Poezi nga Fatbardha Sulaj
SHPIRTI
….a trembet shpirti,
a trembet shpirti do të pyesja,
shpirti që është pjesë e pavdekësisë
Dua ta di a ka frikë?
A vrapon,
a qan…
Ç’ bën shpirti kur trembet!?
Ti ç’ bën i dashur?
Apo dhe ti ngjan me shpirtin
në këtë ditë….
mjegullat qytetase
bashkë me zhurmën më sjellin tek ty.
Aty në thellësinë e syve,
ku dua të humb.
Aty të mbështjell me mantel nate,
ku zoti
shkruan meshare
të ndjerë për ne…
hapa jete
derdhen
si muzikë dashurie,
ku jeta është
bekim,
është dhuratë
çmimi që nuk ekziston,
univers i plotë emocional
që kërkon ta duash,
ta duash ashtu
si është në dhimbje,
në gëzim,
panik,
në ankth,
por,
mos e mbulo hënën,
yjet, dielln,
mos tjetërso qenien
buzëqeshjen
dhe natyra do dashurohet me ne…!
Ditë kibernetike
Mëngjeset zgjohen me mjegulla nate,
endur si bohemianët e ditëve kibernetike,
rrugëve bën ecejake dhe shiu
trishtë,
diku hapësira gri industriale
ngrihet si memorial kohe.
Mëngjeset zgjohen me mjegulla nate
dita ravijëzon
posmordenizmin flu…!
Good