Pak fjalë për Griselda Velin
Griselga Veli është zëri më i ri poetik që vjen mes krijuesve të Sarandës. Ajo ka në shtëpinë botuese librin e saj të parë me poezi “Perëndim në trishtim”. Griselda është nxënëse në vitin e dytë të gjimnazit të Livadhjasë të bashkisë Finiq, por ajo vjen nga fshati Shalës i Konispolit. Rruga për në shkollë i kalon mes lumit të Bogazit, rrepeve që fëshfërijnë mbi valët e lumit, shpërthimi pranveror, ngricat dimërore, freskia e verës dhe më shumë verdhësia e vjeshtës, nuk kanë si të mos ngacmojnë ndjenjat vajzërore të Griseldës dhe këto ndjenja të kthehen në vargje për ta shpërndarë të bukurën tek të gjithë. Ajo vet është një bisk në shpërthim, vet është një poezi, ndaj në krijimet e saj poetike sjell frymën dhe aromën e moshës. Por përtej romantizmit që karakterizon vështrimin e botës me syrin e të bukurës dhe ëndrrës, vijnë dhe nuanca filozofike dhe qëndrime kritike për shumë fenomene negative që shoqëria e sotme shqiptare has në realitetin shqiptar. Kjo tregon se kemi një autore, ndonse në moshë 17 vjeçare, me një qëndrim të përgjegjshëm ndaj kësaj panorame vrastare të besimit. Autorja kalon nga ëndrra në meditim dhe ndjenjat e frymëzimi pushtohen nga një përjetim i trisht, çka e hermetizon në titull, kopertinë dhe brendinë e ideve që përcjell në poezi. Ky përjetim vjen poetikisht nëpërmjet metaforës dhe figuracionit që e përdor me kursim si një nikoqire çame. Sjell anën e një panorame të zymtë e shpresëhumbur, ku nuk dëgjon gjë tjetër veç këmbanave vajtuese të braktisjes dhe shpresës së vrarë.
Griselda Veli
Pa dyshim që ajo që është karakteristikë e kësaj moshe, dashuria e çiltër me aventura çapkëne në sinqeritetin e botkuptimit ndjesor, vjen në vargjet e poetes me gjithë bujarinë e shpirtit dhe shpërthimin e vargut plotë muzikalitet që të ftojnë të dëgjosh me qetësi tingujt e tyre dhe të shijosh ëmbëlsinë që ato përcjellin tek ty, sepse janë shkruar me gjithë forcën e shpirtit për ty si lexues dhe si qytetar i kësaj shoqërie. Por në vargjet e Griseldës ka edhe një apel, ka një shpërthim të dukshëm e të zëshëm që ky realitet shqiptar duhet ndryshuar. Duhet ndryshuar që rinia të ketë perspektiva të hapura e të garantuara nvendin e tyre. Duhet të përmbyset që nga shpirti i rinisë dhe i poetve të vritet trishtimi, zhgënjimi, shpirtligësia, pabesia dhe të zgjohet ëndrra dhe e bukura, shpresa dhe kënga të marrë formën e saj të gëzueshme në jetë. Në kënvështrimin e poetes shpresa ndaj të arthmes dhe ajo që jeton sot, i ngjanë një muzgu të hirtë pa perëndime të zjarrta e të përflakura , pa një pikëmbështetje dhe një pikëmbritjeje. Këtu vritet ësndrra dhe jeta zhytet në terrin që vjen pas muzgut, pa pasur kurrë një mëngjes të qartë e të paqtë. Vargjet e Griseldës harmonizojnë mes tyre mendimin dhe ndjenjën, hermetizojnë brenda tyre të bukurën duke sjellur edhe shijet estetike. Këndvështrimi i saj ka kapur edhe pjesën e padukshme të këtij realiteti që rri e ndrydhur në botën shpirtërore brenda trupit të njeriut. Në fund të fundit ky është edhe misioni i poetit, që sonda e tij poetike të depërtojë në thellësitë e shpirtit për të gjetur thesaret e fshehura brenda tij. Griselda Veli, poetja e re, ecën me hapa të sigurt duke dhënë fuqishëm sinjalet e një zëri poetik premtues në rrugëtimin e gjatë e të vështirë të krijimit. Duke qënur besimplotë tek rritja e saj artistike i urojmë suksese.
Nga: Agron MEMA
KËNGË E ZEMRËS VAJZËRORE DHE NDIÇIMI HËNOR MBI KËNGËN E SAJ
CIKËLPOETK NGA GRISELDA VELI
HËNA
Mbrëmë fola me hënën,
Ajo më buzëqeshi që larg,
Deshi të më tregonte diçka,
Por unë s’kisha njohuri
Mbi gjuhën e saj.
Dialoguam me vështrime gjatë
Derisa e kuptuam gjuhën
E njëra-tjetrës…
Unë e pyeta se si dukeshin
Gjërat nga aty lart,
Si dukesha unë
Dhe gjithshka përreth meje…
Ajo heshti dhe duke u fikur
Ngadalë
Dhe me një dhimbje
Që depërtoi mbi të,
Ajo lëshoi një klithje
Përplot ëmbëlsi:
-Ngjitu tek unë bukuroshe,
Ajo botë s’është për ty!
KËNDVËSHTRIME
Shoh si vdesin përditë miqësitë,
Dhe lënë pas jehonën e padëgjuar,
Shoh si shterohet deti
Nga një vrimë e vetme
Dhe në asnjë mendje nuk gjen
Një dallgë të trazuar.
Shoh sa pak zgjat lumturia
Dhe sa shumë zgjasin brengat,
Aq shumë sa njeriut i duhen vite drite
Për t’u zhvendosur në një tjetër planet,
Për të mbledhë në një kuti të gjitha dobitë
Dhe ligësitë që ka shpërndarë
Në këtë pak jetë.
Shoh zgjatjen e suksesit,
Sa një lindje dielli
Asnjë sekondë më shumë,
Por në majat e tij për të mbetur
Duhen shekuj ore punë.
Shoh si zvogëlohet planeti,
( dhe kam idenë se ka rënë në koma)
Se si s’po e vëren,
S’po e dëgjon ulërimën e ujqërve,
Që duan ta shqyejnë e ta hanë akoma.
I gjori planet…!
S’po e sheh se këto qenie,
Që trilarda vjet
Në patrazim i mban
Sot ngrihen të egërsuara
Me synim që planetin
Ta shohin tejet të zvogëluar,
Ku vetja e tyre të jetë sundimtari,
Dhe planetin ta mbajnë mbërthyer
Në duar.
Pra, planeti ka rënë në koma,
Dhe në një gjendje të tillë
S’ka forcë të bëjë asnjë ndryshim,
Sepse këto qenie me vetbesim
Nuk pyesin për qartësim,
Po kështu as për sqarim.
Tanimë e shoh qartë si
Planeti po vdes në koma,
Duket narkoza e mbaroi efektin e saj,
Dhe sa keq!
Nuk ka universi asnjë
Spital të ndihmës së shpejt
Që planetit Tokë
T’i sjell shëndet.
Shoh si njerzit u bënë doktorë,
Dhe mashtruan, se planeti
S’ka më shpresë
Për mbijetesë.
Kështu,
Ia heqin të gjitha aparaturat e
Mundshme,
Dhe me vetëdije
Planeti vdes
Në këmbët e tyre.
BOTËS
Oh, ç’botë pesimiste,
Sa pak optimiste,
Sa e pabesë.
Pa pikën e mëshirës,
Shumë larg të mirës,
Kërkon të të shes.
Ç’botë e shuar,
Me maskë mbuluar,
Sa dinake.
Sa e gatshme të të vras,
Pa pasur asnjë shkas,
Në mënyrë abstrakte.
Si gënjeshtare,
Me maskën krenare,
Ej, sa bukur pozon.
Sa e habitshme,
Nga ajo e papritshme,
Sa dhimshëm mashtron.
Sa bandite,
Kaq hipokrite,
Pas maskës struket.
Tejet e qeshur,
Nën maskën e veshur,
Ku demoni s’duket.
SHKRETËTIRË
Aty ku s’ka shi,
Aty ku s’ka dimër,
Aty dodhem unë.
Aty ku s’ka pemë,
Aty ku s’ka lule,
E etur në kulm.
Aty ku s’ka ajër,
Aty ku s’ka re,
Është shpirti im kërkues.
Aty ku shiu bie
Në katër vjet,
Jam gjëmbi mbijetues.
Aty ku s’ka ngjyrë,
Aty ku s’ka ylber
Shkëlqejnë sytë e mi.
Rivdes
Në muzg dielli,
Për një ringjallje tjetër.
Aty ku s’ka asgjë,
Aty çuditërisht
Jeta ka mbirë.
Aty ndodhem
Unë:një rërë
Në shkretëtirë!
***
Ku e sheh ti ndershmërinë,
Kur përgojon njerëzinë?
Na hiqesh para tyre mik,
Dhe pas shpinës mpreh një thikë.
Kjo është tejet gënjeshtër,
Aty ku ti quhesh mjeshtër,
Ëahtë aktrimi yt i zgjuar,
Sa refleks i rafinuar!






























Leave a Reply