Poezi nga Nikollë Loka

Poezi nga Nikollë Loka

 

E hëna

Koha e saj dritë hëne,
shtatë ditë e netë nuk të nginë.
presim të zbresin shtatë ujëvara qielli
me ujë të mirë,
e ta lagin me të ardhme këtë dritë dielli,
ta kapërcejnë këtë prag dëshirash,
këtë agim.
E hëna hijerënda,
të tërheq drejt vetes,
në nisje kohësh të reja,
ku java shtatë ndalesa nxjerr,
dhe zbulohet hëna plot enigma,
të sosjes dhe rritjes,
në batica-zbatica dielli,
në vajtje ardhje ditësh që përcjell.

 

E martë

Planeti mars,
gjashtë rrathë drite i hoqi,
në rrethin e shtatë
e preku fatin,
skuqur në purpur
si dielli në muzg,
teksa ecte përdore
me të martën.
U dogj
për një ditë e për një natë,
e për gjashtë ditë e netë
u ringjall nga hiri,
në këtë mëngjes marsian
e marta po e sjell
do të zbresë në tokë
në shoqëri me diellin.

E mërkura

Fryni një erë dhe koha rrokulliset,
mblidhet në orbitë
e shterret në eter,
nën valët e dritës e mërkura niset,
drejt Kashtës së Kumtrit,
nëpër qiell.
Nën një aurorë kaltërimi nis,
dhe ruhet deri në muzgun e vonë,
dëshirë e thënë keq në mëngjes,
në mbrëmje na gëzon.
E mërkura vjen mbi fusha orësh,
njëzet e katër herë rrotullohet,
mbi një orbitë qiellore
trembshëm ec mërkuri,
po kam frikë se rrëzohet!

 

E enjtja

Përmbi Jupiter
valë e bardhë e yjeve,
përtej një orbitë
e planetit Mërkur,
në krahun tjetër,
nën dritën e Afërditës,
si ëndërr fatlume,
e enjtja vjen për udhë.
Zoti dhe njeriu
bashkojnë dritë e terr,
në agun delikat
që shpirtëra shuan.
Nis në Jupiter,
mbaron në Afërditë,
e enjtja, koha urë.

 

Të premten

Me lutje kapërcejmë më përtej,
rrugës së misterit,
në shoqëri orakujsh për nën Jupiter,
pyesim për motin që vjen:
rreth dritës dhe territ,
të premten a do të ketë ditë me diell?
Të mërkurën lutemi zbathur,
të enjten lutemi unshëm,
të premten lutemi etshëm,
ujin tonë të përditshëm falna zot,
lagi mëkatarët me breshër!
Breshëri na shkrihet nën këmbë,
mëkatet shkilen me dhembje,
nën dritën e Afërditës
shkelim mbi vesën si lot,
në agun e ditës së premte.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s