Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

ZEMRA E HOMERIT

Nuk kam preferuar të bëj poezi, për poetë,
se ndoshta do të më tingëllonin si lëvdatë.
Por një gojëdhënë, para dymijë e ca vjetë,
thotë, një Çirçe zuri rob, Homerin e lashtë.

Ajo i kthente në gur kalimtarët e rastësishëm
dhe ngrinte me ta, një mur të lartë në oborr.
Por zemra e bardit lëshoi një lëng të çuditshëm,
që filloi të shkrinte gurëzimin e trupit njerëzor…

Magjistarja u mundua me ngulm të tepruar,
dhe kur nuk mundi asesi arritjen e dëshirës,
bardët dhe aedët, jo vetëm s’i deshi të gurëzuar,
por i la të kalonin në prona, duke i rënë dhe lirës.

Sikur lëngun çudibërës, të zemrës këngëtare,
të kishte mundësi sot, ta pikonte çdo poet,
mbi vilave e çirçove dhe çirçeve pushtetare,
do futeshin në çadra, sa të blinin apartament;

Do krijohej barazia e nuk do lakmonin aq shumë,
për të bërë vila me paratë e popullit të shkretë,
se lëngu poetik, gurët e tullat, do ua bënte lumë,
dhe mirëqenia njerëzore do shtrihej gjerësish si det.

 

IMAZHI FEMËROR NË MIJËRAVJEÇARË

Nga gjurmët e paleolitit, në gërmimet mesjetare,
nga thellësitë e mugëta të prehistorisë njerëzore,
vjen me statuja mermeri dhe gravura murale
imazhi mijëravjeçar i bukurisë femërore.

Nga rrënojat e Trojës, Egjiptit, Mesopotamisë,
bashkë me emra dijetarësh e shpikës të kësaj bote,
vjen dhe figura e shquar e bukurisë së lashtësisë,
me personalitetin mahnitës të femrës bukuroshe.

Sepse frymëzimi fuqidhënës që djersiti në krijim
artistët më të talentuar të fantazisë botërore,
luftërat dhe fitoret e mëdha, për përparim,
u nxitën nga bukuria e magjishme femërore.

Beatriçja, Dea, Kleopatra apo Helena,
vunë në punë, penat, brushat, daltat skalitëse,
ku ylli simbol i kryeveprave të tyre, u bë femra,
me imazhin e pavdekshëm të bukurisë mahnitëse.

Bukuria u jepte femrave edhe pushtet të lavdishëm.
E tillë ishte Nefertita magjike e Egjiptit të lashtë,
një perri, që bëri emër dhe me shpatën e stuhishme,
kur para saj, dridheshin faraonë e gjithë burrat bashkë.

Këtë bukuri, ne e ndjekim sot si hënën në qiell,
kur ndërron fustanet e reve dhe vë yjet stoli,
kur me aq kujdes, u bën tualet buzëve e syve,
të joshi dashurinë, të përcjellë bukuri në përjetësi.

 

LULET E SHPIRTRAVE

Jeta e njeriut është energji,
krijuar enkas për ripërtëritje,
ndërkohë ushtron veprimtari,
të përcjellë shtimin e tij në vite.

Pavarësisht trupit, si materie,
kur jeta nuk shkon dot më tutje,
shpirti jeton si frymë më vete,
në masën e errët, të padukshme.

Thuhet se shpirtrat pas vdekjes,
shkojnë frymë, në eterin kozmik,
shndërrohen lule, stinëve të çeljes,
erëmojnë, thahen dhe çelin çdo vit.

Lulet, në petale kanë çdo ngjyrë,
si vetë ngjyrat e racave njerëzore,
që ka krijuar shpirtmadhja natyrë,
t’i dallohen shpirtrat jetës tokësore.

Një tufë me lule, duke mbledhur,
për te varri i një miku a mikeshe,
një tufë shpirtrash, ke zgjedhur,
nga ata që të deshën dhe i deshe.

Ndoshta shpirtrat e njerëzve të liq,
bëhen lule ndër ferra dhe driza,
mes gjembave, thithet nektari pikë,
nga buburreca fluturues dhe miza.

Kurse shpirtrat e njerëzve të mirë,
pikojnë nektar, për bletë e flutura.
Kushedi në sa trëndafila e luleblirë,
kam thithur aromë femrash të bukura!

Dua shpirti të më bëhet lule shtogu,
apo lule shëruese, e ndonjë bime,
si lulebasani, për kurimin e një shoku
dhe për pasardhësit e familjes sime…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s