Jalal al-Din Rumi
Kalendari poetik 30 shtator: Jalal al-Din Rumi (1207-1273)
Si sot, 812 vite më parë, u lind Xhalal al-Din Rumi; teolog mysliman dhe poet sufi me prejardhje persiane. Poezitë e tij, të shkruara tetë shekuj më parë, kur Evropa qe në Mesjetën e errët, lexohen edhe sot me ëndje në të gjithë botën. Te Neruda kam hasur një figurë poetike të njëjtë si te Rumiu (e keni në poezinë e sotme); të dy shprehen njësoj: “…po të dërgoj një puthje me erën…” …veçse Rumiu i ka dërguar ato puthje tetë qint vite më parë…
Në librin tim “Antologji e poezisë arabo-persiane” botuar në vitin 2015 në Tiranë nga shtëpia botuese Uegen pata përfshirë edhe mbi dyzet shqipërime të miat nga i madhi Rumi. Ja një Rumi për sot:
E VENDOSA…
E vendosa, në heshtje do të të dashuroj …
Sepse në heshtje, ti, s’ke si më kundërshton,
Vendosa të të dua në vetmi të plotë,
Sepse në vetmi, prej meje, nuk të marrin dot
Dhe vendosa, në largësi të të adhuroj,
Që largësia prej dhëmbjeve të më mbrojë,
E vendosa, do të dërgoj puthjet me erën,
Era nga buzët e mia është m’e lehtë…
Pastaj…ndër ëndrra të të mbaj më thotë mendja,
Të kam përgjithmonë, po të pata në to brenda.
© shqipëroi Maksim Rakipaj