Jaroslav Seifert
Kalendari poetik: Jaroslav Seifert (1901-1986)
Poet dhe gazetar çek, fitues i çmimit Nobel për letërsi në vitin 1980, u lind më 23 shtator 1901. Qe 16 vjeç kur ndodhi revolucioni rus bolshevik. U bë dhe antar i partisë komuniste; punoi nga viti 1923-1929 në gazetën komuniste Rudé Právo. Por vitin e fundit atje, e përjashtuan nga partia sepse bashkë me gjashtë shkrimtarë të tjerë kundërshtuan udhëheqjen staliniste të partisë. S’u kthye më në atë parti. Nderohet në Çeki jo vetëm si poet, por edhe si luftëtar i fjalës së lirë. Kur u shpall fitues i çmimit Nobel, poeti qe i moshuar dhe i sëmurë në spital, qeveria komuniste çeke nuk lejoi sekretaren dhe të birin e tij të shkonin në Suedi për tërheqjen e çmimit. Një thënie e tij: “Nëse një shkrimtar është i heshtur, ai po gënjen.”
Ja përzgjedhja ime sot:
ME QËNË POET
Prej kohësh mësova nga jeta
se muzika dhe poezia
janë gjërat më të bukura
që jeta mund të na falë.
Përveç dashurisë, kuptohet.
Në një antologji të vjetër
shtypur në epokën e Perandorisë,
atë vit që vdiq Vrchlický*
kërkoja një studim për poetikën
dhe llojet e poezisë.
Pastaj vura një burbuqe trëndafili në gotë,
ndeza një qiri
dhe fillova të shkruaj vargjet e para.
Mori vrull fakë e fjalëve
u ndez mirë
dhe gati m’u dogjën gishtat!
Një metaforë e beftë vlen më tepër
se një unazë ari në gisht.
Por as rregullat që shkroi Puchmayer**
fare s’më hynë në punë.
Më kot vrisja mendjen
me ankth shtërngoja sytë
të dëgjoja mrekullinë e vargut të parë.
Në atë terr në vend të fjalëve
një buzëqeshje vajze dallova
dhe një floknajë që valvitej në erë.
Qe fati im.
Pas tij, pa frymë,
u ngërtheva gjithë jetën.
© shqipëroi Maksim Rakipaj
shënime:
Jaroslav Vrchlický*, 1853-1912, poet, kritik letrar dhe botues çek
Anton Jaroslav Puchmayer**, 1769-1820, teolog, studiues dhe kritik çek





























Leave a Reply