Poezi nga Vullnet Mato
DUKE PRITUR TY
Syri u bë zog, turret rreth e qark.
Veshi u bë ketër, përgjon deri larg.
Zëri u bë pus, hesht në thellësi.
Zemra u bë frut, pikon ëmbëlsi.
Truri numëron hapat që ti hedh,
sekonda në gjak një shkëndijëz ndez.
Dhe ja tek po dukesh, porsi yll i largët.
Rrëshqet me shpejtësi, erdhe fare afër;
Natës i dhe muzg, muzgut i dhe dritë,
dhomën mbulove me shkëlqim kozmik.
Tek unë u lëshove, gjithë elektrizim.
Kometa “Halley” shkrive n’prehrin tim…
Ah, sa të kam pritur, oh, sa të kam pritur,
aq sa, të isha i vogël, do bëhesha i rritur!
Tani që të kam, nga muzgu në mëngjes,
nuk lë të bëhesh kometë, deri sate vdes!
LULET E SHPIRTRAVE
Jeta e njeriut është energji,
krijuar enkas për ripërtëritje,
ndërkohë ushtron veprimtari,
të përcjellë shtimin e tij në vite.
Pavarësisht trupit, si materie,
kur jeta nuk shkon dot më tutje,
shpirti jeton si frymë më vete,
në masën e errët, të padukshme.
Thuhet se shpirtrat pas vdekjes,
shkojnë frymë, në eterin kozmik,
shndërrohen lule, stinëve të çeljes,
erëmojnë, thahen dhe çelin çdo vit.
Lulet, në petale kanë çdo ngjyrë,
si vetë ngjyrat e racave njerëzore,
që ka krijuar shpirtmadhja natyrë,
t’i dallohen shpirtrat jetës tokësore.
Një tufë me lule, duke mbledhur,
për te varri i një miku a mikeshe,
një tufë shpirtrash, ke zgjedhur,
nga ata që të deshën dhe i deshe.
Ndoshta shpirtrat e njerëzve të liq,
bëhen lule ndër ferra dhe driza,
mes gjembave, thithet nektari pikë,
nga buburreca fluturues dhe miza.
Kurse shpirtrat e njerëzve të mirë,
pikojnë nektar, për bletë e flutura.
Kushedi në sa trëndafila e luleblirë,
kam thithur aromë femrash të bukura!
Dua shpirti të më bëhet lule shtogu,
apo lule shëruese, e ndonjë bime,
si lulebasani, për kurimin e një shoku
dhe për pasardhësit e familjes sime…
KLITHMA E LIRISË NË MES TË DETIT
*Poemth
Është një çast, një detaj historie,
pa theksin e kronistëve të kohës,
kur turmat e mëdha përmbi anije,
ikën nga Durrësi, drejt Evropës;
Vapori “Tirana” dhe anija “Iliria”
si dy koshere ngjeshur me bletë,
me nëntëmijë emigrantë të dyja,
lanë portin, kaluan kufirin e rreptë.
Kur panë veten, në det të hapur,
pa prangat socialiste të varfërisë,
dhe nisën të lundrojnë pa u ndalur,
krejtësisht të lirë në flladin e lirisë;
Ata me frymën, e një zëri jehonë,
shpërthyen befas një klithmë jete,
nxorën njëherësh nga mijëra gojë,
një fjalë gjëmimtare të vetme:
Liri! Liri! Liri!- si gjëmim atomik,
nga grykë topi me gjyle vigane,
goditi fuqishëm detin Adriatik,
ngriti dallgë qielli, stuhi detare.
Brofën peshq e zogj në fluturim,
ajri rrahu brigjet, në dy shtete,
u ça mjegullnaja, me kthjellim,
pellgu i lumenjve, tundi dy dete.
Kur jehona e dallgëve në zgjerim,
zbardhëlloi kaltërsinë me dritë,
oshtima e ujërave me shkumëzim,
bëri t’u njomen të gjithëve sytë;
Lotë gëzimi, nga djem e vajza,
lotë ngashërimi, nga gra e burra,
lotë, të kulluar, si nga parajsa,
lotët e çlirimit, nga diktatura!…
Klithma, qe buçitja e pafajësisë,
rënkimi i përgjakur i masakrimit,
dhimbja nga prangat e hetuesisë,
në çastet mizore, të torturimit.
Klithma, nga të dënuarit e burgjeve,
nga mijëra të internuar në kampe,
nga miliona gjuhë, lidhur pas buzëve,
nga të uriturit e kasolleve në male;
Klithma, e dalë nga skuta errësire,
përgjatë izolimit gjysmëshekullor,
krisje akujsh, me shkrirje ngurtësie,
nga skllavëria e egër e veçimit klasor.
Ishte zëri i ngjeshur, shumëvjeçar,
nga mungesa e fjalës së vërtetë,
nga heshtja e thellë, prej frike vrarë,
nga Sigurimi dhe spiunët në shtet.
Ajo klithmë gëzimi, në mes të detit,
lajmëroi gjithë botën anembanë:
Na prisni në strehën tuaj të kurbetit,
jemi shqiponjat e punës në Ballkan!…
Shumë prej tyre, sot janë biznesmenë,
investitorë Evrope, zanatçi të nderuar,
nga ajo klithma “Liri” që tundi dhënë,
kur kapërcyen detin, vetëm me dy duar.
Braktisja e sotme: “Politikë e dështuar!…”




























Leave a Reply