Poezi për fëmijë nga Iliaz BOBAJ
TRIDHJETË E GJASHTË
Tridhjetë e gjashtë shkronja të arta,
me rrezëllim që mrekullon,
ku syri mbledh gjithë diturinë,
ka thesari i gjuhës sonë.
Tridhjetë e gjashtë tinguj valzorë,
magjikë si notat e muzikës,
kur na këngëzojnë në buzë,
i ka pentagrami i shqipes.
Tridhjetë e gjashtë yje dritorë,
në hapësirë pa fund e anë,
gjuha jonë e bukur shqipe,
ka në yllësinë e saj.
Tridhjetë e gjashtë gurë të lashtë,
vënë aty ku shqipja del,
gdhendur hijshëm, lidhur bukur,
gjuha jonë ka në themel.
MBRËMJE NË BUTRINT
Dielli, lodhur, kapitur,
pas një kodre kishte zbritur,
me ca hapa të ngadalta,
ikte dita, vinte nata.
Zogjtë heshtën, mbyllën sqepin
dhe në mes e lanë koncertin,
nëpër pemët buzë ujit,
si fëmijë i zuri gjumi.
Tek e tuk ndrinë ca pishtarë,
si ca yje të shpërndarë
dhe një varkëz me lopata,
humbi, e përpiu nata.
Fle qyteti, s’bën zë jeta,
flenë shtatoret e mermerta,
veç lumi s’i mbylli sytë,
mbante vendin me muzikë.
Zgjuar rrinte si përherë
dhe një roje në bedenë,
me përkrenare mbi krye
dhe një ushtë që prekte yjet.
SIDITA QETËSON BABIN
Babi ishte i mërzitur,
rrinte si qiell i ngrysur,
syri i tij nuk kishte jetë,
nëpër të kalonin retë.
Dhe i lëshonin furtunë,
erë të fortë edhe shi shumë,
gjoksi hidhej i gulçuar,
si një dallgë e tërbuar.
Sidita shikonte babin,
si t’ia zbuste pak tallazin ?
Ia hodhi duart përqafe
dhe e puthi fort ne faqe.




























Leave a Reply