MOTIVE TË LARMISHME, NËN THJERRËZËN E ËNDRRAVE TË IMAGJINUARA (Refleksion rreth librit “Ninullat e hënës” të autores Natasha Xhelili) / Nga: Jusufzija ADEMI

MOTIVE TË LARMISHME, NËN THJERRËZËN E ËNDRRAVE TË IMAGJINUARA

Refleksion rreth librit “Ninullat e hënës” të autores Natasha Xhelili

Kur vendosa që ta bëja këtë vështrim, për librin e tregimeve për fëmijë “Ninullat e hënës”, të autores Natasha Xhelili, që doli nga shtypi gjatë këtij viti (2019), në kuadër të Shtëpisë botuese “Ylberi plus”, nën përkujdesjen e Z. Adem Abdullahut, thënë pa doreza, vendimi m’u duk mjaft i vështirë, sepse e dija që nuk jam specialist i kësaj lëmie, pra i kritikës letrare, andaj, edhe nguroja ngapak. Megjithatë, dëshira dhe vullneti për t’u sprovuar edhe në këtë lëmi, më shtynë që t’i hyja kësaj pune, andaj edhe nëse kam bërë ndonjë rrëshqitje eventuale në këtë drejtim, kërkoj falje edhe nga autorja, po edhe nga ekspertët e kësaj fushe, që janë duke e dëgjuar kët shkrim, si edhe nga ata që do të kenë rastin nesër o pasnesër, nëse ky shkrim do të ketë fatin të botohet në faqet e “Ylberit plus” ose në faqet e “Almanakut”, edhe ta lexojnë. Dhe, pasi e lexova veprën deri në fund, s’do mend se hapi i dytë kishte të bëjë me zgjedhjen e titullit që duhej ta mbante ky vështrim. Dhe, siç dëgjuat edhe në fillim, u përcaktova që ky vështrim ta mbajë titullin: “Motive të larmishme, nën thjerrëzën e ëndrrave të imagjinuara”. U përcaktova për këtë titull, sepse, me përjashtime shumë, shumë të vogla, thuaja se asnjëri nga 33 tregimet e kësaj vepre nuk është i privuar nga magjia e ëndrrave. Pra, ato janë dominante në këtë libër, andaj, edhe titulli m’u duket disi më gjithëpërfshirës. Por, kjo nuk do të thotë se titulli në fjalë e posedon atë forcë që t’i shpjegojë në tërësi gjithë ato ndodhi dhe pamje që shtjellohen brenda kopertinave të këtij libri, sepse, brenda këtyre tregimeve, ekzistojnë edhe tema të tjera, që janë jashtë dioptrisë së ëndrrave, por që janë më të pakët në numër.

Përndryshe, këtë libër autorja e ka ndarë në tri cikle: I. “Ninullat e hënës” (me 18 tregime), II. “Rreth zjarrit” (me 7 tregime), dhe, III. “Pylli magjik” (me 8 tregime), cikle këto të cilat na ofrojnë një botë atraksionesh, na ofrojnë pamje dhe vende të paimagjinueshme, por të cilat, heronjtë e këtij libri i përvetësojnë me lehtësi falë intelegjencës dhe imagjinatës së tyre të bujshme. S’do mend se këta personazhe, sa janë intelegjentë, po aqë rezultojnë edhe të dëgjueshëm, të vemendshëm, të edukuar… të cilët në përpikëri i respektojnë mësimet në bangat shkollore, udhëzimet e të rriturve nëpërgjithësi dhe, sidomos këshillat dhe mësimet e prindërve. Andaj, kur e përfundova së lexuari librin, shumica e tregimeve, sidomos ato të ciklit të parë më lanë një mbresë të atillë, e cila më nxiti që t’i ilustroja me dy sentenca autoriale. E para: “Dashuria e fëmijëve ndaj prindërve është e madhe, kurse dashuria e prindërve ndaj fëmijëve është kolosale ” dhe, e dyta: “Fëmija është i vogël sepse i përgjigjet moshës, kurse i rrituri është i vogël kur sillet si fëmijë” (J.A). E bëra këtë me bindjen se këto dy sentenca , tregimeve të këtij libri, u shkojnë mjaftë për shtati, ngase brenda rreshtave të këtyre tregimeve vërehen një sërë raportesh të ndërsjella, të cilat dashurinë e prindërve ndaj fëmijëve dhe anasjelltas e bëjnë të pashtershme, e bëjnë të pakontestueshme… Fryma e kësaj dashurie shihet në një sërë tregimesh. Në tregimin “Kujtimet e një dite me shi”, djaloshi që ndjek kursin për violinë në një qytet larg venlindjes, përpiqet që t’i respektojë në përpikëri këshillat dhe udhëzimet e prindërve, madje, edhe këshillat e babait, një ish violinist, i cili ka ndërruar jetë. Kulmi i këtyre ndjenjave, pra i ndjenjave të dashurisë, djaloshit i shfaqet pas interpretimit të një pjese me violinë, kur i bëhet sikur babai ia shtrëngon dorën dhe e përgëzon: “Jam krenar për ty, biri im!” Po ashtu, edhe letrën që ia ka dërguar e ëma, e mban në xhep dhe sa herë që përmallohet për atë, e nxjerr nga xhepi dhe e lexon duke e kujtuar atë se si e ka lënë të vetmuar në shtëpi. Në tregimin vijues “Ëndërrimi i këndshëm” Renalda në shtrat sheh ëndrra, por kur e zgjon e ëma, ajo përfundon në përqafimin e saj. Një gjahtar që e vret një Ujkonjë dëmtore, pendohet kur sheh se ujkonja ka lënë një këlysh pas, i cili e ka humbur t’ëmën. Gjahtari zotohet ta ruajë këllyshin e ujkonjës. (“Gjahtari”). Tek tregimi “Ninullat e hënës”, Ana me imagjinatën e saj të bujshme, ngjitet në krahun drapër të hënës. Atje, ku u gjend, lakmoi që ta ketë edhe shoqen e saj Lelën. Por, kur i ik ëndrra, lakmia i kthehet tek familja, që asaj i duket se i ngjet pemës me rrënjë të forta dhe me lule të bukura. Një gjysh që shoqërohej me fëmijët e lagjes, sillej si ata, i këshillonte, ua ndante drejtësinë gjatë lojës… Po kur sëmuret dhe shtrihet në spital, shokët e vegjël e vizitojnë atje dhe i dërgojnë lekë për kurim, por ai, ndjehet i mallëngjyer pa praninë e nipërve dhe konsideron se pa ata, lekët shumë pak i hynë në punë (Gjyshi)… Se bashkimi bënë fuqi, këtë e dinë të gjithë, por se kjo ndodh edhe në botën e florës, autorja e ilustron në tregimin “Hithra dhe bima gjethegjerë”, bimë këto të cilat gjejnë gjuhë të përbashkët për t’i ndihmuar njëra tjetrës, për të mos ia uzurpuar rrezet e diellit, ajrin. Madje, të bashkuara ato i ndihmojnë edhe lepurit që të strehohet nën degët e tyre dhe të shpëtojë nga kanxhat e dhelprës. Te tregimi “Dhelpërushja”, ujku i kërcënohet dhelpërushes se ajo nuk donte ta njohë autoritetin e tij, i cili “Pyllin e lejlekut” donte ta emërtojë “Pylli i ujkut”. Por dhelpërushja e korupton ujkun e uritur dhe e shpëton kokën. Në fund tregimin autorja e përfundon me sentencën: “Uria është armik i keq. Para saj trimëria dhe burrëria shkojnë për dreq”. Edhe tek tregimet tjera të ciklit të parë shquhen elemente ku adhurohet shtëpia, ku përgatiten befasi për ditëlindjen e ndonjë shoku a shoqeje, ku dëgjohen me vemendje përrallat e gjyshes, ku vërehen sprovat e fëmijëve për të ushtruar veprime akrobatike, ku bëhen gara për përdorimin e celularit… Më tej autorja vazhdon për të na sjellë edhe pamje të bukura të mëngjesit, të diellit që ndriçon gjithçka. Pastaj flet për nxitjen e voglusheve nga imagjinata për t’u ngjitur mbi re, për djaloshin e autobusit që ndihmonte pleqtë dhe plakat për t’i bartur valixhet, por flet edhe për fëmijë të mbrapshtë që e ngacmonin një djalosh të sjellshëm, i cili, abuzimet e tyre ia tregonte vetëm ditarit të tij, se mbase ata një ditë pendoheshin për gafat e bëra. Eteni, emrin e të cilit e mban tregimi i fundit i ciklit të parë, ishte një djalosh i mirë, por jetim, sepse nëna i kish vdekur, kurse babai e kish braktisur. Ai jetonte me gjyshen, por që një ditë ajo vendoset në shtëpinë e pleqve kurse Etenit shokët i bëjnë vend në shtëpitë e tyre, duke e shndërruar kështu humanitetin e tyre në vepër.

Natasha Xhelili

Tek cikli në vijim “Rreth zjarrit”, autorja flet për një grup fëmijësh të cilët duke shikuar flakën e zjarrit që brufullonte brenda një shpelle, u lindën ideja për të thurr tregime, që do t’i vlerësonte një juri e posaçme, por që edhe neve na mundësohet që të japin votën tonë. Në një tregim tjetër bëhet fjalë për njohjen e sekretve të pyllit, natyrisht, është një vajzë që dëgjon udhëzimet e gjyshit se si të sillet në pyll. Në një tregim tjetër, tamam si në ekran, mund të lexojmë edhe imagjinatën e një fëmije, i cili edhe brenda katër mureve të klasës preokupohet me një ëndërr e cila e bart në një betejë që rrjedh nga lashtësia. Në tregimin “Princesha e kafshëve”, një princeshë e re abuzohet nga shërbëtorja e saj dhe fillon t’i urrejë kafshët. Mirëpo, kjo nuk zgjati shumë, sepse princesha i kuptoi ndërkëmbësat e shërbetores dhe pushoi që t’i urrente kafshat. Në tregimin “Çliruesit e ëndrrave” Marku dhe Drita duke shkuar në shkollë, të nxitur nga imagjinata trupojnë mes do lisave, marrin një rrugë të panjohur, hasën në një kështjellë ku një ciklop kishte krijuar laboratorin SPANKTH që prodhonte foshnja. Po dragonjtë ciklopit i dhanë një goditje dhe fëmijët u çliruan nga ky ankth. Prindërit u bashkuan me fëmiojët e tyre, pa e ditur kahjen se nga kishin qenë. Në tregimin “Pema”, flitet për një pemë që e kishin mallkuar dhe ajo pemë nuk lëshonte fruta, por pas heqjes së mallkimit ajo përsëri u bë burim ushqimi për fisin Tanku. Thënë thjeshtë, nën thjerrëzën e ëndrrave, autorja na sjell tregime me motive tejet të larmishme, personazhet e të cilave, sipas tekave dhe trilleve që i preokupojnë, arrinë që, sa hap e mbyll sytë, të bëhen robër të ëndrrave, të bëhen pjesë integrale e tyre, duke ndërruar kahjen e lëvizjeve, pamjen, veshjen, zërin, ngjyrën, karakterin… dhe, duke i harruar kësisoji destinacionet dhe detyrimet kryesore për ku janë nisur dhe për çfarë janë përgatitur… Që, më tej, të marrën rrugë të ndryshme nëpër pyje, shpella e kanjone, të ballafaqohen me një botë krejtësisht ireale, të takohen me njerëz dhe qenie të çuditshme, me qenie parahistorike, shtatlartë, o shtatshkurtër, me brinjë e me bishta, me sy të mëdhenj, trishtues… Ca prej tyre të ngulfatur nga fryma e magjisë, të destinuar për të bërë keq, për të fituar pasuri dhe pushtet, për t’i mposhtur njerëzit, respektivisht, për t’i detyruar të luftojnë edhe me vetveten, që si e si, të bëhen lodra në duart e keqbërësve, siç ndodh psh. me Kryeministrin e Kanës, i cili Erikën, vajzën e mbretit të Kanës donte ta marrë për grua, që më tej, me ndihmën e saj ta mposhtte edhe mbretin, respektivisht, ta rrëzonte nga froni. Mirëpo, fal këshillave të gjyshit, fal medaljonit që ai ia kishte dhënë Denit, Ai e merr rolin e shpëtimtarit dhe tok me Erikën dhe me ndihmës të tjerë shpirtmirë, duke i rrënuar muret e magjive, arrijnë që ta asgjësojnë Kryeministrin duke e zënë “si miun në çark”. Pas këtyre veprimeve, natyrisht, që mund të realizohen vetëm në botën e ëndrrave, Deni kthehet në dimensionin e tij të mëhershëm , por aspiratat e tij për të patur një princeshë pranë, nuk u shuajtën. Po në të vërtetë, autorja nuk heziton që personazhet e saj të zgjedhur t’i shpiejë në destinacione të ndryshme, në krahët e ëndrrave të cilat edhe i shohin syhapur, t’shpiejë nëpër terrene të brishta malore, nëpër vise të rrezikshme, të panjohura, të veshura me enigma, me plot labirinte… Mirëpo, autorja, personazhet pozitive i kursen, i bën që të dominojnë, t’i zgjidhin enigmat, ngatërresat, të dalin fitimtarë. Natyrisht, në këtë vijë, i bën që të qëndrojnë edhe drunjtë, edhe ata të jenë bëmirës, t’u ndihmojnë fëmijëve mos ngatërrohen va e pa va, të shikojnë ku e venë këmbën, ta respektojnë drejtësinë… Krejt këto ndodhin në kuadër të “Pyllit magjik”, ku fëmijët brenda tij do të njohin : Pyllin e fjalëve, Pyllin e buzëqeshjeve, Pyllin e zemërimit, Kafshët, Pyllin e miqësisë, Miqtë e vërtetë si dhe Rizgjimin e kuçedrës.

Pyetja shtrohet: Në cilën anë duhet të qëndrojnë fëmijët, cilin pyll ta lakmojnë dhe, cilin ta refuzojnë, ta shpërfillin? Bota që shtrihet para nesh, nuk është e shtruar e gjitha me lule, në rrugëtimin tonë brenda saj do të hasim edhe gjemba, por ato duhet t’i evitojmë, t’i anashkalojmë, t’i shpërfillim… Nëse vërtetë, duhet të ecim në rrugë të drejtë, të pagabuar… Nëse dëshirojmë të posedojmë edukatë të mirëfilltë, të na respektojnë të tjerët dhe të marrën shembull pozitiv prej sjelljes sonë… Andaj, duke e përmbyllur këtë vështrim, mendoj se çdo fëmijë do të qëndrojë më me ëndje ndanë pyllit të fjalëve dhe të buzëqeshjev, që përhera t’i qeshet nuri dhe fytyrën ta ketë të hapur si rreze drite. Mbase, kjo është edhe poenta kryesore e autores, që lexuesit t’i ofrojë tregime të mira, të këndshme… që lexuesit e vegjël të marrën mësime të shëndosha dhe të dobishme për udhët që i presin.

Nga: Jusufzija ADEMI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s