Poezi nga Namik Selmani
Dialog me jetën…
Triptik
1.
Maskat ,
Plagët,
Borxhet,
Nuk i dua kurrë në sinorët e emrit tim.
Fjalën,
Përkëdheljen,
Kurorën e dasmës,
I dua lumturisht në harkun e një dite.
Gjethen,
Flladin,
Valën,
I bëj kurorë dhurate për miqtë e mi të mirë.
Ehos,
Piskamës
Vajatores,
Udhën ua kthej në theqafje alpine.
2.
Këngës,
Ujëvarës,
Stërkalave,
Ua jap të tërë kurmin tmerrësisht të lodhur.
Krojet,
Orteqet,
Ylberet,
I mireseardhoj në konakët e shpirtit engjëllor.
Dallgët,
arkëmortet,
Shiritat e zisë,
I mbaj si modelet e një bote të nxirosur.
Fëmijës,
femrës,
filizit,
Ia jap një busull që vrullimin e së ardhmes më tregojnë..
3.
Zotit,
Pasqyrës,
Flakës së zbehtë të qiririt,
Ua kam treguar në kuvendim përherë një të fshehtë.
Xhepat,
Trastat,
Kartëkreditet
Më mbetën si invalidë të një lufte pa krisma.
Verbëria,
Skamja,
mjegulla,
Ma hodhën vrik gjurin e gjoksin në tapet.
E shpresa,
E agu,
E udha,
Më dhanë një ditë fjalëkalimin për fitoren që s’e prisja.
Përtej dritës së dritës
Përtej maleve
mbase do të ketë një breg që ndryshe e ëndërron.
Përtej këngëve
do të ketë një tingull të paprekur në buzë.
Përtej librave
Nuk e dua jo, harresën që të trishton.
Përtej dashurisë
Dua që të rilindë një puthje e prushtë.
Përtej syve të tu
Shoh dritëza yjesh jo nga ato që nw hone rrëzohen.
Përtej mureve të tu
Do të kacavirrem në kangjele edhe me thonj të gjakosur.
Mbase
Do ketë mbetur një kontinent pa u zbuluar.
Mbase
Do të ketë një rrugë e re me gurë të shkrumbuar.
Përtej dritareve
Vetmitar dua të shoh qirinjtë dritëndezur.
Jo,
Si ato qirinjtë që dritëzojnë fytyra vajzash në altar.
Ohhh,
mos më lini të dremis në timonin që është me hekur.
Mos më lini
të harroj për të dëgjuar plakun fjalëmentar.
Përtej dritës së dritës
Mbase do të zgjoj verbërinë e belbëzimin e burrit.
Mbase
Do të qetësoj ofshamat e invalidëve mbi karroca.
Më thoni
Ku, ku, ta gjej një Çelës të hedhur mes valëve të lumit.
Që nesër
të më duket më pak e dreqtë BOTA.