Ja, ku e ka synë pleshti / Tregim humoristik nga Shyqyri Fejzo

Ja, ku e ka synë pleshti

 

Tregim humoristik nga Shyqyri Fejzo

Mos kujtoni se lojta nga fiqiri dhe të kërkoja të gjeja “shokun Zylo” të gjallë, në tregun e Tiranës ditën e shtunë, kur në pazar vetëm baba e nënë nuk gjen. Jo. Kisha dalë të gjej romanin e të madhit Dritero “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Javën e parë më tha një shoku im se atë libër e kishte parë të shitej në rrugën “Jordan Misja” në një trotuar, përballë një kafeneje të madhe. Pa një, pa dy, e mora autobusin me ngjyrë jeshile te ekonomiku dhe pas dhjetë minutash shkela shesh pas kthesës te burgu 325. Zbrita nga autobusi të shikoj me kujdes e vigjilencë, ku do e gjej shokun Zylo. Se vigjilenca është cmimi i epërsisë, ka thënë ai i dituri,  fjalë që si hiqte nga goja as Zyloja në kohën e vet.

Hedh sytë sa majtas djathtas dhe bëja përpara. Ec e shiko. Vec paisje, veshje, vegla të ndryshme pune, elektroshtëpiake mbushur trotuarët dingëz. Mbasi eca ndonja një cerek ore, më kapi syri një trotuar plot libra. “Hë! Aty  qëndro” i them vehtes dhe i ngula këmbët. Një zeshkan nga ata me ngjyrë shiste libra dhe thërriste sa i mbante zëri. “Hajde, libra të mira. Urdhëroni. Kini me shumicë e pakicë, romane, novela, vëllime me poezi, drama e tragjedi, libra për famijë tekste shkollore, e cfarë tu dojë e bardha zemër”.“Urdhëroni”.Herë pas here ai kafshonte një mollë e u a bënte me sy kolegëve që shisnin pranë tij. Pas pak aty u dha një shitës tjetër librash, që vinte nga trotuari përballë me disa libra të vjetër në dorë. Ai i drejtohet kolegut.

-Nem një Shekspir me mbret të jap një Dritero me poezi për fshatin. E ka qanitur atë baltën e Devollit…”

-Jo, jo. E këmbej me një Kadare me pashallarë, se ma kërkoi një studente që banon me qera afër shtëpisë time.”

– As me tre Dritero dhe një Xhevair  Skrapari,me poezi nuk ma këmben?”

– E, me tre ma prishe mendjen, hajde, mere.” Si mbaroi “tramba” me libra, zeshkani mu drejtua.

-“Folë e qesh, xhaxha!”

-Mu desh “Shkëlqimi dhe rënie e shokut Zylo”.i përgjigjem.

-Ëhë! E kisha një libër me Zylo po ma bleu një student pardje. Ma kanë kërkuar dhe tre-katër të tjerë.  Se dija se sa i vlente lëkura këtij Zylos. Ja dhashë badijava fare. Kështu e ka kjo puna jonë more xhan. Merr këtë Martin Iden për 50 lekë, të fal dhe një “Kushtrimi i të parëve” dhe ky  i këtij Xhekut më duket se është.-tha duke i drejtuar fletën e rrudhosur të kopertinës.

Dialogun na e preu në mes një i tretë.Sic dukej ishte shok i tij se i u drejtua me shumë koefidencë.

-Hë! Si ma fillove sot? A ke bërë me shëndet? Unë i rakapaqosa 50 mijë sapo piva kafenë. Të kam thënë. Nuk bëhen para me libra…Me hekurishte, po. Ti dhe në shkollë nuk i kishe qef librat. Nuk di në i mësove të gjitha shkronjat e alfabetit.?Shitësi i librave krojti kokën puliti sytë dhe i u drejtua.

-Ke të drejtë.Ti pas pesë vitesh u ngrite më këmbë dhe erdhe vonë në shkollë.. –Shakaja priste shakanë dhe koha po kalonte. Kur mendova se jam i tepërt e u nisa tutje, por shitsi më ndali përsëri.

-Dale more xhaxha be.Shiko sa libra kam këtu! Një dylym trotuar. Zgjidh e merr një. Mos më ik duar bosh se e kam për gjynah- I hodha edhe një sy librave me kapak e pa kapak, të zhubrosur e të ndotur me dhe e vajra.

Atë cast ishin afruar dy studentë. Pa pritur njëri prej tyre kërceu gjithë gëzim.

”Qënka këtu. E marrim” i tha shokut. Bëhej fjalë për librin “Mbreti Lir” të Shekspirit.

-Mbretërit janë të shtrenjtë.-foli shitësi i librave, kur pikasi se “uji do të shkonte ne mullirin e tij”.

-Të ishte mbretëreshë, epo hajde! Të jepnim të drejtë se me femra bëhet më lehtë hair.-ja pati një nga studentët. Më në fund ranë dakord për cmimin dhe “Mbretin Lir” u fut  të mbretëronte në   cantën e studentëve.

Zylon e kërkova edhe në katër a pesë vende të tjera ku shiteshin libra, të vjetra, të rradhitura në sërë, të hedhura rifuxhio,me kapakë origjinalë, pa kapakë, me fletë mangut. Zylon nuk e gjeta në asnjë vend.Si duket, asnjeri nuk ishte mërzitur me të ta nxirte nga biblioteka e tij e ta shiste apo dhuronte këtyre “babaxhanëve” të ekonomisë tonë të tregut.

-…Ore lalagjon! Ti pa të keq e blen një gazetë që gënjen nga faqja e parë tek e fundit. Cuditemi të gjithë more lalagjon se sa po na pëlqejnë gënjeshtrat! Kur vjen puna për një libër që thotë të vërtetën, të dridhet dora- degjova të reklamonte një shitës librash trotuari, që mu duk si më i kënduar. U nisa të largohem nga tregu, kokë ulur, i menduar përsa  më dëgjuan llapat e veshëve e më panë lockat e syve për librat.Kur, pa pritur, ndjej që dikush më vuri pëllëmbën në sup. Kthej kokën dhe shikoj shokun e mikun tim të jetës studentore, Franin. Kishim shumë vite pa u parë. U ulëm të pimë dhe kafe. Aty nisa ti tregoj se pse kisha dalë dhe cfarë pashë në treg. Ai qeshi, puliti sytë dhe filloi të tregojë.

-Ti ke parë e më fole për në qytet.Të tregoj unë e të shlodh për librat dhe në fshat. Isha kto ditë, po me atë që pash për librat, më mirë mos kisha shkuar fare -nisi bisedën shoku im.

Kisha shkuar në fshat për tu shmallur me ata që kishin mbetur aty. Po do shikoja dhe ndonjë gjë nga pronat se cfarë po lëviz me këtë aluizmin. Zbarkuam te shtëpia e vjetër.Gjyshja nuk gjente vend ku të na vinte. Ajo është mjeshtre e lakrorëve me dy petë me qepë e domate. Ta dinte ajo se sa shitet një lakror i tillë në nahijen e Korcës, sindozot në Dardhë Boboshticë  e Voskopojë, do ishte bërë milionere me kohë.Shpejt e shpejt zuri brumin,griu qepë e domate, ndezi oxhakun e ashefit dhe i vuri sacin. I shkoj afër ta shikoj këtë proces të këndëshëm.  Pastaj, më pëlqente dhe zjarri se ishte pak ftohtë. Kur loakrori qëndronte gati për tu pjekur në perusti, i bërtet të nipit.

-”Nem atë librin e trashë aty o cun”. E mori me të shpejtë se i digjnin duart shqeu me forcë tre katër fletë i hodhi me inat tutje ato. Më kini dhënë fletë që janë të shkruara nëpër to me stilolaps. Apo doni tu dalë dhe lakrori me shkronja e lule!”  I dhamë tre-katër fletë të tjera pa shënime e nënvizime. I njomi me ujë ato dhe ja vuri lakrorit përsipër.Pastaj i vuri sacin e nxehte. Shikoj librin, ishte “Ana Karenina” e Tolstoit. Kushedi se sa lakrorë kishte pjekur i gjori libër se tani ishte në faqen 157. Nuk e hapa gojën. Në faqen 157 ishte një nënvizim me bojë ku Vronski mediton. Isha në mëdyshje në e kisha bërë unë  atë nënvizim apo ime motër që nuk linte libër pa lexuar. Lakrori  njoftonte me erën e tij të këndëshme se tani ishte pjekur. Gjyshja i u drejtua  prap nipit.”Nem atë librin aty”.Nipi mori një libër tjetër se atë të parin unë po hidhja një sy në faqet e mbetura të tij. Gjyshja i mbështolli pesë gjashtë fletë nga libri dhe kapi me to dorezën e sacit. Lakrori ishte pjekur bukuri, por viktime e tij ishin bërë fletët e romanit të Hygoit “Katedralja e Parisit”.Tani nga ky libër kishin mbetur më pak se gjysma e fletëve. Të njëjtin fat kishte pasur edhe romani “Zhak Ventrasi” i Zhyl Valesit, të cilit i kishin mbetur dhe 20  e ca fletë. Gjyshja atë si duket e pelqente se kishte fletë të gjata e të gjëra, me përmasa të mëdha. Zevendësonte më lehtë pecet që përdoren në heqjen e vënien e enëve të nxehta. Në ashef libri i Drajzerit “Një tragjedi amerikane”, romani i Gollsuorthit “Saga e Forsajtëve”, “Doni i qetë” i Shollohovit dhe “Shërbetori juaj i bindur macok” i japonezit Soseki bënin tani një punë fisnike.Të katër ata ishin vënë si tako për  të mbajtur këmbët e një rafti të madh. Ato po shërbenin për të ngritur në lartësinë e murit si mbështetëse, raftin, ku boshllëku plotpjestohej. Gjyshja po vinte lakrorin të ftohej në një tavolinë në kopësht, dhe nipi klikonte në një aparat telefoni bashkëkohor. Klikonte dhe qeshte me vehte.

Shikuam andej unë dhe  gjyshja. Me që lakrori ishte mjaft i nxetë sa të përcëllonte gishtat, gjyshja më shikoi drejt në sy dhe e zbrazi me të dy tytat drejt meje.

–Sa prapa kishim qënë more i dashur nip. Ti qërrove sytë me ato viran libra. Lexoje deri pas mesnate, me qiri, me kandil e llampë me vajguri, më pas me llampë elektrike. Ama, c’është e vërteta, shkollën e mbarove mirë.Hallall të qoftë. Po sot këta të rinjtë e të rejat, sa rri kaposhi mbi vezët, rrinë mbi libra. Ja, ja! Shikoje. Me atë copë telefon në dorë që është më i vogël se ato pasqyrat që na vinin në kutinë e pajës dikur kur na nisnin nuse,  mbi të i gjen ditë e natë. Apo tunden nga vendi.Erdhi në shtëpi miku, shoku apo gjitoni, nuk e bëjnë qefin qeder.  Duan llozin ti ngresh nga vendi.E shikon?

– Hajde tu bëftë gjyshja se u ftoh lakrori- dha komandën për të na gëzuar stomakun  gjyshja. Hëngrëm sa u kënaqëm se ky lakror na kujtoi atë shijen e dikurshme të fëmijënisë kur lakrori, trahanaja dhe fasulet me të regjura ishin të pa arritëshme.. Megjithëatë mua mu krijua një boshllëk i madh kur pashë masakrën e vërtetë që më ishte bërë me librat. Mirë ma bënë se vetë i lashë hergjele që kur ika në Greqi dhe më pas nuk i mora në qytet. Le dhe në qytet një ditë ato do delnin në trotuar, ashtu si më tregove tani, kur kërkoje Zylon.”

Muhabeti na shkoi fjollë, majë më majë e degë më degë. -Ti e bëre një libër, më kujtohet, sapo mbarove kursin e gazetarisë-ngacmoi Frani.

-Lere, lere atë muhabet. Kush ka parë hair nga pleshtat? Vetëm argjentinasi  Leonel Mesi në skuadrën e famshme të futbollit  “Barcelona.” Atij, kam marrë vesh se i kanë ngjitur nofkën “pleshti”. Mbase të kujtohet, librit  i pata vënë titullin “Ja ku e ka synë pleshti.” Më uruan shokë e miq. Mora guximin e ja dhurova dhe të parit të rrethit. Më falenderoi e lavdëroi. Nuk mbahesha ato ditë. Po më pas filluan dallgët e mëdha. Ishte modë atëhere kur gratë  e intelektualëve e të kastës drejtuese të rrethit kishin disa bufe të gjëra të njëllojta me kate dhe filluan ti mbushin me libra.Nuk numuroheshin nga lloji, shkrimtarët a poetët, po me metro. Sa metro libra kafe, sa jeshile, sa me të kuqe te kombinuar etj. Gruaja e të parit të rrethit u kishte thënë shoqeve ;“ …dhe ky yni na kishte bërë një libër të vogël dhe i kishte vënë një titull të lemerisur, me plesht. Nuk e vura fare në bufe po ja lashë fëmijve të lozin. Ata e kishin grisur fare. Pastaj im shoq tha: Ne kemi kuaj, qe pune, lopë, dele e dhi. Pylli ka arinj e derra dhe thëllënxa. Nuk gjeti një titull me ato po vete e ve një titull “Ja ku e ka synë Pleshti” Si e gjeti e ku e gjeti synë e pleshtit, nuk ja tha as partisë.”

Këto u muarën vesh në reth, përfshi dhe time shoqe. Se si shkuan më pas ngjarjet, ti e di mirë. Libri edhe pse u botua, u hoq nga qarkullimi dhe u shkri në kartë.Sebep u bë ai djall plesht që dhe tani, sa herë më pickon ndonjë plesht, më sëmbon në zemër për librin.

Si biseduam, u shlodhëm dhe u cmallëm me Franin, u ndamë, me premtimin për tu takuar përsëri me shpresë që  dhe të diskutojmë ndonjë mirësi për librat.

Zylon kësaj rradhe nuk e gjeta. Jam i bindur se do e gjej te ndonjë shitës trotuari a libra të grumbulluara për tu hedhur.Diturinë shumë mendje të ndritura e kanë krahasuar me perëndinë.Por, dhe perëndia duket se ja ka varur fare kësaj pune. Se bën qejfin qeder si janë katandisur edhe pse po i firojnë librat, ushqimi i diturisë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s