Poezi nga Agron Shele

Poezi nga Agron Shele

 

Kur ti nuk je

Kur ti nuk je
diçka mungon në raftin e librave të mi,
një shkronjë
a një libër
faqet e te cilit janë shfletuar mijëra herë
e ajo përndrije
hedhur në murnajën hëne
të një nate pa gjumë
qëndron aty,
heshtas mes mijëra dashurish,
si gjurmë hije
e asaj që shkon
e kthehet memories
kaq zhurmshëm
e mbjell
një pemë
që të çelë pranverës dëshirë,
si përherë farfurimë.

Kur ti nuk je
një yll vdes
e një jetë endet qiellit pakuptim,
tregon të pathënat e mëdha
për atë që shkoi lumit të lindur në kufijtë e borës,
diku në një vend të harruar,
që kreshpëronte maja të lashta
dhe fshihte poshte vetes të panjohura
kaluar në breza e breza
mes mistizmit gjurmë jetë.

Kur ti nuk je
gota e verës mbetet bosh
s’ ka gjurmë buzësh
as kode të çrregullta që dikush të deshifrojë
shijen e hidhur mbetur në to,
apo rrëmbimin e çastit
që braktis një botë të tërë
e dritëhijet e mbetura,
janë më shumë se një kandil
në vaj të djegur
e fitil përzhitur
nga flakëza e fundit
që një natë ndriçon.

Kur ti nuk je
as portretin s’ mund ta përfytyroj,
ngjyrat bëhen akrelin i zverdhur
zogj të arratisur
me krahë në përhumbje
drejt të tjera shtigjesh,
atje ku toka bashkohet me qiellin,
atje ku dallga zë fill,
atje ku drita duhet të lindë
e atje ku vdes e teret një shpirt.

Kur ti nuk je
në raft të librave sërish rrëmoj
mos ndoshta gjej gjurmën e shfletimit
të asaj bote
që rilindi vështrimit tim
si dikur,
diku,
në një poemë të pambaruar
e sosur
në ëndrra të fikura
parvazit të dritares,
që fsheh dritëhijet e një tjetër bote
zhurmshëm nga udhëtaret e udhëkryqit
që presin dritën jeshile
të kapërcejnë
hapat e tyre të padukshëm.

Kur ti nuk je
s’ mund të them asnjë fjalë,
por shikoj përshfaqjen e tjetërsuar
të atij rebusi që s’ ka stinë
por shformësim ngjyrash
përzier në të verdhën e Van Gogut,
apo diçka nga engjëjt e Dalit,
që krahët terin në një ditë tjetër
e zhyten frikshëm mbrëmjes së heshtur.

Kur ti nuk je
gjithçka bëhet bardh e zi
kontrast i një refleksioni që kalon përmes prizmit sy,
që s’ di të ndajë
por as të bashkojë,
veç të ndezë shandanë
në ballon e shkëlqimit
të asaj premiere pa mbret e mbretëreshë
pas kuintave
të një perde që bie
e spektatorë të përlotur
nga gjithë kjo dramë dashurie!

Kur ti nuk je
me çfarë vështrimi të shikoj sot,
me dritën që lind mëngjesit plot re
apo shkëlqimit tretur fasadave të mekura,
që ngrihen e ringrihen madhështisë për çdo ditë
e poshtë këmbëve flijonë sakrificën e perëndisë,
në gjurmë dhimbje të atyrë që mbetën
në harkun e këputur të një ylberi
arritur në pragun e asaj porte,
që ftonte
e ftonte përherë pa trokitur!

 

***

Ti përndritje që rishfaqesh si Venus
horizonteve ku dashuritë kanë ngritur fole
shiko një çast të vetëm nëpër erë
lulet si çelin e petalet lenë pendesë,
diellin si lind përmes qerpikësh
e hënën tretur në një lot
që lumenjtë heshtur të mbushin liqenet
e ti si pezm, ajrit i zgjon.

 

***

Engjëjt nuk dinë të flenë
por enden ashtu mjegullave të fshehta,
se një shpirt ndoshta do e shpëtojnë
zjarrit që do e kthejë në pluhur e hi
detit që do e fshehë në më të thellat ngjirize
qiellit që do e tretë ngjyrës së kaltër
e pragut të bardhë
ku një lumë gjarpëron fshehur mes malesh
e pyjesh që fërshëllen uturima ujqrish
të largëta,
të frikshme
krisjes së kohës
për ta gozhduar memories së heshtur
e për ta rikthuer sërish, e sërish, e sërish…

 

Nuk ishte…!

Nuk ishte nga ato erërat e zakonshme
që mblidhej majave të heshtura male
apo pyejeve që fëshfërinin gjethet e mështenkave,
nuk zbriste as nga thekrishtat e Esenit atje larg në veri
por avitej fshehur ranishtes
e përkundte një tunikë të kuqe
mbërthyer në karficë argjendi
që shndriste shirita të stërgjatur
lindur e tretur në të thellin det.

Princesha qëndronte aty
me flokë rrëmbyer tek një breg,
përpinte me sy blunë pakufi
tek afronte
e humbiste vizionet e shfaqura
në një direk anije
pëlhurës së bardhë
qepur me lulebore një ditë pranvere
për atë
që do përpinte dhera të huaja
e s’ dihej kurrë
nëse një ditë
do kthehej me kurorën e rrëmbyer prej hyjnive.

Nuk ishte nga ato erërat e zakonshme
po shfrynte nga shpirti i saj me furi
trazonte e ngrinte dallgët tajfun
e dhimbshëm përplasej bregut shkreti
me të vetmen gjurmë mbetur siluetës hije
në copëza bulëzimesh të ngrira në pasqyrë.

 

Ujvarë amazonash

Nuk ishin dallgë që shkonin rrëmbyer nëpër lumin e turbullt,
as fjollë mjegulle që shfaqej e humbiste nëpër qiell,
as degë shelgu që përthyhej gjer në tokë,
ishin flokë lundruar nëpër erë
në fijëza të stërgjatura memories kohë,
tek ai vështrim që gjithçka përpinte
e mallin heshtas mes tyre e fshinte.

Hapëruar krahëve shndërruar në flatra,
të gjitha horizontet donte të përshkonte,
atje ku mbrëmja muzgut shtegtonte
e në re meteorësh dhimbjen e pikonte,
atje ku qelqi i syrit krisej
e në mijëra copëzime botën e griste.

Nuk ish as vezullim i zbritur nëpër natë
i një ylli që s’ dinte të flinte
mes zjarrit e hirit përvëluar
kozmosit të lartë vetëflijuar,
ku shtrëngenjtë e furtunës thërrisnin
me më të çmendurat nota pasthirrme,
e floknaja derdhur në ujvarë amazonash
honeve më të thella të një shpirti…!

 

*Në vendin tim
e në vendin tënd

(herezi)

Në vendin tim
e në vendin tënd
shquhemi për marrëzi
dy dekrete
tre palë zgjedhje
shëno emrin edhe ti!

Në vendin tim
e në vendin tënd
shquhemi për herezi
votë e hedhur për Partinë
plumb në ballë për çdo armik!

Në vendin tim
e në vendim tënd
mbi të gjitha drejtësi
rrëmbe në mundsh pëmbi milionin
të përfitosh amnisti.

Në vendin tim
e në vendin tënd
më shumë shquhemi për liri
një copë gardh, e bukë thatë
ndjekim marshin për kushtrim.

Në vendin tim
e në vendin tënd
nuk ka vend për arsimim
një tufë paresh
e një karton
diplomohu edhe ti!

Në vendin tim
e në vendin tënd
nuk ka kohë për demokraci
mbill dy rrënjë
e shkul një shpirt
vdis në mjerim edhe ti!

Shënim: “Në vendin tim / e në vendin tënd ” – Dritëro Agolli

*Photo: Heaven to Earth – Jacqueline Ripstein (USA)

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s