Cikël poetik nga Haxhi Muhaxheri

 

ATDHEU

Atdhu është oqean i vogël
i trazimit të madh
ku bien heronjtë
.
Tokë e pushtuar
nga magjia e shkretirës
ku vritet ëndrra e Gjergjit
.
Është vend prostitutash
veshur me ngjyrat e flamurit
ku lindin kopila që shesin veten
.
Luadh gomerësh
a mal ujqërish të uritur
që e kafshojnë tinëz Lirinë
.
Atdheu –
është plagë e thellë zemre
që po rritet… po rritet… e po rritet…

 

MARTINI

Një Martin e ka atdheu
dhe një atdhe e ka Martini
.
Edhe me pranga në duar
e kërkonte hisen e vet të diellit
.
Sapo qielli u ndez mbi Arbëri
përballë i doli gjarpërit të zi
.
Pastaj – kur liria ia puthi ballin
me shtatë plagë në zemër
u kthye andej nga kish ardhur
.
Thonë se tash – atje diku larg
sheh ëndrra me ujqër
që duan t’ja kafshojnë atdheun
e s’e zë gjumi… e gjum nuk ka
.
Një atdhe e ka Martini
e sall një Martin e ka atdheu

 

ME GUR E GJUAJE DHE ZOTIN
(Mikut tim, poetit Tahir Desku)

Kot të erdha te shtëpi e re,
poet kokëkrisur !
.
Edhe prej varri paske ikur
t’i këndosh të bukurës Anitë,
vashës që s’u jepej as Perëndive.
.
Kurrë s’ke qenë i rehatshëm
bre lum miku !
.
Sy njerëzve të hekurt lozje me zjarr
dhe kur qielli ndizej mbi Kosovë,
me gur e gjuaje edhe Zotin !
.
Ti, o dreq poet !

 

GURI I NUSËS

Ajo mezi e kishte pritur ditën
qe të bëhej nuse dhe jo gur,
sall për t’i dhënë emër
një legjende…
.
E zezë dita për krushqit !
.
Oiii… medet
për Nikollën e Gjinit,
që kurrë s’u bë dhëndër…
.
Mbi shkëmb vajton një shpend i zi …

 

VERË E VRARË

Sa herë që vjen vera
Ëndrrave më shfaqesh
Ti moj – si një engjëll
E shpirti flakë më digjet
.
Na e vranë verën – Vera
(Eu… ata e vrafshin veten!)
Paçka se…një Zot e kishim
E shqip i luteshim të dy
.
Tash… S’na mbeti tjetër
Veç t’i kujtojmë netët
Kur fshehtas loznim me yje
E zjarri ndizej brenda nesh

 

GRUA ËSHTË AJO…

Grua është Ajo
që të puth sytë çdo mëngjes
dhe me buzqeshje të pranvertë
ta sjell kafen në shtrat
.
Po Grua është edhe Ajo
që frymën ta ndal
dhe përditë të qon buzë varri
por me vdekë nuk t’len
.
Oh… Grua është Ajo bre
që natë për natë ta hap qiellin
e t’ban me e pa edhe Zotin…
.
Për besë…
Grua është veç Ajo… E lumja grua
që emrin tënd e mban për hajmali

 

KUR VJEN E DIELA…

Të hënën
të dua marrëzisht,
për të urrejtur
të martën
… prej dashnisë !
.
Të mërkurën
të dua si sytë,
që të enjtën
të urrej sa veten
… prej syrit të keq !
.
Të premten
të dua sa jetën,
për të urrejtur
të shtunën –
veç pak
… prej xhelozisë !
.
Të dielën…
Oh, kur vjen e diela
të dua baras me Zotin
dhe veten e harroj
duke u lutur për Ty !

 

EDHE NJË HERË

U bën njëzet vjet
që këndon të njëjtën këngë moj
sa herë që e harron Zotin
E unë i çmenduri
kërkoj prapë ta përsëritësh:
– Edhe një herë… Edhe një herë
Aman… Edhe një herë…
.
Mbretin,
ende nuk e ka zënë gjumi

 

TRADHTIA

Më fal moj grua
Se mbrëm
Tradhtuar të kam
Me fqinjën leshverdhë
Që mendsh luan edhe perënditë
.
Bobooo… Ç’më bëri shejtanka
Shpirtin desh ma nxori
Ëndrrave – gjithë natën

 

Ç’MË KE BËRË ?

Ç’dreqin më ke bërë
që kam harruar të plakem,
grua – moj shejtankë ?
.
Bobooo,
sa kam frikë të vdes i ri.
Më ndihmo o Zot !

 

POROSI PËR GRUAN

E di se gjithmonë më ke dashur.
Për këtë, kurrë nuk kam dyshuar.
.
Por të lutem… Të përgjërohem !
.
Kurdo që të shkoj për matanë,
Mos më ndjek pas !
.
Dëgjoje fjalën time o dreq !

 

LIRI E DASHURI

Liri është – përnjëmend Liri
Kur djeg rrobat e turpit
dhe nga maje e Kullës së Babelit
botën e shikon krejt lakuriq !
.
Guxim e Liri zemre është
ta vrasësh frikën sapo lind dita
dhe para Zotit të thuash:
– Të dua o Perëndeshë !
.
Dashuri është Liria
kur mbi gjoksin e të dashurës,
me maje gjuhe
e vizaton hartën e atdheut !
.
Liri… O sa Liri është
kur ndonjëherë –
bash për pikën e qejfit
i thua edhe gruas: – Ik !

 

KUJDES ME GRATË…

Në do ta kalosh
Urën e Ferrit – fillo ta duash
një grua të përhënur
.
Ajo –
do t’i djeg të gjitha stinët
.
Nëse do ta mësosh
bukurinë e gënjeshtrës
dashuro një leshverdhë
që qanë e qesh në pasqyrë
.
Ajo –
edhe Zotin e mashtron
.
Në daç veten ta mallkosh
jepi dashurinë një gruaje
Qe puthur e ka zhgënjimin
.
Ajo –
do t’i vrasë edhe lutjet
.
Po deshe të marrësh
plagë zemre – plagë shpirti
besoi gruas që t’puthë
me zjarrin shuar buzëve
.
Ajo –
mërdhin edhe diellin
.
Në daç veten ta vrasësh
beso fjalët e një gruaje
që të thotë “Të dua”
pas dimrit të gjatë të pritjes
.
Ajo –
lëkurën tënde do ta vesh

 

NJERIU I PËSHTYMËS

Djalli yshtur e kishte
që ta pështynte krejt botën
.
E pështyu veten fillimisht
më pas tokën varret fisin
.
Pështyu lulet pështyu lisin
lumenjt dhe detet pështyu plisin
.
Kur nisi të pështyejë kah qielli
Zoti e humbi durimin
e dha urdhër t’i qepej goja
.
Por ai vazhdoj të pështyente
e pështyente brenda vetes
dhe fryhej e fryhej si një tollumbace
.
Thonë se thellë trupit të tij
është krijuar deponi e madhe pështyme
ku krimbat loznin hareshëm vallen e mortit

 

KËSHILLA E BABËS

Kurrë mos e shiko
hënën natën biri im,
kur ajo –
fsheh gjysmën e trupit !
.
Se… të verbohen sytë,
të zën ethet
dhe gjaku të bëhet ujë !

 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,302,944 hits

September 2019
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List