i shpëtonte vetëkontrollit, balli i hirnosur dëshmonin se çdo kujt i ishte bërë një padrejtësi, që nuk i ngjante tjetrit. Shfrytëzonin rastin, që rruga kishte filluar të lëvizte dhe shpresonin se do ti çonte diku, ku do ti jepnin fund hallit. Dukeshin të vendosur, që do ti shkonin deri në fund, por tringëllinte telefoni dhe i kujtonte se kishin ndonjë detyrë dite, që nuk priste dhe zbrisnin. Po e këndellte ky udhëtim pa troshitje e po i ndjente me pak goditjet në tëmtha. Kur u rehatua në ndenjëse dhe i dha karar ta e të mos e vriste mëndjen, se vetë rruga do ta çonte diku ku do gjente çka kishte humbur apo ja kishin vjedhur nga mos vëmendja e po e shijonte këtë udhëtim, sa të çuditshëm po aq dhe zbavitës, para sysh iu çfaqën male të gjelbëruar me kokë në qiellin blu. Ishin imazhe të fiksuar në kujtesë nga fëmijëria e largët. Nën sqetullat e maleve si në gji të perëndisë, një fshat i vogël malor me shtëpi prej guri dhe çati po prej pllakash guri. Ishte vendlindja e prindërve të dy vëllezërvë aktorë hollivudianë, ku jeta rridhte aq ëmbël sa edhe lumi i vogël, që ndante dy lagjet, në shtratin e të cilit, thonin, se po të gërmoje gjeje monedha floriri. Por s`qe e thënë të zbavitej mbi rrugën, që lëvizte butë si thika në gjalpë e të këndellej në imazhe paqeje e mirësie. Njëri nga banorët, duke u ngutur të zbriste i dha të kuptojë, që rruga kishte hasur në pengesë dhe nuk do lëvizte më. Duhej vazhduar më këmbë.
Ndërsa shputat prekën tokën, syri nuk hasi asnjë pikë orientimi. Asnjë shenjë nuk kishte as qielli ngjyrë plumbi. Gjithcka e hirtë. Një heshtje varri ia mbështolli kurmin si savan. Hodhi hapa kuturu. Pak me tej si nëpër mjegull shquajti disa breshka të stërmëdha, që flinin. Hapësirave midis breshkave, që ishin shtëpitë e këtyre njerëzve që rrinin grupe grupe, sup më sup. Ju dalloheshin vetëm gjymtyrët. Nuk dukeshin se kishin ngut. Koha e ndarë në orë e nënfishat e saj sikur nuk funksiononte. Nga larg gjestet e tyre ngjanin si prej njerëzish, që i jepnin njeri tjetrit mbështetje e përkrahje. Por ata nuk ndalonin së prekuri e punuari mishin, që ngjante me masa të bardha brumi, pa asnjë fije nervi a kapilar gjaku. Të gjithë pa zgjedhje, ku të mundeshin e me cilin apo cilën të ndodheshin pranë. E vetmja gjë, që e bënin fshehtas ishte kur këpusnin copa mishi të tjetrit dhe e hanin. Fytyrat, ku mund të lexohej gjendja e brendëshme, emocionet, i fshihnin mes supeve. Kokat i kishin të vogla, si rudiment i mbetur i një aseti, që nuk përdoret më. Ankthit e frikës, që e kish kapluar sapo preku tokën me shputa iu shtua dhe pështirosja për këtë koloni njerëzish të qullët. Pakëz më tej disa të njohur argëtoheshin duke soditur qullashët, e flisnin e komentonin, gjestet e tyre si egzibicionin më mbresëlënes, që kishin parë. Madje diskutonin, se kujt grup ti bashkoheshin. E kapi një dëshirë e çmendur për të ikur sa më larg. Ja dha vrapit. Kaloi diisa prroska me ujë, të cilat ishin degë të një përroi shkumëbardhë, që buronte me gurgullima nga e çara e një shkëmbi mbi kryet e të cilit gjelbëronte një pyll madhështor. Mes gjelbërimit të thellë e të dendur dalloi cepat e një çatie druri tip japonez. Mes cicërimave të zogjve, fëshfërimës së fladeve të pyllit e gurgullimave të argjendta të përroit një tring-tring e kujtoi se kishte aparatin e telefonit ne xhep. Kishte mbërritur një sms. Më shumë kumtin e përfytyroi, sepse fjalët shkërmoqeshin dhe gërmat iknin e fshiheshin me zogjtë nëpër gjethet e mëdha të pemëve të larta, pleksur me liane e gjithafarë soj barishtesh kacavjerrëse. Lagështia e myshku kundërmonin.
“Je përballë pyllit të mistereve, enigmave, të së vërtetave e të drejtave të grabitura ose të ikura nga mos kujdesi dhe vlerësimi”, kumtonte mesazhi. Për tu futur në pyll kalohet përmes shtëpisë së Matsu Basho, derën e së cilës e hap një haik i krijuar prej teje dhe i miratuar nga dhjetë poetët më të mirë të haik-ut në të gjithë globin. Dera tjetër, që të përcjell në pyll është koduar me haik-un më të mirë të shkruar nga vetë Matsu Basho”.
Nisi të shfletojë kujtesën për të gjetur haik-un më të mirë që kishte shkruar dhe më impresionuesin nga krijuesi i haik-ut, por gjeti një truall të ngjeshur, që duhej pluguar dhe plehëruar përpara se të mbillej, rrethuar me një kuadrat gurësh në rresht.
Goditjet në tëmtha kishin filluar si në fillim…..dhe u zgjua.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s