Poezi nga Josif Gegprifti
***
Kujtoj një cast,
kur drita e bukur
e syve të tu,
binte mbi mua.
Ndjenja e dashurisë,
(e veshur me tingujt e kitarës)
si puhizë
rrëshqiste në buzët e njoma.
***
S’di pse më pëlqen të rri vetmuar,
Diku në bregun e heshtur të këtij liqeni,
Për vitet që ikën të rri menduar,
Mbuluar nga rrezet e nxehta të diellit.
Me duart e mia të përkëdhel çdo valë,
Çdo valë që lehtë vjen në breg,
Të flas me to e të shuaj mall,
Për një kohë të largët që kurrë s’u tret!
Më pëlqen të rri vetëm e menduar,
Në bregun e këtij liqeni të valëzuar!
Të shoh sgalemin në qiell fluturuar,
Mbi liqenin plot dritë e të kaltëruar!
***
Sot,
sapo agoi dita,
isha në takim me mështeknën që unë e dua aq shumë.
Kishte kohë që më priste
dhe unë e prisja këtë takim
dhe ja u takuam atje ku ajo më priste me mall.
Rrezet e diellit kishin mbuluar gjithë trupin e saj të argjendëruar dhe ajo dukej sikur gëzonte që unë shkoja drejt saj i përmalluar…
Aty,
në bregun e liqenit,
kjo mështeknë prej vitesh e vetmuar,
dashuron agimet, muzgjet e perëndimet.
Mëngjeseve zgjohet nga melodia e valëve të liqenit…
Sa zili e kam mështeknën me veshjen e saj të argjendëruar dhe mantelin e saj të gjelbëruar!
Nuk e shkëpus dot vështrimin nga kjo pamje e magjishme!
Si gjethet e saj dridhet dhe shpirti im…
***
Zotit
do ti lutem,
të më falë një copëz qiell,
nga qielli i kaltër në qytetin tim,
ku të pikturoj sytë e tu
e të shoh brenda tyre dashurinë.
Në këtë copëz qiell,
me yjet vezullues do shkruaja,
…………I Love You!