Marjeta me artin e saj fuqishëm troket në ndërgjegjen njerëzore, vargu i saj thotë ndalo dhe mendohu se jeta ka stinë por ka dhe moshë, se fryma dhe drita është për të gjithë, mos ia ndalo rrezen askujt, mendo për harmoni, jeto me dashuri / Nga: Safet Hyseni

Marjeta me artin e saj fuqishëm troket në ndërgjegjen njerëzore, vargu i saj thotë ndalo dhe mendohu se jeta ka stinë por ka dhe moshë, se fryma dhe drita është për të gjithë, mos ia ndalo rrezen askujt, mendo për harmoni,  jeto me dashuri.

 

Nga: Safet Hyseni

Mbrëmje me erë të lehtë.  Errësira ka vesh teshat e veta. Yjet hynë në valle të gëzuar për shkëlqimin që falin. Qetësi e thellë. Ndjej një mall as vetë se dijë për çka. Më duket sikur futem fshehtas në çerdhen time aty afër Misisipit. Ky lum i madh nuk bënë zhurmë, është shumë i qetë. Kur i fryhet barku dhe del nga shtrati të jep mundësi edhe të ikësh. E vërej nga dritarja në shkëlqim të hënës. Duket sikur bëjnë dashuri. Retë janë bërë xheloze e po puthin valët e tij të qeta. Shikoj orën. Akrepat janë bërë njësh rreth dhjetë të mbrëmjes. Dua të marr frymë si atje në bjeshkët e vendit tim, por kot. Hap dritaren time të dashur dhe më del faqja ATUNISPOTERY.COM… lexoj “HESTIA” në gjuhën frënge që nuk e kuptoj por me autore Marjeta Shatro Rrapaj. Është shqiptare. Mendoj ku e ka marr çelësin për të hyrë në artin e Parisit. Kureshtja me mbyt dhe vazhdoj kërkimin në shqip. E gjej një faqe në ballin katër vepra të botuara. Vazhdoj dhe lexoj. Harroj që ora rrafshon akrepat më 00, dhe unë duhet ta lë shtratin në ora pesë të mëngjesit. S’ka rëndësi, e ngushëlloj veten, më ka ndodhur shpesh edhe pa i mbyll sytë të dal në punë. Por kësaj here kisha vendos të kërkoj një ëndërr. Edhe pse e kërkoj, ajo vjen vetë kur t’i teket, kur do me të falë diçka. Më mirë të futem nëpër fushës së vargjeve, dhe jam vërtetë shumë kureshtar çka pëlqejnë francezët. Padyshim se ata e adhurojnë dhe njëkohësisht e çmojnë artin. Thonë se poezia është mbretëresha e artit, e për mua është freski e mendjes dhe kënaqësi e shpirtit. Futem në faqe dhe lexoj me radhë. Lexoj dhe rilexoj. Çdo njëri ka shijen e vet, por të thellohesh në çdo varg futesh në meditime. Po them se poezia meditative zbulon mendimin e shkruesit dhe ajo lirike zhveshë shpirtin e tjetra më shumë se lirike zbulon zemrën. Te autorja Marjeta Shatro Rrapaj ka një kombinim dhe mendoj se nëpërmjet vargjeve mund të komunikosh sikur ajo të jetë aty. Duhet shumë kohë që të vjelsh mendimin, dhe më shumë kohë që të zbulosh ndjenjat për dashurinë dhe natyrën. Kur lexoj një autor/e që nuk e njoh marr dhe lapsin ndonjëherë shënoj e ndonjëherë shkruaj si në shkollë përshtypjet e mia. Çdo autor/e që merr lapsin për të hedhur mendimin në opinion ka përgjegjësi, por përgjegjësia është sa është i formuar personaliteti i tij dhe nëpërmjet asaj që shkruan ai apo ajo tregon për identitetin e vet, për personalitetin. Bukuria e vargut është bardhësia e shpirtit e mendimi i ndritur janë zig-zaket e udhës ka ke ecur. Letërsia nuk është vetëm det, por është edhe qiell ajo është edhe zemër edhe shpirt përderisa gjithë që kemi e nxjerrim jashtë. Autori i vërtetë nuk i druhet opinionit ashtu siç shprehet dhe autorja ku dëshmon për identitetin e vetë në poezinë pa titull që nis me vargun /I pafat shqiptari!/  Është një poezi që e ka shqetësuar shumë autoren, nuk ka titull por shpjegon një të vërtetë aq të madhe dhe thotë aq shumë sa duhet të shkruhen shumë artikuj për ta dhënë një pasqyrë kaq të saktë për shqiptarin, kohën që jeton, për jetën, verbrin etj. Ky mesazh thërret  për një zgjim se dhe ashtu kërkohet në formën e tërthortë. Asnjë autor nuk e zbërthen mendimin dhe lexuesi duhet ta marr mesazhin ashtu si do vet, dhe mesazhi është të zgjohemi. /I pafat shqiptari! /i vobektë e verbuar,/ nga koha harruar,/ nga gjumi pa zgjuar,/ nga jeta rrënuar./ Vërtitet shpirttrazuar/ me ankth, frikë e panik./ Ndihet i braktisur, si në apokalips./

Për të mos mbet i verbuar, i varfër, i harruar, shpirttrazuar duhet dije, zgjim, dashuri për të zënë dritën e përgjithshme. Vargu më fut në mendime përse të varfër, ka ndonjë arsye të jemi të braktisur, por përse të verbët?! Me jetë të rrënuar, shpirttrazuar, me frikë, panik përse? Por kur vazhdon të lexosh më andej autorja thotë bëhu njeri dhe nëse thellohesh ajo thotë dashuro, dashuro përsëri. Poezia është hyjnore është i lumtur ai dhe ajo që din të dashurojnë. Unë mendoj se dashuria është shkolla më e vështirë në jetë. Ta duash atdheun nuk ia grisë xhepat për ta verbuar, rrënuar, trazuar për të mbjell ankth e frikë, por dashuro dhe vetëm dashuro… Atdheu është dashuria e parë pa e njohur gjininë e kundërt, është drita, vaji dhe buzëqeshja e parë. Kështu e kuptova mesazhin e autores.

Njeriu gjatë jetës kalon nëpër shumë sfida, sado që të përdor maskën një ditë portreti i tij do zhvishet. Në këtë teatër të madh që luhet aktorët sado që të jenë të përgatitur portreti i tyre do bëhet “libër i hapur” thotë autorja. Poezia “Shpërthim emocioni” i ka të gjitha ndodhitë e jetës që provon njeriu andaj ajo thotë se një ditë do bëhet “libër i hapur” andaj nuk i shërbejnë maskat, dyfytyrësia. Në shumë poezi ajo dëshmon për intelektin e lart të mendimit filozofik që të detyron të meditosh.  Kjo është letërsi e mirëfilltë e shkruar vetëm në pak vargje dhe të thotë mendo dhe vepro, se bota nuk ndryshohet me forcë por me dije. Edhe poezia e tretë tregon intelektin e mendimit progresiv për një avancim të jetës në shoqëri, një zbrazje moderne e idesë. Duke i luftuar vetit negative ne ndërrojmë kahen e udhës dhe zëmë dritën, por jo duke pësuar “Metamorfozë”.  Poezia “Metamorfozë” është një perlë që gjen vend në çdo vend dhe gjuhë. / Heshtim, edhe pse kemi shumë për të thënë. /I falemi vetmisë, /për të larë gabimet që nuk bëmë. /Lodhemi, me gjykimin e shpejtë të botës. /Zhytemi në detin e dëshpërimit, se jetës i kemi shumë borxhe. /Pastaj mbledhim veten /se koha kalon pa u ndier. /E kështu mbetemi, /fajtorë të pafajshëm të jetës./ nuk është fajtor vetëm ai që bënë faj por është edhe ai që nuk reagon edhe pse nuk ka bërë faj. Andaj ajo në këto vargje thotë: “falemi vetmisë, /për të larë gabimet që nuk bëmë/” duke vazhduar “Zhytemi në detin e dëshpërimit, se jetës i kemi shumë borxhe”, se jeta nuk përfundon me ne por është edhe ajo që do lemë pas, kuptohet jeta nuk vdes.

Marjeta ka ndërtuar një stil të veçantë të të shkruarit, ajo në të njëjtën poezi të josh herë me lirik e herë me edukim. Në poezitë e saja ka metafora që godasin, ka figura të shumta poetike që të bëjnë të ndihesh mirë e të kënaqesh duke lexuar. Poezia e saj lirike është e ëmbël fjala rrjedh kulluar nëpër vargje dhe lenë gjurmë, gjurmë që të joshin për rilexim. Duke çmuar ndjenjën  kërkon të jesh njeri. Në vargjet e saj mund të hetosh se të jesh njeriu është puna më e vështirë në jetë. Mu për këtë fakt poezia e saj i ka lundruar përtej detit. Poezia “Kam dëshirë”… /Të ta puth ballin e menduar/, e të lexoj brengat e syve të tu./ Të t’i thëthij ato buzë të etura,/ pastaj të lutem për ty!/ Të ndiesh thellë në shpirt/ artin e të qenit njeri!/ Të dashurosh përsëri e përsëri!/ Këtu autorja bënë një thyerje shumë të bukur dhe që po të mos thellohesh nuk hetohet. Ajo dëshiron t’ia vjedh mendimet se më shumë nga të gjitha pëlqen intelektin dhe këte e hedh në treg të letrave /artin e të qenit njeri/ Të dashurosh përsëri e përsëri/. Këtu është magjia filozofike dhe lirike një kombinim drejt njerëzores.

Mjeshtëria e autores është kur merret me lirikën që i jep dykuptimësi, jo se ruhet nga kompleksi por se ka arrit nivelin e mendimit dhe lojës së fjalëve. Përveç sajë ajo gjen figura poetike që vargun e bëjnë të dashur, të hareshëm dhe të lezetshëm.  “Në ëndrrat e tua erdha mbrëmë/ si sirenë deti rrëshqitur nëpër valë./ Ti më prisje i përmalluar./ e unë u afrova si mjellmë e bardhë./ Në këto vargje përveç ndjenjës së shprehur bukur vargu ka muzikalitet joshës dhe dëshirë për ta jetësuar takimin imagjinar. Duke lexuar kërkoja çelësin me të cilët ka depërtuar në gjuhën frëngjishte edhe pse e gjeta vazhdova të lexoj dhe për kënaqësinë time has në disa perla si poezitë “Ëndërr”, “Fluturim”, “Eja…”, “Ti nuk e di…”  të cilat e mbajnë si triumf atë çelës që unë e quaj se hap çdo derë.

“Ti fluturon i lirë qiellit/ e unë ndjek tëndin shtegtim./ Nuk kam frikë nga brigjet e largëta,/ më mjafton të jem me ty, shpirti im.” Vargje nga poezia Fluturim që sjellin një freski por dhe lumturi kur ndodhesh në krahë të sigurt. E bukur është jeta kur e shikon drejtë në sy e kur ndjenja përjetojnë ëndrrën. Në poezinë e saj rrallë hasim në rim por kur ndodh ka ritëm poetik dhe shumë melodioze.

Me shumë mjeshtëri luan me fenomenet natyrore që na i sjell nuanca përplot ngjyra me metafora të shumëllojshme të  ndjehemi të sigurt të dashur, të qeshur dhe përplot harmoni. Deti dhe qielli si duket janë futur thellë në shpirtin e saj si dashuri dhe këtu e ka më lehtë të luaj me vargun për të filozofuar mendimin e sajë që dhuron dashuri. “Të dy vazhdojmë fluturimin/ drejt lartësive pa kthim,/ nuk na trembin mjegullat, as rrufetë./ E prekim jetën të dehur e qeshim me gëzim.”

Ajo ka shumë tema malli i dhimbjeje, dhimbje kolektive por si poete tregon edhe shtegun kah duhet ecur. Poeti i formuar ka një arsye që e nxjerr shpirtin jashtë për ta lexuar tjerët. Ajo me vargun e sajë na edukon, ndriçon rrugë duke u futur në udhëkryqe, prek fenomene, trokit në ndërgjegjen për të shëruar, fal shumë emocion por ajo çka është më e fuqishme tek vargu i saj thotë ndalo dhe mendoju se jeta ka stinë por ka dhe moshë, se fryma dhe drita është për të gjithë, mos ia ndalo rrezen askujt, mendo për harmoni jeto me dashuri. Të gjitha këto që i thash i gjeni tek një cikël poezish që i solla këtu për t’i lexuar. Mendoj se poetja me poezitë e saja di të fluturoj hapësirave të pafund dhe të notoj edhe detra të trazuar për të arrit në çerdhen e ëndrrave të veta. e kjo është dëshira e çdokujt që njeriut t’i dhurojë një pjesë të shpirtit për tu ndje i lumtur.

 

Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

 

Dashurojmë…

Me gishtat mes flokëve,
rindizen ndjenjat,
rrahin fort zemrat.
Puthja ngjall limfën e jetës,
e zbojmë heshtjen e pagjumë,
shembim distancat, pengesat.
Lëvrin gjaku si shkreptimë drite,
ndiejmë aromat vjeshtake,
mbytur në dritë hyjnore ëndrrat
e në muzikë shpirtrash,
magjepsur prej njëri-tjetrit!

 

Shpërthim emocioni

Tendosen emocionet,
gëzimi, ankthi, tmerri.
Djersin trupi nga sikleti.
Rrjedhin lotët për shfryrje dufi,
bëhet libër i hapur portreti.

 

Metamorfozë. ..

Heshtim,
edhe pse kemi shumë për të thënë.

I falemi vetmisë,
për të larë gabimet që nuk bëmë.

Lodhemi,
me gjykimin e shpejtë të botës.

Zhytemi në detin e dëshpërimit,
se jetës i kemi shumë borxhe.

Pastaj mbledhim veten
se koha kalon pa u ndier.

E kështu mbetemi,
fajtorë të pafajshëm të jetës.

 

***

I pafat shqiptari!
i vobektë e verbuar,
nga koha harruar,
nga gjumi pa zgjuar,
nga jeta rrënuar.
Vërtitet shpirttrazuar
me ankth, frikë e panik.
Ndihet i braktisur, si në apokalips.

 

***

I pafat shqiptari!
Fatfikur fatverbuar,
nga koha harruar,
nga gjumi pa zgjuar,
nga jeta rrënuar.
Vërtitet shpirttrazuar
me ankth,frikë e panik.
Ndihet idiot në shekull të kotë!

 

Pa adresë

Fshehur silueta jote
në skutat e harresës
bashkë me dhimbjen,
ku flenë kujtimet e flakura.

Mbytur premtimet në detin e mërzisë,
veç fryma rend e lirë pa adresë,
bashkë me poezinë e shpirtit,
ku shkruhen fjalët e mallit.

 

Kam dëshirë

Të ta puth ballin e menduar
e të lexoj brengat e syve të tu.
Të t’i thëthij ato buzë tē etura,
pastaj të lutem për ty!
Të ndiesh thellë në shpirt
artin e të qenit njeri!
Të dashurosh përsëri e përsëri!

 

Paskohë

E shkuara ecën me mua
heshtur,
pa fol asnjë fjalë
me shallin e grisur kohëve
rrugëve të qytetit tim.

Shpesh
kthehet mbrëmjeve të vona
shtegut që përthyen hapat
e më gremis mendimet,
me të vetmen shenjë të lenë
një fjollë,
që tretet zbrazëtisë kujtime.

 

ËNDËRR

Në ëndrrat e tua erdha mbrëmë
si sirenë deti rrëshqitur nëpër valë.
Ti më prisje i përmalluar.
e unë u afrova si mjellmë e bardhë.

Të këndova serenatën më të bukur të dashurisë.
E puhizë e lehtë u bëra atë natë
çast nga çasti yt i imagjinatës
derdhur në të përjetshmen valë dashurie.

 

Fluturim

Ti fluturon i lirë qiellit
e unë ndjek tëndin shtegtim.
Nuk kam frikë nga brigjet e largëta,
më mjafton të jem me ty, shpirti im.

Të dy vazhdojmë fluturimin
drejt lartësive pa kthim,
nuk na trembin mjegullat, as rrufetë.
E prekim jetën të dehur e qeshim me gëzim.

Mendimet tona shëtisin lirshëm,
nuk kanë frikë nga retë e zeza,
as ditët boshe, as netët e errëta.
Mbushen bulëza lumturie të bukurat ëndrra.

 

Eja…

Në mbarofshin
pyetjet e shumta
ndonjëherë
e frymëmarrje të shpeshtuara
të mos ndiesh më…
Diçka do të ketë ndodhur,
dhe nëse nuk duket
a nuk flet heshtja…

E kur detit
dallgët t’i reshtin
së përplasuri bregut
për orë të tëra
diçka do të ketë ndodhur,
ndaj ti mos pyet
se jeta flet vetë…

Por kur në cepat e syve
do të shohësh të tharë
pikat e lotit
diçka do të ketë ndodhur,
ndaj eja, kuroji plagët e shpirtit
e ndiqmë përtej frymës…

 

Ti nuk e di…

Ti nuk e di,
se zogjtë lodhen nga fluturimi
duke rrahur krahët fort,
duke përsëritur vetveten çdo ditë.
Mësojnë të struken në fole
të mos jenë preh skifterësh,
fshihen degëve, ecin pa u vënë re.

Ti nuk e di
se edhe shirat lodhen
duke dëgjuar grindjet e reve
duke rënë vazhdimisht,
fillojnë ndryshojnë formë,
bien me zemëratë si breshër,
godasin fort tokën,
që të ndiej dhimbje.

Ti nuk e di
se edhe errësira mërzitet
prej netëve pa shkëlqim
e në takim lë pranë diell e hënë
në ekuinoks të shpresës me ëndrra lirie.

Ti nuk e di
se muret e izolimit shemben
Prej klithmave të egra të ndërgjegjes,
se edhe mëritë fashiten me kalimin e kohës,
se edhe plagët mbyllen,po nuk ua ngacmove koren.

Ti nuk e di
se edhe vetë ke ndryshuar,
nuk je më i njëjti,
megjithëse nuk e pranon ndryshimin,
për të flasin gjurmët, reflekset, thinjat, rrudhat.
Thellë ndien dëshirën për pyetjet që të bezdisën.

Ti nuk e di
se kur nuk vlerëson dëlirësinë,
ajo të fal mungesën
dhe ti flet gjatë me heshtjen,
deri sa të thuash përballë pasqyrës:
“Po vërtet paskam ndryshuar!”
Atëherë do të qetësohet shpirti
e do të kthehet shkëlqimi i munguar.

4 thoughts on “Marjeta me artin e saj fuqishëm troket në ndërgjegjen njerëzore, vargu i saj thotë ndalo dhe mendohu se jeta ka stinë por ka dhe moshë, se fryma dhe drita është për të gjithë, mos ia ndalo rrezen askujt, mendo për harmoni, jeto me dashuri / Nga: Safet Hyseni

  1. Bravo Marjeta!…
    Ju lumtë për këtë vështrim të vlershëm Miku im i çmuar dhe i vlershëm Safet Hyseni!
    Vërtetë poetja e Jonit Marjeta Shatro Rrapaj, është kumt që përthyen si asteroid muret që ndalojnë mendjen e lirë. Ajo me fjalën e saj përplot liri të shpirtit e të fjalës, në vend të mureve, po vë vegëza të ndërlidhjes kulturore në universin që quhet art dhe shpalos artin e saj me shpirt brenda, me rreze jete përthekuar duke e sjellë diellin për të gjithë!…
    Respekt autores së “Hestia-s” dhe vështruesit për këtë kritikë me vlerë…
    Me respekt, Adem Xheladini, Kërçovë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s