Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Poema e dhimbjes
(jo e mjerimit)

Të kam njohur në një natë dimri, e dashur,
S’mbahet mend që kur.
Shoqëri që atëherë kemi trashur,
Ti e di, brenda së njejtës lëkurë.
Dhe përherë më ke ndjekur si hije,
Kurrë s’më ke humbur.
Veç një natë me mua mos flije,
E di mirë, s’do të ishe e lumtur.
Të kam njohur plot një jetë, dhimbja ime,
Të kam njohur që kërthi.
E s’di në do të qe tragjikomike
Të të godisja me bërryl në ijë
Dhe të të thoja:
“Po kujt kërkon t’i shtiesh frikën, ti?”
E mban mend atë natë?
Atë natë kur era e urrejtjes e rrëmbeu tim atë?!…
Kur rrojtëm me njerzillëk në bodrum aq gjatë!…
Kur puthja e parë, e tretë e njëmijtë quhej vetëm mëkat?
Kur ëndrrat në agim i rrëmbente edhe një ditë tjetër!?…
Dhe uria pas ekranit të xhamtë shfaqej si relikte e vjetër!…
Kur e keqja brenda një nate u bë e mirë, e ktheu fletën.
Kur kriminelët për hiçgjë loznin me vdekjen dhe jetën?
Isha mësuar të të njoh, të të besoj,
Kur belbëzoja: Zot, a je?
Kur këmbëngulja: Je a s’je?
E kur ti doje, gjer në fund, pas të të shkoj.
Të kam njohur mirë dhimbja ime.
Dhe sa më shumë të njihja, këngës ia thoja.
Të të trembja me këngë, doja.
Të të vinte turp nga sjellja jote,
Por s’arrita kurrë për mote e mote.
Kisha dashur rrugicave të të shpija,
Ku më kish mbetur fëmijëria.
Të të mbërtheja grushtash me shpatulla në mur,
Ashtu të masakruar, të pështyrë
Dhe pa frymë të të lija,
Sa të ngopesha me dëshirën për të mos u parë më kurrë.
Por s’qe e thënë…
Një natë përsëri të pashë.
Po pije raki në atë barin, në periferi,
Ku nuk na njihte më njeri.
T’u ula pranë edhe të thashë:
“Me mua s’mund të bësh ç’të duash, ti!”
Kam pasur për ty mëshirë,
Për heshtjen tënde,
Për gishtërinjtë e tu të pështirë,
Që kurrë s’i kam lëpirë.
(Si e dënuar me zanatin tënd të vjetër,
E dënuar në dhimbjen tënde kilometër.)
Sa herë të kam parë në sy.
Ata më ngjanin gropa të shqyera kasafortash,
Hambarë të braktisur pa dry,
Si ëndrra të thyera, frymëmarrje të prera,
Si funde dashurish të pavlera.
Të kërkova: Ndalu një çast!
Në fund të fundit, a do ta flakësh atë maskë?
Ulmu pranë! Të paktën për një herë dëgjomë!
E mos hap gojë!…
Ke bërë gjithçka për t’më çarmatosur jetën
E di mirë:
Sa herë më kaloje pranë,
Pritje që të mirrja tatëpjetën.
Por më kot.
Më shtohej emocioni prej miqve,
Që nga larg vinin,
Më rritej entusiazmi prej shokëve-miq,
Që rrotull më rrinin,
Prej ëndrrave që vraponin në të tashmen time
Dhe lirinë arrinin.
Ndaj dhimbja ime, po të them prerë:
Mbeta njeri i lirë.
Ndërkohë që ti mbete për mua me të vetmen vlerë:
Më bëre më të mirë.

 

Dashuria nuk ka vdekur

Kur përgjumem bashkë me ty
Dhe n’agim, rrezja e diellit
Me frymë pleksur, nis e fryn,
Ndonëse vjen tek unë e mekur,
I them vetes pa mëdyshje:
Dashuria, jo,… s’ka vdekur.

Le të endet brenda meje
Pamëdyshja, sa të dojë,
Të zerë prita dhe ndër deje,
Këtë herë unë nuk gaboj.
Pamëdyshjen le mënjanë,
Veç me ty pa fund të rroj.

Heshtja rri gjithmonë pas derës.
Është aty, troket gojëhapur,
Gati të gëlltisë dhe njerëz.
Belbëzon, s’më le të flas,
Do që unë t’harroj vetveten,
Rrugën time ta humbas:

Që të dua me çdo kusht,
(Mos i ngjaj si në përallë,
Dhelprës së njohur me rrushtë.)
Që të dua në çdo çast,
Qofsha edhe pranë së keqes,
Që na merr frymën përqark.

Ndaj, përgjumur në agim,
Po ajo rreze më jep frymë,…
Oh,… sa shumë më fal gëzim.
E në ardhtë prapë edhe e mekur,
Vetes do t’i them zë plotë:
Dashuria, jo,… s’ka vdekur.

 

Ah, demokraci…

Ka aq kohë, që edhe hëna nuk kalon këtej nga ne
E prapë zemra seç më ngrinë, kur kujtoj atë dhjetor,
Kur pranvera fort trokëlliti pragun e dimrit me re
Ndaj përsëris prapë emrin tënd, si i yti shërbëtor.

Ah, e dashura demokraci, pse u ktheve në acar?…
E kujtoj unë festën tënde, si e arritëm me aq mund…
Sa do doja, ai dhjetor mos të zhytej kurrë në varr
Dhe një ditë, e jotja festë, t’ishte shekull i pafund.

Prapë mbi male suferina, prapë ka dimra pa liri,
Po s’do jesh ti lojë fëmijësh, një dhuratë burri prej bore.
Ndaj provoje edhe një herë, s’je një kukull për stoli:
Je shqiponja krahëfortë përmbi tokën arbërore.

Mikja ime, as në ëndrra, tërë natën nuk m’u ndave
Rrugën morën dallëndyshet, të kërkonin botë të mbara
Për triumfe e dështime folëm gjatë dhe ti kurrë s’qave.
Ktheu në atë dhjetor, më the, prapë t’ia nisim nga e para.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s