Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

INTIMITET NË FSHEHTËSI TË RREPTË
(Ata që gabuan zgjedhjen bashkëshortore)

Ai:
Dashurinë tonë e dimë vetëm unë e ti,
fshehtësinë e ruan vet qielli, në thellësi.
As sekretet në Kremlin, apo në Pentagon,
s’janë si sekreti ynë, që askush s’e zbulon…

Ajo:
Dashuria top sekret, që fsheh ti me mua,
S’i lë asnjë gjurmë, burri tim e tëndes grua.
Ne s’bëjmë telefonata, as mesazhe intime,
dërgojmë veç sinjale, nëpër tela vetëtime…

Ai:
Ti si kometë e bukur, afrohesh pa ndriçim,
dhe vërtitesh çdo çast, brenda trurin tim.
Trajektoren tonë, askush në botë s’e di,
as hëna, kur pa dritë takohemi në dashuri.

Ajo:
Çastet intime, ne s’i kemi si të tjerë,
ngjitemi sqep më sqep, si zogjtë nëpër erë.
Buzët e tua thërras, në çdo gjethe peme,
ti, sytë e mi kërkon, në çdo pikë çezme…

Ai:
S’dimë pse puthjet i kemi kaq të shijshme,
megjithëse lidhja jonë është e paligjshme!
Lidhja e parë s’duhej bërë, për trajtat fizike,
se zemrat lidhen si yjet, me rreze kozmike….

Ajo:
Tani për ndarje, as mos mendo premtime,
se këputen ca zinxhirë, që tringëllojnë dhimbje!
Ndaj do vuajmë sekretin, e nxitimit në rini,
duke shijuar hajdutçe, nga pakëz dashuri…

 

ME LËKURËN NDRYSHE
(Improvizim për ndjesi rinore, pa dallim race)

Afër çmendinës. Pallat parafabrikat.
Djali në katin e parë. Vajza në katin e shtatë.
Ndonëse ai bardhosh, ajo fytyrë mugëtirë,
Zemrat rrahin njësoj. Zemrat s’kanë ngjyrë.

Lëkura s’i pengoi zemrat të ngjiten bashkë,
në një kraharor, mbështjellë me mëndafsh,
ajo ta koloviti trupin, si në shtrat bambuje,
ai ta nanurisi kokën, mes gjinjve të një ftuje.

Vajza e gostit me kofshët, aromë çokollate.
Djali me flakë puthjesh, i zbardh orë nate.
Tutje, te çmendina, dëgjohen klithma truri.
Magjia e lëkurës së saj, çmend çdo lloj burri.

Kot s’u çmend Matho, kordhëtar i Libisë,
për hiret nazike, të Salambos zeshkane.
Antoni luftoi e vdiq, për yllin e lashtësisë,
Kleopatrën magjike, të bukurisë egjiptiane.

Ai e quan skulpturë, nga lashtësia antike.
Shtatore nudizmi. Linja të mahnitshme.
Skalitur nga Fidia, skulptor i perëndive.
Dhuratë për të, nga koha e mrekullive.

Bardhësia e tij, ngjyroset në të sajin qiell,
Ku lëkura e zeshkët, ka më tepër diell.
Zjarrin diellor, shuajnë bashkë në mish.
Por rrezatimet e tyre i shkëmbejnë tinëzisht.

Ajo ka frikë linçimin, nga e njëjta ngjyrë.
Ai mund të kthehet në qenie pa fytyrë.
Por ritmin e zemrave nuk ua ndalin dot,
sikur kosa e vdekjes, t’u vërtitet mbi kokë!

Ajo një Vezuv të vogël, ka nën kërthizë
atij i shkakton, dridhma, eshtrat ia lëviz.
Ndaj, si napolitan, djali ngujohet aty,
edhe sikur ta mbulojë llava. Pluhuri i zi!…

Thonë, asteroid floriri, vjen drejt Tokës.
Miliarderë t’i bëjë, gjithë banorët e botës.
Djali s’do flori parazit, të braktis punën.
Ka trupin e saj flori. Me shumë karat lëkurën.

Pjesën e floririn kozmik, ia fal varfërisë.
Pasuri ka shtratin. Çarçafët e dashurisë.
Përkohësisht në glob, vlerë tjetër s’i duhet,
para asaj kënaqësie, që me fjalë s’thuhet;

Se femra e çdo race, është dhe një nënë,
lidhet me mashkullin, ku zemrën ka dhënë.
Si në orbitën heliocentrike, ku çdo planet,
me një yll të përflakur, lidhet në gravitet…

 

KËNDOI ZOGU I MESDITËS

Këndoi zogu i mesditës, në dritaren celulare,
kur gjumi më kish shtrirë, gati në përhumbje.
Hapur në çdo kohë, ia lë të voglën dritare,
se cicërimat e tij, ma shtyjnë jetën më tutje.

Zogu im kënaqet, me tingujt bas të gjyshit,
rreh krahët plot gaz dhe lumturohet i tëri.
Cicëro, o zog i vogël, në atë lagje, të mjedisit,
ku s’e shtyn dot ditën, pa ma dëgjuar zërin!

Ndryshe nga ç’tha për gjumin delikat, Çërçilli,
ta zgjonin në mesditë, veç po të sulmohej Anglia,
ti ke lirinë e plotë, me sqepin tënd të cicërimit,
të prishësh gjumin e të gjitha mesditave të mia…

Më zgjo, o zog, në tërë përgjumjet e mia të qeta,
mos më lër të shtrirë, të plogështohem gjatë vitit!
Nëse do të duhet dhe gjysmën e gjakut tim në vena,
rezusin e përbashkët ta jap, me dëshirën e shpirtit!

Sepse, ti, o zog i dhe jetës sime, kuptimin e çmuar,
se kam lënë pa vetes, pasardhësin me ndjeshmëri,
gjakun e fisit, me ndjenja dhe me dashuri formuar,
ta përcjellësh në brezat e rinj, deri në pafundësi!…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s